Kthehu lart

Kim Mehmeti: Haradinaj viktimë edhe e drejtuesve të pafytyrë kosovarë

Kim Mehmeti: Haradinaj viktimë edhe e drejtuesve të pafytyrë kosovarë GazetaExpress E mërkurë, 11 Janar 2017 17:42

Lidhur me burgosjen e Ramush Haradinajt në Francë, ka reaguar edhe shkrimtari Kim Mehmeti. Në një deklaratë për dritare.net, Mehmeti pohon se rasti i burgosjes së Ramushit duhet të na nxisë ta kthejmë shikimin nga vetvetja e të shohim nga kjo sjellje pothuajse mospërfillëse ndaj neve shqiptarëve e një pjese të Europës. Nëse do të jemi të sinqertë përpara vetvetes, do duhet ta pranojmë se shpeshherë, të tjerët sillen ndaj nesh ashtu si edhe ne ndaj vetvetes, pra me përbuzje e me mospërfillje, pohon Mehmeti.

“Po, disa vende të Evropës vazhdojnë t’i burgosin heronjtë shqiptarë të Kosovës, duke u mbështetur në dosjet e Serbisë! Kjo ndodh sepse ne kurrë nuk reaguam kur po kjo Evropë – vetëm që të na barazonte të gjithëve në krime – vendosi që të mos i nxirrte përpara drejtësisë vetëm strategët dhe ekzekutorët e gjenocideve, por edhe viktimat e tyre, edhe ata që nuk donin asgjë më shumë se liri për popujt e vet!”, pohon Mehmeti duke e përshkruar Kosovën e sotme si një geto të mbyllur, ku banojnë dy milionë shqiptarë pa të drejtë lëvizjeje të lirë nëpër kontinentin ku jetojnë, përballë kriminelëve serbë, që e shëtisin botën si të ishin misionarë bemires.

Por, edhe burgosjet, edhe vizat për kosovarët, nuk kanë të bëjnë vetëm me dystandardin e botës së ‘civilizuar dhe humane’, por edhe me pafytyrësinë e disa drejtuesve kosovarë, të cilët bënë çmos për të mirën e vetvetes, por thuajse asgjë për mirëqenien e popullit të vet dhe për ta bërë Kosovën shtet që do e meritonte respektin e të tjerëve. Po pra, këto burgosje dhe këto përbuzje që i bëhen shqiptarisë, nuk tregojnë vetëm fytyrën e shëmtuar të Evropës, e cila jo njëherë e ka shpërblyer kriminelin për ta bërë atë të mire dhe, e ka dënuar të mirin, duke e ditur se s’ka si bëhet i keq, por këto burgosje e padrejtësi që i bëhen Kosovës, kanë të bëjnë edhe me ata ‘çlirimtarët’ tanë të djeshëm, e politikanë të sotëm, të cilët para se ta mbronin shtetin dhe popullin e vet, mbrojtën hajdutin në vetvete, atë hajdutin që ishte arrogant dhe i pamëshirshëm ndaj popullit të vet, por aq servil dhe aq i përulur përpara të huajve sa, më shumë i gëzohej një shtrëngimi duarsh me shërbëtorët e deridjeshëm të Millosheviçit, se sa me kundërshtarët e vet politik shqiptarë! Po pra, një pjesë e botës së civilizuar sillet me përbuzje dhe mospërfillje ndaj nesh edhe shkaku se lejuam të na drejtojnë dhe përfaqësojnë edhe ata që nuk mërziten e nuk lodhen pse u rrënohet shtëpia, por kanë gajlen se do u zbulohet hajnia”, pohon shkrimtari Kim Mehmeti./dritare.net/
    Data: 11 Janar 2017 17:42
    Autori: GazetaExpress

    Merr lajmet e fundit

    Të tjera