Kthehu lart

Isufi i sigurt: Ramush Haradinaj e formon Qeverinë

Isufi i sigurt: Ramush Haradinaj e formon Qeverinë GazetaExpress E martë, 20 Qershor 2017 00:24

Ahmet Isufi, kandidat për deputet në Kuvendin e Kosovës nga lista e koalicionit PDK-AAK-Nisma, ka thënë në Ora e Fundit në Klan Kosova se s’ka njeri tjetër që do ta formojë qeverinë e ardhshme të Kosovës, pos kandidatit të PAN-it për kryeministër, Ramush Haradinaj.

Përkundër se PAN s’i ka numrat e nevojshëm tani, Isufi ka deklaruar se menjëherë pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror Zgjedhor, do të fillojnë negociatat me partitë tjera politike, për të gjetur bashkëpunëtorët potencialë.

“Kur të bëhet certifikim i rezultateve do të fillojmë negocimin me ato parti që janë më afër koalicionit tonë”, pohoi Isufi.

“Normalisht që do të ketë qeveri Haradinaj, pasi edhe në të kaluarën është parë që Haradinaj ka bërë një qeverisje shumë efektive. Ai kur ka qeverisur ka qenë shumë bashkëpunues dhe i afërt me ata që ka qeverisur”.

“Oferta do t’u bëhet të gjitha partive me radhë, paraprakisht kemi deklarime të ndryshme nga partitë, por një precedentë ekziston nga Gjykata Kushtetues që ka treguar se partia ose koalicioni i parë formon qeverinë, bazuar në këtë partitë tjera duhet të ofrohen në qeverisje”.

“Presidenti ka obligim që partisë, ose koalicionit të parë t’i ofrojë mandatarin”.

Isufi ka komentuar edhe deklarimet e Vetëvendosjes e Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilët kanë bërë të ditur se s’shkojnë në një qeveri pjesë e së cilës është edhe PDK-ja.

“Deklaratat e para normalisht që janë refuzuese, sepse partitë politike duan ta rrisin çmimin. Tani refuzimin e kemi më të ashpër nga VV-ja, e cila ka paralajmëruar që do ta formojë qeverinë, por kjo është e pamundur edhe nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese”.

“Por, ‘Jo’ edhe ‘Kurrë’ nuk ka në politikë”.

“Tani për tani s’ka kandidat më serioz se Ramush Haradinaj për kryeministër”.

Madje, Isufi shtoi edhe se “Vetëvendosje nuk do të futet në qeveri, sepse ka pasur rritje dhe po mendon për më gjatë”.

    Data: 20 Qershor 2017 00:24
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera