Kthehu lart

Ish-dhëndri e plagosi gjinekologun në sy të vajzës, arsyeja paratë

Ish-dhëndri e plagosi gjinekologun në sy të vajzës, arsyeja paratë GazetaExpress

Faton Fetiu, me prejardhje nga Gjakova, me nënshtetësi amerikane, dyshohet se plagosi me tre plumba vëllanë e ish-gruas së tij, gjinekologun Premtin Gojani. Ngjarja ka ndodhur mëngjesin e të martës, pranë shtëpisë së mjekut kosovar, në lagjen Marigona, në prani të vajzës së viktimës

Gazeta Express ka mësuar se 64-vjeçari Fetiu prej vitesh është i ndarë nga motra e gjinekologut. Ata janë prindër të disa fëmijëve që, po ashtu, jetojnë në SHBA.

Derisa gjinekologu, që u qëllua të martën në mëngjes, para shtëpisë së tij në lagjen Marigona, po u nënshtrohet operacioneve, Express ka mësuar se deri te ngjarja ka ardhur për shkak të parave që ka çuar në mosmarrëveshje prej kohësh mes viktimës dhe të dyshuarit. 

Sipas dëshmitarëve, i dyshuari fillimisht e ka qëlluar me elektro-shok viktimën, më pas ka nxjerrë armën dhe ka shkrepur tre plumbat, në prani të vajzës së gjinekologut.  

Premtim Gojani ka marrë plagë në kokë dhe brinjë, nga gjithsej tre plumba që i janë shkrepur.

Sipas mjekëve gjendja e tij është përmirësuar, plumbi në kokë i është larguar, ndërsa tani po i nënshtrohet operacionit në plagën e marrë në zonën e brinjëve, shkruan Gazeta Express. 

Nga ana tjetër, 64-vjeçari që plagosi gjinekologun u vetëdorëzua me të qëlluar atë para shtëpisë. 

Policia e Kosovës në vendin e ngjarjes ka gjetur edhe një granatë dore e pashpërthyer, të cilën e kishte më vete i dyshuari. 

Granata është larguar nga njësiti i specializuar për çminim i Policisë, raporton Express.

Po ashtu, PK-ja ka njoftuar se në vendin e ngjarjes ka gjetur dhe ka konfiskuar edhe armën e zjarrit me të cilin dyshohet të jetë përdorur gjatë plagosjes, një elektroshok, pesë gëzhoja dhe 2 fishekë. /GazetaExpress/

    Data: 13 Shkurt 2018 15:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera