Kthehu lart

Kosova regjistroi 10 raste të vrasjeve brenda familjes për 3 vitet e fundit

Kosova regjistroi 10 raste të vrasjeve brenda familjes për 3 vitet e fundit GazetaExpress

Një vrasje e rëndë ka ndodhur para pak ditësh në Karaçevë të Kamenicës, rast ky që tronditi gjithë Kosovën. Gani Bernjashi i cili është 60 vjeçar, rrahu me shkop druri djalin e tij 14 vjeçar, Luan Bernjashin, e ky i fundit nga lëndimet e marra ndërroi jetë.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxha, ka bërë të ditur për Koha.net se vrasja e 14 vjeçarit në Kamenicë, shënon rastin e parë të vrasjeve të rënda brenda familjes për këtë vit.

Por në vitin 2017, janë raportuar 5 raste të vrasjes së rëndë në familje. Ndërkaq, 4 raste shënuan në vitin 2016.

Hoxha ka treguar se një fenomen tjetër shqetësues mbetet edhe dhuna në familja. Prej vitit 2015, janë raportuar 3 mijë e 534 raste.

Prej tyre, 172 del të jetë numri i fëmijëve ndaj të cilëve u ushtrua dhunë nga prindërit.

Në vitin 2015 janë raportuar gjithsej 1038 raste, ku në mesin e tyre viktima janë 51 fëmijë, 859 gra dhe 118 burra. Një vit më pas, në vitin 2016 u shënuan gjithsej 1227 raste. Atëherë viktima ishin 60 fëmijë, 988 gra e 179 burra.
Në 2017-tën u shënuan gjithsej 1269 raste të dhunës në familje, në mesin e tyre ishin 61 fëmijë, 962 gra e 246 burra.

Hoxha gjithashtu tha se gjatë periudhës janar – mars të këtij viti, janë shënuar 281 raste të dhunës në familje.

Pas vrasjes së 14 vjeçarit në Kamenicë, pati reagime të shumta. Ndër to, ishte edhe nga Komisioni Parlamentar për të Drejtat e Njeriut. Ata përmes një komunikate, kërkuan që domosdoshmërisht të përshpejtohet procedimi i Projektligjit për mbrojtjen e fëmijës, në këtë mënyrë edhe të rritet efikasiteti i institucioneve për mbrojtjen e fëmijës.
Kujtojmë se në mars të këtij viti, në mungesë kuorumi, Kuvendi dështoi të miratojë rekomandimet e harmonizuara nga Grupet Parlamentare për dhunën në familje, ani pse pati një debat të gjerë për parandalimin e dhunës në familje.


    Data: 26 Maj 2018 12:04
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera