Kthehu lart

Kardiologu që punoi në Medicus para Gjykatës: E paralajmërova Lutfi Dervishin për licencën e klinikës

Kardiologu që punoi në Medicus para Gjykatës: E paralajmërova Lutfi Dervishin për licencën e klinikës © GazetaExpress Foto: Kushtrim Ternava Morena Kokollari Autori: Morena Kokollari GazetaExpress

Punoi për dy vite me njerëzit që më vonë do të akuzoheshin për transplant ilegal të organeve me përmasa ndërkombëtare, por pse e la “Medicusin” mjeku Tefik Bekteshi? Gazeta Express sjell rrëfimin e tij dhënë para Gjykatës dhe përshkrimet e tij se kush janë Lutfi Dervishi dhe Arban Dervishi dhe kush ishte mjeku famëkeq turk Yusuf Sonmez? Në gjykimin e sotëm, pos dëshmitarit, ishin të pranishëm edhe të dënuarit Lutfi Dervishi dhe Sokol Hajdini.

Ai mund të konsiderohet edhe si “dezertor” i “Medicusit”, por mjeku Tefik Bekteshi kishte punuar mjaft gjatë sa për t’i njohur mirë personat kyç të këtij biznesi që sot akuzohen për trafik ilegal me organe.

Bekteshi në vitet 2006-2008 ishte shef i klinikës Invazive në “Medicus”, ka punuar aty si kardiolog. Mjeku, e sot në cilësinë e dëshmitarit, ka rrëfyer në seancë gjyqësore se pse kishte dhënë dorëheqje nga pozita e tij në klinikën “Medicus”. Ai gjithashtu tregoi për përvojat e tij që ka pasur me mjekun Lutfi Dervishi, i akuzuar kryesor, dhe me djalin e tij që gjendet në arrati Arban Dervishin.

“Ajo që më ka shtyrë të punoj të Medicus ka qenë projekti i kardiologjisë, sepse deri atëherë nuk ka pasur diçka të tillë në Kosovë, në asnjë institucion. Duke parë rëndësinë e kardiokirurgjisë dhe seriozitetin e projektit, kam vendosur të kaloj nga ambulanca ku kam punuar, e të dal në Medicus”, tregoi mjeku Bekteshi.

Fillimisht ai ne këtë klinikë u angazhua si mjek i kardiologjisë joinvazive. Aty, tha se ka pasur klientë ambulantë, ndërkohë kanë bërë edhe kardiologji invazive. “Punën e kardiologjisë invazive e ka kryer një ekip i cili para se të zhvendoseshin në Medicus, ka punuar në një klinikë në Vushtrri”.

Për këtë projekt, mjeku Bekteshi tha se ishte nisur nga Lutfi Dervishi dhe mjeku gjerman Manfred Beer, i cili atëkohë punonte në Medicus. Mirëpo, i pyetur se kush ka qenë pronar i kësaj klinike famëkeqe atëkohë kur atij i është prezantuar ky projekt nga personat e lartcekur, dëshmitari tha se nuk e di, mirëpo pranoi se kompetencat për këtë projekt i ka pasur vetë urologu Lutfi Dervishi.

Dëshmitari/mjeku Tefik Bekteshi


“Të gjithë që kemi punuar në atë projekt, kemi punuar bashkë edhe në QKUK. Kam punuar çdo ditë pas drekës në Medicus, pas punës që e kisha në QKUK”, dëshmoi Bekteshi.

I pyetur se kush ishin mjekët që punonin në klinikën “Medicus”, dhe a ishin të gjithë mjekë lokal apo të huaj, dëshmitari tha se në sektorin e tij ka pasur vetëm mjekë shqiptarë, në invazive, kurse në atë joinvazive ka qenë vetëm vetë dëshmitari që ka punuar.

Mirëpo, kardiokirurgjia ka qenë ndryshe. Aty kishte punuar edhe një ekip i përbërë nga mjekë gjermanë. Bekteshi nuk mundi t’i kujtojë emrat e mjekëve gjermanë që punonin në kardiologji, mirëpo tha se njëri nga ta ishte një mjek që ai e mbante në mend vetëm si “Profesor Hake” dhe një tjetër që sipas dëshmitarit kishte shkuar shumë rrallë në klinikë, dr. Valter Casper Connin.

Gazeta Express ka përcjellë sot dëshminë e mjekut Tefik Bekteshi, i cili ka punuar në klinikën “Medicus” në periudhën 2006-2008, ku më pas kishte dhënë dorëheqje për shkak të pakënaqësive që ai i kishte pasur me punën e kryer në këtë klinikë famëkeqe dhe përvojën e tij me mjekun që ia vuri këtë epitet klinikës, Lutfi Dervishi.

Mjeku gjatë dhënies së dëshmisë tregoi se në vitin 2008 ai dha dorëheqje nga pozita që e mbante në klinikën ‘Medicus”.

Në një e-mail, komunikim në mes të Tefik Bekteshit dhe mjekut gjerman Manfred Beer, Bekteshi ia tregon këtij të fundit 16 arsyet pse ka vendosur të mos punojë më në Medicus.

Para se prokurorja Valeria Bolici nga EULEX të fillojë t’i lexojë e-mailat, komunikimet mes tyre, dëshmitari filloi të tregojë se cilat kanë qenë pakënaqësitë e tij nga personat me të cilët kishte punuar në “Medicus”.

“Arsyeja që e kam lënë ‘Medicusin’ ka qenë se në sallën invazive, aty ku unë kam qenë përgjegjës, pa lejen time kanë hyrë dhe kanë dalë mjekë të tjerë. Kam konsideru që nuk mundem me leju që pa mbikëqyrjen time të kryhen punë në vendin ku identifikimi i punës në këtë sektor, mbante emrin tim” tha dëshmitari.

E-MAILAT, ARSYET E DOREHEQJES

Në e-mail komunikimin në mes të mjekut Tefik Bekteshi dhe mjekut gjerman Manfred Beer, arsyet kryesore të dorëheqjes së tij nga pozita në “Medicus”, lidheshin kryesisht me atë se nuk ishte i kënaqur me punën aty dhe me pajiset e klinikës.

Arsyeja e parë e shkruar në e-mail dërguar mjekut gjerman Beer, thuhet se Bekteshi kur punonte në “Medicus”, ka dashur ta angazhojë një administrator për shkak të terminëve të pacientëve, mirëpo një gjë e tillë nuk iu mundësua nga Lutfi Dervishi.

I pyetur nga prokurorja se kush e ka pasur përgjegjësinë për të marrë dhe larguar punëtorë, ose në vendimmarrje të klinikës, dëshmitari tha se nuk e di, por gjithashtu potencoi se propozimet e tij gjithmonë ia ka dhënë Lutfi Dervishit.

Në arsyen e gjashtë të këtij e-maili të prezantuar nga prokurorja, Tefik Bekteshi kishte shkruar se dëshiron të largohet nga klinika për shkak se pajisjet mjekësore kanë qenë te vjetruara, dhomat të vjetruara dhe sistemi i kanalizimit në klinikë ka qenë jofunksional.

Ai gjithashtu kishte parashkruar një shqetësim të tij përmes e-mailit, ku kishte thënë se përkundër që ka paralajmëruar disa herë Lutfi Dervishin për licencë të institucionit, një gjë e tillë nuk është bërë asnjëherë.

“Këto ishin vitet e para kur institucionet shëndetësore vetëm 10 për qind të tyre kishin licencë. Duke tentu që ky institucion me qenë më serioz, kam insistu shumë herë që të aplikohet për licencë, edhe pse atë kohë aspektet ligjore ende s’kanë qenë të qarta lidhur me aplikimin e institucionit për licencë ose për të punësuar”.

Ndërsa në arsyen e 9’të dhe të 12-të, dëshmitari kishte shkruar se “nuk jam i sigurt nëse Lutfi Dervishi është seriozisht i dedikuar për njësinë kardiokirurgjike apo këtë po e përdor si aneks për njësinë e tij të Urologjisë”.

Për këtë shqetësim që Bekteshi ia kishte parashtruar mjekut gjerman Manfred Beer, dëshmitari sot para trupit gjykues tha se këtë e ka shkruar pasi ka qenë i frustruar me qasjen e Dervishit në sektorin ku mjeku Dervishi kishte punuar, “pasi unë kam investuar në këtë sektor dhe investimi pashë që është duke m’u zhytur”.

Para se të nisë seanca gjyqësore ndaj Dervishit dhe Sokol Hajdinit, të dy të akuzuar për këtë rast, bashkëshortja e Lutfi Dervishit, Vjollca, dukej mjaft e shqetësuar. Shqetësimin e vet ajo e ndau me ekipin e Gazetës Express që ishte i pranishëm në sallën gjyqësore.

Vjollca Dervishi shpalosi një libër që ajo e ka shkruar në vitin 2014 pikërisht për rastin e klinikës “Medicus”. Librin, ajo e kishte titulluar “Medicus. E vërteta dhe trillimet”, e që ishte si një lloj ditari.

Në këtë libër, ajo ka shpalosur problemet me të cilat familja Dervishi ishte ballafaquar pas këtij rasti të “Medicusit”, aty ku bashkëshorti i saj akuzohet se ka kryer transplantime ilegale të veshkave.

Vjollca Dervishi në ditarin e saj kishte shkruar edhe për përfshirjen e Dr. Yusuf Sonmez dhe tregoi se si klinika “Medicus” filloi veprimtarinë e transplanteve të veshkave.

“Ministria e Shëndetësisë lëshoi vendim për mjekët ndërkombëtarë që të punonin në spitalin ‘Medicus’, sipas të cilit është licencuar edhe mjeku turk Prof. Dr. Yusuf Sonmez” – vendim ky i nënshkruar nga dr. Alush Gashi – atëkohë ministër i Shëndetësisë.

Bashkëshorti i saj, Lutfi Dervishi është duke u akuzuar për transplantim të organeve ilegalisht, e për këtë Vjollca ka shkruar në ditarin e saj se transplantimi i veshkave ka filluar pasi ka pasur shumë kërkesa nga kosovarët që i kishin veshkat e sëmura dhe, sipas saj, u paraqit nevoja për të ofruar mundësinë e shërbimeve të avancuara të urologjisë, pra kryerjen e transplantimit të veshkave në Kosovë.

Kush është Dr. Yusuf Sonmez dhe pse lidhet ky person me klinikën “Medicus”?

Aktakuza e Prokurorisë se EULEX’it thotë se Lutfi Dervishi dhe Dr. Yusuf Sonmez kanë rënë në kontakt në vitin 2006. Gjatë disa muajve, ata kanë planifikuar dhe janë këshilluar mbi kryerjen e transplantit të organeve me operacion në Kosovë. Këto plane dhe këshillime kanë përfshirë blerjen e pajisjeve mjekësore dhe furnizimet me qëllim të kryerjes së transplantit të organeve me operacion në klinikën “Medicus”.

Dëshmitari Bekteshi, u pyet nga prokurorja e EULEX’it se a e ka parë ndonjëherë, tashmë mjekun me famë te keqe në botë, Yusuf Sonmez. Mirëpo, Bekteshi tha se për të ka dëgjuar vetëm në media, dhe se nuk e ka parë asnjëherë.

Sipas aktakuzës, thuhet se informatat e fluturimeve dhe listat e udhëtarëve tregojnë se dr. Sonmez ka ardhur në klinikën “Medicus” në prill/maj, qershor, korrik, gusht dhe tetor të 2008’ës. Këto vizita, thotë aktakuza, kanë qenë me qëllim të kryerjes së operacioneve të transplantit.

Emri i dr. Sonmez paraqitet në ditarët e anesteziologjisë së klinikës “Medicus” si njëri prej mjekëve që kanë kryer së paku 29 operacione, të referuar si transplantimi i veshkës ose operacionet e heqjes së veshkës.

Gjithmonë sipas aktakuzës, thuhet se Gjykata ka autorizuar vëzhgimin e thirrjeve telefonike që zbulohen se Dr. Sonmez ka qenë në kontakt me Arban Dervishin, dhe është kuptuar se këta të dy kishin diskutuar për grupet e gjakut të pacientëve dhe llojet e gjakut dhe logjistikën për operacionet.

Rroli i Arban Dervishit në klinikën “Medicus”

Për Arban Dervishin, djalin e Lutfi Dervishit, dëshmitari dhe mjeku Bekteshi në dëshminë e tij të dhënë më 2010’ën, kishte thënë se Arbani kishte kryer punë administrative në klinikë.

“E kemi njohur si djali i Lutfiut. Ishte normale që ai të ishte aty dhe të na ndihmonte ndonjëherë me çkado që ka mundur. Por, nuk besoj se e kam parë çdo ditë”, tha dëshmitari.

Atë kohë, tha Bekteshi, e kemi pas një marrëveshje gojore, që 33 për qind të fitimit ditor i ka takuar “Medicusit”, ndërsa pjesa tjetër mjekëve. “Shpesh këtë pjesën e ‘Medicusit’ e ka marrë Arbani, por s’mund të them se ka pas rol në klinikë, pasi s’kam parë asnjë autorizim për rrolin e tij në administratën e Medikus”.

Kush janë anesteziologët që punuan në klinikën “Medicus”?

Dëshmitari u pyet edhe nga prokurorja, por edhe nga mbrojtja e të akuzuarit Sokol Hajdinit, i cili është i akuzuar nga prokuroria e EULEX për veprën penale shkaktim i lëndimit të rëndë trupor. Edhe pse roli i Sokol Hajdinit në “Medicus” ishte si anesteziolog, aty kishte edhe anesteziologë të tjerë të cilët kanë punuar në periudhën kur vetë dëshmitari/mjeku ishte aty.

Ata janë Islam Bytyqi dhe Sylejman Dulla. Të njëjtët dëshmitari tha se i njeh nga QKUK, por edhe i kishte kolegë në “Medicus”.

Në vitin 2013, Gjykata Themelore e Prishtinës, në bazë të këtij procesi të udhëhequr nga EULEX’i, i njohur si rasti “Medicus”, pati shpallur fajtor urologun Lutfi Dervishi, dhe djalin e tij Arban Dervishin si dhe të punësuarin tjetër në këtë klinikë, Sokol Hajdinin. Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008./M.K/GazetaExpress/

    Data: 19 Tetor 2017 18:12
    Autori: Morena Kokollari

    Të tjera