Kthehu lart

Identifikohet sulmuesi i besimtarëve myslimanë në Londër (Foto)

Identifikohet sulmuesi i besimtarëve myslimanë në Londër (Foto) GazetaExpress E hënë, 19 Qershor 2017 19:13

Policia britanike bëri të ditur se personi i arrestuar nën dyshimin për kryerjen e sulmit në Londër, në orët e para të së hënës, është Darren Osborne, 47 vjeç, nga Kardifi.

Ai dyshohet se ka goditur me makinë këmbësorët pranë xhamisë në lagjen Finsbury Park, duke vrarë një person dhe plagosur 10 të tjerë.

Të gjitha viktimat i përkasin besimit islam.

Kryeministrja britanike, Theresa May, tha se sulmi është përpjekje “e neveritshme” për shkatërrimin e lirisë së fesë.

Këshilli Mysliman në Britani (MCB) tha se sulmi ishte manifestimi më i dhunshëm i islamofobisë në Britani, gjatë disa muajve të fundit, dhe ka bërë thirrje për siguri të shtuar në vendet ku tubohen besimtarët.

Ky këshill, në rrjetin Twitter ka shkruar se incidenti ndodhi afër Xhamisë në Finsbury Park dhe se makina “qëllimisht” i ka qëlluar besimtarët që largoheshin nga xhamia, përcjell REL.

Ky incident ndodhi gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit, kur besimtarët myslimanë falen gjatë natës.

Gjatë muajve të fundit, Britania është goditur nga një seri e sulmeve, përfshirë edhe atë me furgon dhe thikë në London Bridge, më 3 qershor.

    Data: 19 Qershor 2017 19:13
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera