Kthehu lart

Ish-ministri Gashi dëshmon në rastin “Medicus”: Klinika nuk ka pasur leje për transplante të veshkave

Ish-ministri Gashi dëshmon në rastin “Medicus”: Klinika nuk ka pasur leje për transplante të veshkave © GazetaExpress Foto: Kushtrim Ternava Autori: Morena Kokollari GazetaExpress E hënë, 13 Nentor 2017 18:19

Ishte ministër i Shëndetësisë në kohën kur në klinikën famëkeqe “Medicus” u kryen transplante ilegale të veshkave. Për këtë çështje, të hënën, ish-ministri Alush Gashi dha dëshminë e tij para trupit gjykues të EULEX, i ftuar si dëshmitarë i këtij rasti. Ish-ministri qartësoi disa herë se Ministria të cilën ai e drejtonte nuk ka lëshuar licencë për shërbime urologjike dhe transplante të veshkave për klinikën “Medicus”. Valon Hasani, avokati mbrojtës i të akuzuarit Lutfi Dervishi, gjatë seancës së sotme insistoi me pyetje ndaj dëshmitarit për çështjen e licencimit, mirëpo, ky i fundit ia bëri me dije disa herë se Ministria e Shëndetësisë atëkohë nuk i ka lëshuar kësaj klinike licencim për transplante

Hutia më e madhe gjatë seancës së sotme që u mbajt në Gjykatën Themelore në Prishtinë ishte çështja e dy neneve të Ligjit të Shëndetësisë. Pothuajse gjatë tërë kësaj seance gjyqësore, të cilën Gazeta Express e përcolli, mbrojtja e Lutfi Dervishit dhe ish-ministri, tash dëshmitar i këtij rasti, Alush Gashi, diskutuan për këto dy nene të cilat specifikojnë në forma të ndryshme transplantimin e organeve në Kosovë.

Po flasim për nenin 46 të Ligjit për Shëndetësi dhe nenin 110, të po këtij Ligji. Neni i parë thotë se “në Kosovë nuk lejohet transplantimi i organeve”, ndërsa neni 110 thotë se “ekziston mundësia e autorizimit të institucionit shëndetësor për kryerjen e transplantit të organeve”. Për po këto ligje, gjatë seancës së të hënës, u ndeshën të dy palët. Sa i përket neneve, Alush Gashit iu kërkua që ta lexojë nenin 110 në seancë dhe ta interpretojë ashtu si e kupton. Gashi tha se atëkohë është vepruar sipas nenit 46 dhe jo sipas atij 110.

Gazeta Express po përcjell çdo javë të gjitha seancat gjyqësore për rastin e rihapur “Medicus”, në të cilin, për transplantim ilegal të veshkave, po gjykohen urologu Lutfi Dervishi dhe anesteziologu Sokol Hajdini. Dervishi u dënua nga Gjykata në 2013’ën me 8 vite burg, ndërsa Hajdini me 3 vjet heqje lirie nën akuzën se ka shkaktuar lëndim të rëndë trupor. Ky rast, i prekur edhe nga hetimet ndërkombëtare, përfshin edhe mjekë të huaj, ndër të cilët turkun Yusuf Sonmez, të njohur si “Dr. Vampiri”

Prokurorja Valeria Bolici nuk pati pyetje për dëshmitarin e sotëm, pasi ai u deklarua se i qëndron mbrapa dy dëshmive të tij të dhëna më 2011 dhe 2013. Mirëpo, pyetje të shumta pati mbrojtësi i Dervishit të dënuar me 8 vite burg, avokati Valon Hasani.

“Detyra ime si ministër, si pozitë politike, ka qenë përcaktimi i prioriteteve, zhvillimi i politikave dhe me dijeninë time më të mirë, drejtimin e tyre dhe ekzekutimin e tyre, me qëllim që të sigurohet një mbrojtje shëndetësore sa më e mirë e mundshme në Republikën e Kosovës”, u deklarua fillimisht ish-ministri Gashi, kur u pyet nga avokati i Dervishit se cilat ishin detyrat e tij si ministër i Shëndetësisë në atë kohë.

Ai gjithashtu tha se detyrë e tij ishte edhe përgatitja e udhëzimeve administrative dhe draftimi i tyre. Por, prioritet ish-ministri tha se e kishte edhe licencimin e institucioneve shëndetësore.

Gashi sqaroi se licencimi ndahet në dy pjesë, për të cilat kanë ekzistuar edhe bordet. Bordi për licencimin e profesionistëve dhe bordi për licencimin e institucioneve shëndetësore. Ish-ministri tha se në vitin kur ai ka qenë në këtë pozitë, licencimet janë bërë në bazë të dy udhëzimeve administrative.

Ai shpjegoi se në atë kohë kur është licencuar një profesionist shëndetësor, ka pasur të drejtë të veprojë vetëm në institucionet që kanë pasur licencë, jo në ato që s’kanë pasur.

“Nëse një profesionist shëndetësor merr pëlqimin për me punu, ai njoftohet me shkrim se ajo licencë vlen vetëm kur institucioni që ai do të punojë duhet të jetë i licencuar”, tha Gashi.

Ndërkaq, sqaroi ai, për ta licencuar një objekt shëndetësor, duhet të shikohen kushtet e punës së atij institucioni.

“... Asnjë profesionist në vendin tonë në bazë të këtyre udhëzimeve, nuk ka të drejtë të punojë në asnjë spital apo ordinancë private nëse objekti/ndërtesa nuk është e licencuar”, sqaroi Gashi, madje disa herë gjatë seancës së sotme, shkruan Gazeta Express.

Sa i përket licencimit të klinikës “Medicus” e cila ka vepruar deri në vitin 2008, ish-ministri Gashi tha se kërkesa e kësaj klinikë nuk ka arritur asnjëherë në tavolinën e tij.

“Licencimet e institucioneve private shëndetësore kalojnë brenda ministrisë në disa faza; është aplikimi, është komisioni për vlerësimin e objektit dhe pajisjeve. E, kur e kalon këtë fazë, atëherë kërkesa shkon në bordin e profesionistëve, të cilët e marrin vendimin dhe e dërgojnë të ministri për verifikim. Kërkesa e “Medicus” nuk ka arrit në tavolinën e ministrit”, tha Gashi.

Ai sqaroi se “Medicus” u shfaq me dy kërkesa, për kardiokirurgji dhe urologji, ku tha se komisioni për vlerësimin e objektit “nuk ka dalë as me pa objektin”, dhe kështu, sipas Gashit, është vendosur që t’i rekomandohet aplikuesit që t’i ndajë kërkesat për shërbimet.

“Për kardiokirurgji ka marrë përgjigje pozitive, ndërsa kërkesa tjetër nuk ka arrit në nivelin e bordit, e as te tavolina e ministrit”, tha ish-ministri Gashi.

Arsyeja se pse kërkesa e “Medicusit” nuk shkoi deri në tavolinën e ministrit, Gashi tha se Neni 46 i Ligjit për Shëndetësinë thotë se në Kosovë nuk lejohet transplanti i organeve, dhe për këtë, kërkesa nuk arritur të procedohet.

Mirëpo, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë atëkohë ka ekzistuar edhe bordi për licencimin e profesionistëve të huaj, që kanë qenë shtetas të huaj.

“Udhëzimi administrativ ka përcaktuar kushtet që duhet të plotësohen. Qëllimi i këtij udhëzimi ishte që të rinjtë që kanë dashur të hapin institucion shëndetësor në Kosovë, t’u mundësohet që brenda një viti ta ftojnë një koleg të huaj të tyre, që të punojë për 30 ditë, ta ndihmojë. Por, përgjegjësinë për kolegun e ka marrë kolegu që e ka ftu”, sqaroi Gashi, duke shtuar se ky vendim është dhënë vetëm për institucionet që kanë qenë të licencuara.

Për shkak të insistimit të shumtë të avokatit të Lutfi Dervishit, i cili ishte drejtor i kësaj klinike, rreth çështjes së licencimit, dëshmitari Gashi u detyrua ta shpjegojë këtë çështje duke marrë shembull personat prezentë në seancë, por edhe veten.

“Nëse unë jam mjek austriak dhe mua më fton kolegu i Kosovës, ai e bën aplikimin që unë ta fitoj të drejtën që 30 ditë të punoj në institucionin e licencuar”, tha Gashi.

Në mes të kësaj seance gjyqësore, futet në sallë edhe përfaqësuesja e palëve të dëmtuara Saranda Keçekolla. Përfaqësuesja, megjithatë nuk pati pyetje për dëshmitarin, por dëgjoi me vëmendje dëshminë e tij.

Avokati Hasani shpalosi disa dokumente, sipas tij licencime, të lëshuara nga Ministria e Shëndetësisë. Një prej tyre ishte një komunikim me e-mail në mes të Sekretarit permanent të MSH’së atë kohë, Ilir Rrecaj dhe klinikës “Medicus”. Në këtë e-mail si CC ishte edhe Alush Gashi.

“Sekretari permanent i Ministrisë së Shëndetësisë i ka dërgu një draft “Medicusit” për udhëzim administrativ, dhe si tekst i këtij drafti paraqitet neni 110 i Ligjit për Shëndetësinë, ku thuhet se ekziston mundësia e autorizimit të institucionit shëndetësor për kryerjen e transplanteve të organeve. Meqë ju si ministër, e keni parë që sekretari juaj ka pas plan për inicimin e procedurës për amandamentim administrativ, e me këtë ishte edhe autorizimi i transplantit, si ka mundësi që ju thoni që ligji nuk e lejon transplantin?”, pyeti avokati Valon Hasani dëshmitarin Alush Gashi.

“Z. Rrecaj këtu ka dashur të jap kontributin e tij, por kjo ka qenë jashtë agjendës së tij dhe agjendës ligjore të Ministrisë së Shëndetësisë për vitin 2008-2009”, u përgjigj Gashi në pyetjen e avokatit.

Ai shtoi se në vitin 2008 dhe 2009 nuk ishte prioritet i ministrit që ta ndryshojë ligjin mbi shëndetësinë dhe tha se nuk është detyrë e tij ta edukojë ndokënd se si duhet respektuar ligji.

Avokati Hasani pati edhe një dokument që e shpalosi në seancën e sotme gjyqësore, dokument i lëshuar më 12 maj 2008, i nënshkruar nga Ilir Rrecaj. Dokumenti, sipas Hasanit, ishte konfirmimi i aprovimit për shërbime urologjike në klinikën “Medicus”.

Dëshmitari Gashi për këtë dokument tha se e ka parë më 5 nëntor të 2008’ës, një ditë pasi u bastis klinika “Medicus” e cila gjendej në Vushtrri.

“Kryeinspektori ditën e nesërme më ka njoftu për këtë dhe unë iu jam përgjigjur se kjo nuk është licencë, është komunikim i tyre në e-mail dhe nuk ka as formë e as përmbajtje të një licence”, tha Gashi.

Ky dokument, për të cilin mbrojtja insistoi se është licencë e lëshuar nga Ministria e Shëndetësisë, Gashi tha disa herë se dokumenti nuk ka të bëjë me licencën.

“Nuk ka të bëjë me licencë, nuk është licencë, Ky është veç një komunikim në mes të sekretarit dhe aplikantit”, tha Gashi.

Sa i përket aplikimit për licencimin e dy mjekëve të huaj që të mund të punojnë në “Medicus”, për të cilën avokati Hasani tha se ishte licencim, Gashi mohoi këtë gjë duke thënë se ishte vetëm aplikim.

Aplikuesi i kësaj kërkesë për dy mjekët e huaj ishte parashkruar nga klinika “Medicus”. Dëshmitari dhe ish-ministri Gashi për këtë tha se ishte aplikim, nuk ishte vazhdim i asatit të licencimit, sepse sipas tij, bordi ka caktu klinika mund të aplikojë për një shërbim kardiokirurgjik dhe kërkesa e tyre për transplant të veshkës nuk mund të bëhej në Kosovë, “kështu që është licencu 1 kirurg dhe një kardiokirurg”.

“Askush sipas ligjeve tona, nuk ka të drejtë të punojë në institucion që nuk ka licencë. Në vendimin e parë institucioni ka qenë në aplikim dhe nuk ka pasur licencë pune, ka qenë vendim i përgatitjes që ta fitojë licencën, por nuk e ka fitu, prandaj është ndarë në kardiokirurgji dhe është refuzu urologjia bashkë me transplantim”, tha ish-ministri Gashi.

Aktakuza e Prokurorisë thotë se Ilir Rrecaj, atëkohë në pozitën e Ushtrues Detyre të Sekretarit permanent të Ministrisë së Shëndetësisë, ka qenë edhe Kryesues i Bordit për licencime të institucioneve private nga viti 2007.

“Medicus ka aplikuar për licencë për shërbime kardiologjike dhe kirurgjike. Vlerësimi i fundit është kryer më 7 maj 2008 dhe licenca për shërbime kardiologjike është dhënë në të njëjtën ditë dhe është nënshkruar nga Rrecaj si Kryesues i Bordit”, thotë aktakuza e EULEX.

Sipas aktakuzës, Rrecaj ka mohuar se letra të cilën ai e ka nënshkruar, e datës 12.05.2008, është licencë e cila i mundëson “Medicusit” të kryej transplante. Ai e ka shkruar këtë letër si përgjigje në kërkesën të cilën e ka parashkruar klinika më datën 02.05.2008, e nënshkruar nga Arban Dervishi, e cila kërkonte t’i lëshohej licenca për dhënien e shërbimeve urologjike përfshirë edhe transplantim të veshkave.

“Dr. Dervishi ka pasë takime me Ministrin e Shëndetësisë, me Këshilltarin e Kryeministrit dhe me Rrecajn për këtë çështje. Diskutimi është bërë në maj apo pas majit të vitit 2008”, shkruan në Aktakuzë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, në të cilën thuhet se Lutfi Dervishi e ka parashtruar një letër tjetër e datës 04.08.2008 me kërkesë të përsëritur për lëshuarjen e licencës për transplantim të veshkave e cila thotë se ai tashmë ka investuar të holla për blerjen e pajisjeve për të kryer kësi lloj operacione. Aktakuza thotë se Dervishi madje e ka telefonuar gati 10 herë Rrecajn për këtë çështje.

Gazeta Express në vitin 2014 ka bërë një hulumtim për këtë ekip famëkeq të Medicus’it, të cilët shkatërruan imazhin e Kosovës.

Në këtë rast gjyqësor, Lutfi Dervishi që ishte pronar i klinikës “Medicus”, aty ku dyshohet se u krye transplantim i veshkave, akuzohet për trafikim me qenie njerëzore dhe krim të organizuar, ndërsa Sokol Hajdini për lëndim të rëndë trupor. Pjesë e këtij gjykimi ishte edhe Arban Dervishi, djali i Lutfi Dervishit, por procedura ndaj tij është veçuar, ngase ai ndodhet në arrati.

Urologu Lutfi Dervishi ishte dënuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë me 8 vjet burg në vitin 2013, ndërsa Sokol Hajdini me 3 vjet heqje lirie. Këta ishin akuzuar për përfshirje në trafikim dhe transplantim të paligjshëm të organeve në Kosovë në vitin 2008. /GazetaExpress/

    Data: 13 Nentor 2017 18:19
    Autori: Morena Kokollari

    Të tjera