Kthehu lart

KEK ngrihet nga të ftohtit, por thotë se po prodhon sipas parashikimeve (FOTO)

KEK ngrihet nga të ftohtit, por thotë se po prodhon sipas parashikimeve (FOTO) GazetaExpress

Korporata Energjetike e Kosovës, përmes një komunikate për media, ka bërë me dije se edhe përkundër motit ekstrem të ditëve të fundit, është duke realizuar planin e parashikuar me përpikëri

Në njoftimin për media ka bashkëngjitur edhe disa fotografi përmes së cilave dëshmon gjendjen e ftohësve të termocentraleve, e që shihet se janë tërësisht të ngrirë, dhe thotë se “fotot nuk janë në Siberi”.

“Për vëmendjen tuaj, fotot që mundë ti shihni nuk janë në Siberi por tek ftohësit e termocentraleve të KEK-ut. Përkundër kësaj gjendje të jashtëzakonshme të krijuar ditët e fundit nga kushtet ekstreme atmosferike edhe përkundër vështirësive për shkak të pajisjeve të stërvjetruara, KEK-u, ditëve të fundit është duke realizuar planin e parashikuar me përpikëri. Si ilustrim, dje me dt; 10.01.2017 plani i prodhimit është realizuar 98.9%, më saktë, nga 15360 MWh të planifikuara ka arrit të realizojë prodhimin 15190 MWh, një gjendje e ngjashme është edhe ditën e sotme”, thuhet në këtë njoftim.

KEK’u thotë se përveç grupeve të operimit që punojnë në tri ndërrime, për të tejkaluar situatën aktuale të acarit, është përforcuar edhe me ekipet e mirëmbajtjes në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit, Termocentralin Kosova A dhe Termocentralin Kosova B.

Sipas KEK’ut, operimi në termocentrale gjatë këtij moti të ligë dhe temperaturave jashtëzakonisht të ulëta është tepër i vështir. Mirëpo, siç theksohet në komunikatë, “falë angazhimit maksimal të punëtorëve të KEK’ut, kemi arritur, jo vetëm t’i mbajmë në operim por edhe ta realizojmë prodhimin e planifikuar me përpikëri”.

“Me këtë dëshmohet edhe njëherë se KEK-u si bartës i stabilitetit të sektorit të energjisë është duke treguar përgjegjësi të lartë ndaj qytetarëve të vendit. Sido që të jetë, përveç KEK-ut, një angazhim i tillë është i nevojshëm edhe nga të gjitha subjektet e ndërlidhura me sektorin e energjisë”, thuhet në komunikatë.

KEK’u, duke dashur të jetë transparent ndaj të gjitha palëve, “vlen të theksohet se furnizimi i konsumatorëve me energji elektrike në bazë të licencave të lëshuara nga ZRRE’ja, është përgjegjësi ekskluzive e Furnizuesit Publik përkatësisht KESCO’së, përgjegjësi kjo e ngarkuar edhe me ligjin për energji elektrike”.

“Prandaj, për informimin e juaj KEK është përgjegjës vetëm për prodhim të energjisë elektrike dhe jo për reduktime apo furnizim të konsumatorëve”, thotë komunikata e dërguar për media nga KEK’u.

    Data: 11 Janar 2017 16:54
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera