Kthehu lart

IKD: Vlerësim pozitiv për drejtësinë në zgjedhjet e 8 qershorit

IKD: Vlerësim pozitiv për drejtësinë në zgjedhjet e 8 qershorit GazetaExpress E premte, 13 Qershor 2014 16:26

Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka monitoruar përgjigjet e institucioneve të drejtësisë në lidhje me veprat penale kundër të drejtave të votimit për zgjedhjet parlamentare të 8 qershorit 2014

Për ditën e votimit me 8 qershor, IKD ka pasur të angazhuar 40 monitorues lëvizës, të cilët në fokus kanë pasur monitorimin e aktiviteteve të policisë dhe prokurorisë në vendin e ngjarjes.

IKD është duke punuar dhe do të dalë me raport përfundimtar sa i përket reagimeve të organeve të drejtësisë për zgjedhjet e 8 qershorit, por vlerësimi preliminar për këto zgjedhje, deri në këtë fazë është pozitiv për organet e drejtësisë. IKD vlerëson qasjen, standardin dhe angazhimin e organeve të sigurisë dhe ndjekjes në lidhje me veprimtarinë penale kundër të drejtave të votimit për zgjedhjet e 8 qershorit 2014. Në fakt, avancimi i bashkëpunimit ndërmjet Prokurorit të Shtetit (PSH) dhe Policisë së Kosovës (PK) ka shënuar progres të theksuar në zgjedhjet lokale të mbajtura në vitin 2013, gjithnjë duke krahasuar hetimin dhe ndjekjen e krimeve me zgjedhjet e vitit 2010 dhe zgjedhjeve të organizuara para kësaj date.

Në përgjithësi, rezultatet pozitive të treguara në koordinimin ndërmjet institucioneve të drejtësisë kanë ndikuar drejtpërdrejtë në mbarëvajtjen e përgjithshme të zgjedhjeve, të cilat janë vlerësuar si nga vendorët ashtu dhe nga ndërkombëtarët si zgjedhjet më të mira të organizuara pas luftës në Kosovë.

Për zgjedhjet parlamentare 2014, përfshi ditën e votimit me 8 qershor, janë regjistruar 13 raste me 23 persona të përfshirë në veprat penale kundër të drejtave të votimit. Në ditën e votimit janë ndaluar nga Prokurori i Shtetit 14 persona, prej tyre prokurorët për tetë (8) persona kanë kërkuar nga gjykatat caktimin e masës së paraburgimit, ndërsa gjykatësit kanë aprovuar kërkesat ndaj pesë (5) personave, të cilëve iu është caktuar paraburgimi prej 30 ditëve. Dy (2) personave iu është caktuar masa e arrestit shtëpiak, një (1) personi iu është caktuar masa e paraqitjes në stacion policor, ndërsa ndaj 13 personave po zhvillohet procedurë e rregullt. Karakteristikë e këtyre zgjedhjeve, bazuar në përfshirjen e këtyre personave të përfshirë në kryerjen e veprave penale kundër të drejtave të votimit, rezulton të jetë vepra penale nga neni 215 “Dhënia ose marrja e rryshfetit në lidhje me votimin”, ku janë përfshirë 10 persona. Shqetësuese mbetet edhe përfshirja e personave në kryerjen e veprës penale “Pengimi i procesit të votimit”, për të cilën vepër dyshohen 7 persona.

Gjatë monitorimit, rezulton se në rajonin e Prishtinës ka pasur më së shumti raste, ku janë paraqitur pesë (5) raste me dymbëdhjetë (12) persona, e pasuar nga rajoni i Gjakovës me tri (3) raste, me pesë (5) persona, ndërsa nuk është regjistruar asnjë rast në rajonin e Ferizajit dhe Gjilanit.

Rasti më i ndjeshëm, për të cilin ka pasur raportime publike në media ku dyshohej përmbushjen e kutive të votimit në disa fshatra të Skënderajt, rrjedhimisht ku ngriheshin dyshime për përfshirjen e personave në kryerjen e disa veprave penale, është ende në proces të hetimeve nga Prokurori i Shtetit.

IKD ka monitoruar për së afërmi reagimin e policisë dhe prokurorisë në këtë rast, prej momentit kur është plasuar informacioni në opinionin publik se ka dyshime se po mbushën kutitë e votimit në disa fshatra në Skënderaj. Bazuar në monitorimin e bërë nga IKD në Grupin Punues të formuar në Prokurori të Shtetit dhe poashtu në monitorimin e bërë në fshatrat, për të cilat është ngritur dyshimi për manipulim të votave, rezulton se reagimin i policisë dhe prokurorisë , me disa përjashtime ka qenë adekuat. Por, për këtë rast specifik dhe rastet tjera të reagimit të policisë dhe prokurorisë, do të ketë analizë të veçantë në raportin përfundimtar, i cili do të publikohet nga IKD rreth përgjigjes së organeve të drejtësisë në rastet e paraqitura për zgjedhjet parlamentare 2014.

Bashkëpunimi ndër-institucional është thelluar me nënshkrimin e një memorandumi bashkëpunimi në mes të Prokurorit të Shtetit (PSH), Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), PK-së, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) dhe Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP). Ky bashkëpunim ka dhënë rezultate konkrete gjatë gjithë procesit të zgjedhjeve. Arritja më e madhe e këtij memorandumi sikurse në zgjedhjet lokale 2013, janë krijimi i Procedurave Standarde të Veprimit (PSV) në mes të PSH-së dhe PK-së. PSV-të kanë saktësuar veprimet për hetim dhe ndjekje efikase të veprave që ndërlidhen me zgjedhjet, gjithnjë duke u bazuar në mësimet e nxjerra nga e kaluara dhe përvojat më të mira bazuar në ligjet në fuqi. PSV-të kanë qenë trungu i bashkëpunimit efikas të paparë deri më tani sa i përket hetimit dhe ndjekjes së krimeve të caktuara në Kosovë.

11 veprat penale që sanksionojnë veprimet kriminale që ndërlidhen me zgjedhjet në Kodin Penal përkufizojnë mjaftueshëm të gjitha veprimet dhe mënyrat e kryerjes së këtyre veprave penale rreth procesit të zgjedhjeve dhe të drejtave të votimit në Kosovë.

Megjithatë, organet e sigurisë dhe ndjekjes kanë sfida të shumta para vetes për të dëshmuar se puna e tyre është profesionale, e pandikuar dhe e drejtë. Në këtë drejtim IKD vlerëson se institucionet e drejtësisë duhet të dëshmojnë rezultate konkrete në hetimin e financimit të aktiviteteve të partive politike, për të zbuluar aktivitetet e kundërligjshme dhe kriminale dhe për të vendosur drejtësi. Monitorimi i aktiviteteve të organeve policore dhe prokuroriale dhe analizimi i tyre nga IKD është mbështetur nga Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë.

    Data: 13 Qershor 2014 16:26
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera