Kthehu lart

Kosova nuk ka ligj për transplantimin e organeve, cila është hisja e “Medicus" këtu?

Kosova nuk ka ligj për transplantimin e organeve, cila është hisja e “Medicus" këtu? Autori: Morena Kokollari GazetaExpress E martë, 14 Nentor 2017 16:19

Vrragët që në sistemin shëndetësor la krimi që u krye në klinikën “Medicus” shumë vite më parë ndihen edhe sot - Kosova ende nuk ka ligj që e rregullon çështjen e transplantit të organeve. Për shkak të kësaj, rreth 136 persona kanë kryer transplante të organeve jashtë Kosovës, ndërsa vetëm një operacion i tillë është kryer në Kosovë në vitin 2005. Por, edhe ky operacion është kryer në bazë të ligjeve të Gjermanisë

Çështja e transplantimit të organeve në Kosovë ka mbetur një tabu në shëndetësinë kosovare që prej rastit “Medicus” . Në këtë klinikë, e cila gjendej jo shumë larg kryeqytetit, u kryen transplante ilegale të veshkave kryesisht në pacientë të huaj. Drejtori i kësaj klinikë, urologu Lutfi Dervishi, që sipas Prokurorisë së EULEX ka kryer transplante ilegale të veshkave, tashmë gjendet në burg që nga viti 2013, kur Gjykata Themelore në Prishtinë ia shqiptoi dënimin me 8 vite burg për këtë çështje.

Në Kosovë vetëm gjatë këtij viti, janë identifikuar rreth 830 raste me dializë, ndërsa 136 pacientë kanë kryer transplant të veshkës jashtë Kosovës, kjo për shkak të mungesës së ligjit për transplantime.

Ibrahim Rrudhani, koordinator nacional për cilësi në nefrologji ka dhënë për Gazetën Express këto shifra, derisa tregoi edhe për një rast të transplantit të organit që ka ndodhur në vitin 2005 në Kosovë, gjegjësisht në QKUK. Ky transplant është kryer me ligje të Gjermanisë. Mjekët dhe ekipi ishin të gjithë nga Gjermania.

“Vetëm një operacion është kryer në Kosovë, por ai është kryer me ligje të Gjermanisë. Ekipi dhe të gjithë stafi kanë qenë gjermanë”, ka treguar Rrudhani, derisa ka shtuar se ky operacion është kryer në vitin 2005 në repartin e gjinekologjisë në QKUK.

Në vitin 2013, kur u arrestuan mjekët që kishin kryer transplante ilegale në Kosovë, Lutfi Dervishi si urolog dhe Sokol Hajdini si anesteziolog, i cili po akuzohet për vepër penale lëndim i rëndë trupor, EULEX pati ngritur shqetësime për ligjin për transplante të organeve në Kosovë.

Më 29 prill të 2013’ës, në letrën dorëzuar Komisionit parlamentar për shëndetësinë EULEX pati këshilluar këtë komision që të kërkojë asistencë për një vlerësim teknik që duhet t’i bëhet këtij ligji. EULEX pati shprehur interesim për këtë projektligj dhe ka dorëzuar disa komente të përgjithshme teknike, që kryesisht theksonin mospërputhjet në mes të sanksioneve administrative dhe sanksioneve penale si dhe dënimet e parashikuara për veprën penale “Transplantimi i kundërligjshëm dhe trafikimi i organeve dhe qelizave njerëzore”, sipas Kodit Penal.

Misioni europian sugjeronte që institucionet shëndetësore private të mos kenë të drejtë transplantimi, pasi kishte përvojë të keqe nga rasti “Medicus”.

“Ne kemi shqetësime se ky projektligj, edhe pse kërkohet për shkak të rritjes së numrit të pacientëve që u duhen trajtime dialize, prapë, shqetësimet e tashme të vlefshme, nëse lejohen klinikat private të marrin leje për të kryer operacione për transplantimin e organeve, do të jetë vështirë të monitorohen me saktësi nëse procesi është kryer sipas ligjit dhe praktikave më të mira”, thuhet në letrën e Shefit të Zyrës Ligjore të EULEX, Jarmo Helppikangas, dërguar Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale.


Projektligji për Transplantimin e Organeve në nenin 26 thotë se veprimtarinë e transplantit të organeve mund ta kryejnë vetëm institucionet shëndetësore të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë, mirëpo nuk bën dallimin e institucioneve private apo publike.

“Në rastet kur institucionet shëndetësore publike apo private nuk kanë kuadër profesional të duhur për vërtetimin e vdekjes trunore, ky institucion thërret komisionin e formuar nga Ministria e Shëndetësisë për këtë qëllim”, thotë neni 33 i këtij projektligji të pa miratuar ende në Kuvend, i cili flet për vërtetimin e vdekjes së trurit.

Edhe koordinatori nacional për cilësi në nefrologji, Ibrahim Rrudhani thotë për Express se si projektligj është shkuar në lexim të parë, por ka mbetur aty.

Sa i përket rasteve të shumta që janë identifikuar me dializë në Kosovë, Rrudhani tha se Kosova, megjithatë, gjendet mirë në krahasim me identifikimet e dializës në vendet e rajonit.

“Numri i rasteve në Kosovë është shumë më i vogël krahasuar me rastet e shteteve të rajonit. Maqedonia i ka pothuajse 3 mijë persona në dializë, e Kosova nuk ka arritur as në 1 mijë”, tha Rrudhani.

Ai tha se në krahasim me regjionin, Kosova e ka numrin më të vogël në rajon për sëmundjen e dializës.

Shëndetësia kosovare u njollos keq te ndërkombëtarët për shkak të rastit “Medicus”. Në këtë klinikë thuhet se operacione ka kryer edhe mjeku turk, Yusuf Sonmez, i njohur si “Dr. Vampiri”. Ky etiketim i erdhi atij pasi, jo vetëm në Kosovë, por në shumë shtete të tjera ai ka kryer operacione të transplanteve të veshkave.

Gazeta Express po e përcjell gjykimin e rihapur të rastit “Medicus” çdo javë dhe po raporton për dëshmitë e dëshmitarëve që po paraqiten në seanca të ndryshme.

Raporti i politikanit zviceran, Dik Marti më 2010 akuzonte autoritetet kosovare për përfshirje në trafikim organesh. Kosova është kritikuar edhe nga Komsioni Europian përmes raportit të progresit më 2012 për mungesë të bazës ligjore që rregullon transplantimin e organeve./GazetaExpress/

    Data: 14 Nentor 2017 16:19
    Autori: Morena Kokollari

    Të tjera