Kthehu lart

Hulumtim | Ekipi famëkeq i Medicus’it mblidhet prapë - vazhdojnë të qetë biznesin me veshka që ia shkatërroi imazhin Kosovës

Hulumtim | Ekipi famëkeq i Medicus’it mblidhet prapë - vazhdojnë të qetë biznesin me veshka që ia shkatërroi imazhin Kosovës Foto: Kushtrim Tërnava Autori: GazetaExpress

Mjeku i dënuar për trafikim të organeve, Lutfi Dervishi është duke punuar si urolog, dhe këtë veprimtari po e ushtron bash në objektin ku u arrestua pesë vite më parë - në vendin e krimit, në Klinikën “Medicus”. Një hulumtim i Gazetës Express sjell të vërtetën rreth kësaj veprimtarie të papenguar të Dërvishit, bekimin që Qeveria ia dha atij me një licencë dhe shfrytëzimin e legjislacionit kosovar nga Dervishi dhe doktorët e tjerë të “Medicusit”.

Kosova ka pasuar një dëm të jashtëzakonshëm në imazhin e saj, pikërisht për shkak të një mjeku dhe një klinike në Prishtinë. Madje, për shkak të trafikimit të organeve që bëheshin aty dhe më pas, pas jehonës edhe në media ndërkombëtare që kishin ato, prej shumë zyrtarëve është konsideruar se pikërisht për këtë janë stopuar edhe dhjetëra njohje të reja të shtetit të Kosovës.

E megjithatë, Lutfi Dervishi, doktori i dënuar me 8 vite burgim - fajtor për trafikim me organe në rastin e famshëm “Medicus” - është kthyer në të njëjtin objekt e po e bën të njëjtën punë, por tash në një biznes që e ka licencuar Qeveria e që ka një emër të ri - “Medical Center”.

Bashkë me të, në këtë klinikë private punon edhe Tunë Pervorfi, i arrestuar bashkë me Dervishin në nëntorin e viti 2008, atëherë edhe kur nisi hetimi për trafikim ndërkombëtar të veshkave, i njohur si “Medicus I”.

Një hulumtim i Gazetës Express ka verifikuar se të njëjtit po e ushtrojnë këtë veprimtari, por deri tash Lutfi Dervishi nuk ka komentuar për gazetën, përkundër insistimit të vazhdueshëm dy ditor.

Autoritete e dinë këtë, por Dervishi do të punojë në këtë punë edhe për një kohë të gjatë.

Gazeta Express ka marrë përgjigje nga Ministria e Shëndetësisë dhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKU), ku po ashtu punon Dervishi, se të njëjtit nuk mund t’i ndërpritet tash për tash aktiviteti - këtë e pamundëson Ligji i Punës.

“Marrëdhënia e punës i ndërpritet të punësuarit që shkon në vuajtje të dënimit më tepër se 6 muaj.Pra, derisa nuk ka një vendim të plotfuqishëm të formës së prerë nga Gjykata lidhur me dënimin, nuk mund t'i ndërpritet kontrata e punës asnjë punëtori”, thuhet në përgjigjet e QKUK’së për Express.

Lutfi Dervishi, në prill të vitit 2013 u shpall fajtor nga Gjykata Themelore në Prishtinë dhe nga palët e përfshira në rast, mbrojta e të akuzuarve në “Medicus I” dhe Prokuroria, janë ushtruar ankesa në Gjykatën e Apelit. Rrjedhimisht, vendimi për dënimin e Lutfi Dervishit, djalin e tij Arban Dervishin, mjekët Driton Jilta, Sokol Hajdini, Sylejman Dulla e Islam Bytyqi nuk është përfundimtar.

Nëse Apeli do ta mbajë këtë dënim, ta rrisë atë, apo do ta zvogëlojë, nuk do të mësohet këtë vit. Vendimi mund të nxirret fiks dy vite pasi që u nxor vendimi i parë, aq edhe sa ishte ndalesa për Dervishin që të mos e punonte si mjek - Dervishi pos që është dënuar me 8 vjet e 10 mijë euro, atij, nga vendimi i parë gjyqësor, i ndalohet ushtrimi i profesionit të urologut për dy vite nga plotfuqishmëria e dënimit.

“Gjykata e Apelit planifikon që seanca e kolegjit, lidhur me lëndën në fjalë, të caktohet në shkurt ose mars të vitit 2015”, ka thënë për Express, Arbër Jashari, Zëdhënës në Gjykatën e Apelit.

Nga deklaratat publike del që krejt rasti “Medicus I” po zvarritet nga hilet e ndërkombëtarëve në EULEX, mision që tashmë është nën hetime për korrupsion.

“Arsye pse rasti ‘Medikus’ nuk është caktuar deri më tani është se fillimisht lënda i është ndarë një gjyqtari ndërkombëtar të cilit i ka mbaruar misioni në shtator”, tha Jashari për Express.

Nga 27 shtatori, rasti i është dhënë në punë një gjyqtari tjetër ndërkombëtar të Gjykatës së Apelit i cili tashmë është duke e përgatitur atë. Për shkak se lënda është tepër voluminoze rreth 100 dosje, gjyqtarit i duhet akoma kohë, arsyetojnë në Apel.

Ndryshe, në “Medicus I” janë dënuar urologu dhe pronari i klinikës Medicus, Lutfi Dervishi me tetë vite burg dhe 10 mijë euro gjobë, djali i tij Arban Dervishi është dënuar me shtatë vite burg dhe me një gjobë prej dymijë e pesëqind euro.

Lutfi dhe Arban Dervishi janë obliguar nga gjykata që të kompensojnë viktimat me pesëmbëdhjetë mijë euro. Anesteziologu Sokol Hajdini u shpall fajtor për lëndim të rëndë trupor, me tri vjet heqje lirie.

Asistentë-anesteziologët, Islam Bytyqi dhe Sylejman Dula, u dënuan me nga një vit dënim me kusht për lëndim të rëndë trupor, me kusht që brenda dy vitesh të mos bëjnë vepër të re penale.

Ilir Rrecaj, ish-sekretari i përhershëm i Ministrisë së Shëndetësisë, u lirua nga akuza për abuzim të detyrës zyrtare dhe u refuzua akuza tjetër ndaj tij, ajo për falsifikim të dokumenteve zyrtare.

Edhe Driton Jiltës, kirurg, iu refuzua akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe ushtrimit të paligjshëm të aktivitetit mjekësor.

Mjekët e “Medicus I” punojnë në QKUK

Arrestimi i mjekëve në rastin ‘Medicus” kishte qenë njëri prej aksioneve më speaktakulare të Policisë së Kosovës.

Personat që ishin arrestuar aty, dhe njëri prej të cilëve edhe i dënuar, Lutfi Dervishi e urologu Tunë Pervorfi, tash po punon, përveç në objektin ku ishte “Medicusi”, edhe në QKUK.

“Shërbimi Spitalor Klinik Universitar i Kosovës, përkatësisht QKUK, ju konfirmon se dy doktorët në fjalë (Lutfi Dervishi edhe Tunë Pervorfi)janë në punë në Klinikën e Urologjisë, bazuar në ligjet në fuqi”, thuhet në përgjigje tëQKUK’së për Express.

Derisa Dërvishi është i dënuar në “Medicus I”, Pervorfi vetëm qe arrestuar në fillimet e hetimit për trafikim të organeve në këtë skandal, por në dhjetor të viti 2008 ai u lirua edhe nga paraburgimi.

“Ende nuk e ka një vendim të plotfuqishëm nga Gjykata në lidhje me rastin“Medicus". Bazuar në Ligjin e Punës, kreu i VIII , i cili flet për ndërprerjen e marrëdhënies së punës, në paragrafin 1.6 mes tjerash thuhet semarrëdhënia e punës i ndërpritet të punësuarit që shkon në vuajtje të dënimit me tepër se 6 muaj”, thuhet në përgjigjet për Express nga e QKUK’ja.

Pra, “derisa nuk ka një vendim të plotfuqishëm të formës së prerë nga Gjykata lidhur me dënimin, nuk mund t'i ndërpritet kontrata e punës asnjë punëtori”, thanë në këtë institucion.

Klinikë e re në vendin e krimit

Në vendin ku më 4 nëntor 2008 u arrestuan Tunë Pervorfi, Lutfi Dervishi dhe Arban Dervishi dhe ku nisi rastin “Medicus I” tash me lejen e Qeverisë së Kosovës operon një tjetër biznes për veprimtari të njëjtë - klinikë e urologjisë. Është klinika “MEDICAL CENTER”.

Për ironi, edhe stafi është i njëjtë - urologët e arrestuar pesë vite më parë. “Në këtë institucion janë të paraqitur si personel shëndetësor nga themeluesi edhe Lutfi Dervishi edhe Tunë Pervorfi”, thotë Ministria e Shëndetësisë në përgjigje për Express.

Divizioni për Licencim dhe Akreditim të Institucioneve Shëndetësore disponon me këto të dhëna, ka bërë të ditur për Express se ka të licencuar ‘Spital ditor’ për urologjime emrin“ MEDICAL CENTER “, e që është në objektin e “Medicus’it”.

“Themelues i Spitalit ditor për Urologji “ MEDICAL CENTER “ është Fidaim Imeri. Ky spital është i licencuar më datë 08.03.20013 dhe me nr. Licence 01/2013”, thuhet në përgjigjet për Express ngaMinistria e Shëndetësisë.

Express raportoi për përfshirjen e Lutfi Dervishit në rastin e pretenduar për vjedhje veshke

Gazeta Express kishte raportuar në qershor të viti 2014 se Lutfi Dervishi, urologu i dënuar në një rast trafikimi ndërkombëtar me organe, është i përfshirë edhe në një rast ku një qytetar pretendon që iu vodh veshka.

Kjo histori “Në kërkim të një veshke” nisi vitin 2011, në kohën kur Dervishi megjithëse ishte nën hetime për “Medicus” po punonte në QKUK.

Fetah Salihu, një njëzetvjeçar nga Vushtrria, në vitin 2011 iu nënshtrua një operacioni urgjent pas një aksidenti kur e zuri një mur i rrëzuar, sipas Prokurorisë së Shtetit, nga dridhjet e bagerëve të kompanisë që po punonte aty.

I dëmtuar nga ky aksident, Fetah Salihu - i cili me familje jeton në kushte të varfërisë ekstreme, vetëm me një social dhe pa ndihmë nga Komuna e Vushtrrisë, do t’i nënshtrohej një sërë intervenimesh mjekësor mjaft të komplikuara. Sipas dokumenteve që i citoi Gazeta Express, del që ai të jetë dërguar në QKUK në gjendje të rëndë. Ishte operacioni i tij i parë në jetë, deklaronin familjarët.

Ai u lirua në ftillim të viti 2012 nga spitali për t'u rikthyer atje në vitin 2013, pasi që vuante nga paaftësia për t'i kontrolluar nevojat fiziologjike dhe zbulon se veshka e tij e majtë nuk ekziston. Ky është konstatimi final që ka dalë në një proces gjyqësor që është zhvilluar në Gjykatën e Vushtrrisë.

Procesi, i cili ishte ndjekur penalisht nga Prokuroria e Mitrovicës, la shumë pyetje pa përgjigje në lidhje me veshkën e Fetahut, sikurse që shumë dilema ngritin edhe raportet e Mjekësisë Ligjore të Kosovës dhe raportet e bëra nëpër klinika private e atë publike të radiologjisë.

Deri tash ka pasur konstatime se veshka e majtë e Salihut: “është me defekte të lindura”, “mungon”, “nuk prezanton” e deri te dyshimi që ka ngritur Dr. Hysni Gërguri që “veshka e majtë mund të jetë hequr” - raporti i nënshkruar nga ai më 24 gusht të vitit 2013.

Për babanë e Fetah Slihut, Muratin, më nuk ka dilemë që veshka e djalit të tij është hequr. Ai thotë që dyshon që veshkën e djalit të tij ia ka hequr veç Lutfi Dërvishi, doktori i cili u dënua në rastin që njihet si “Medicus I”.


EXPRESS TV: Murati, babai i Fetah Salihut- Ne... by GazetaExpressTV

Express ka parë që Dervishi është thirrur vetëm si dëshmitar në gjykatë - në procesin ‘Prokuroria kundër kompanisë “Gurguri” që shkaktoi aksidentin që dëmtoi Fetah Saliun.

Sikurse edhe në Gjyq, urologu Dervishi, njëherësh dhëndër i ish-shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Azem Syla, thotë për Express se ai nuk e ka operuar Fetah Salihun.

“Kam marrë pjesë vetëm si konsulent në atë operacion”, thotë Dervishi për Express, një operacion ky për të cilin edhe babai i Fetahut thotë se kanë marrë pjesë dhjetëra mjekë.

“Medicus 2” që po zvarritet dhe korrupsioni në EULEX

Rasti “medicus I” është përfaqësuar në akuzë, në fund, nga Jonathan Ratel që më vonë do të ngrihej në detyrën e kryeprokurorit të prokurorëve specialë në Kosovë.

Ai më vonë u përmend nga prokurorja e suspenduar e EULEX’it, Marie Bamieh, si njëri nga personat që kishte penguar zhvillimin e hetimeve, duke ia pamundësuar prokurores Bamieh që të intervistonte edhe dëshmitarin bashkëpunues të EULEX’it, ish-agjentin e SHIK’ut Nazim Bllaca, i cili është dënuar në ‘Bllaca II” si pjesë e një grupi kriminal që sipas Gjyqit e kishte udhëhequrdeputeti i PDK’së, Azme Syla.

Ratell në “Medicus I” ndoqi Lutfi Dervishin që është dhëndëri (burri i motrës) së Azem Sylës.

Por, nën drejtimin e Jonathan Ratel, Prokuroria Speciale njoftoi fill pas dënimit në “Medicus I” se ka nisur edhe një tjetër rast hetimor që lidhet me klinikën e njëjtë, e që nga mediat u quajt edhe si “Medicus 2”.

Prokuroria e EULEX-it kishte lëshuar një informacion se edhe tetë të dyshuar të tjerë janë duke u hetuar në rastin “Medicus” për, siç thuhet në kumtesë, “…trafikimi me qenie njerëzore, lëndimet e rënda trupore, keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit, mashtrimi dhe ushtrimi i ndikimit”.

Sipas kumtesës së atëhershme të EULEX’it , “një prokuror special i EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës ka lëshuar një urdhër për zhvillimin e hetimeve kundër tetë të dyshuarve. Tetë të dyshuarit janë duke u hetuar për veprat penale siç janë krimi i organizuar, trafikimi me qenie njerëzore, lëndimet e rënda trupore, keqpërdorimi i pozitës zyrtare dhe autoritetit, mashtrimi dhe ushtrimi i ndikimit.

Ky hetim i ri ishte i bazuar në hetimet e kryera në rastin Medicus, si dhe në gjetjet tjera gjatë fazës së gjykimit. Të dyja rastet zbuluan dyshimet e bazuara se të dyshuarit kanë vepruar në bashkëkryerje apo kanë ndihmuar në mënyrë të direke apo indirekte pjesëtarët e grupit të krimit të organizuar në kryerjen e veprave të rënda, siç është trafikimi me qenie njerëzore me qëllim të heqjes së organeve.

Por, megjithëse në kumtesën e EULEX-it nuk jepen emra dhe detaje të tjera për hetimet në këtë rast, duket se tetë personat që janë duke u hetuar tashmë e dinë se kush janë ata sepse paraprakisht, gjatë gjykimit gati 5 vjeçar të rastit “Medicus”, këta tetë persona janë hetuar apo janë marrë në pyetje nga Prokuroria Speciale e EULEX-it, si të dyshuar në veprimtarinë kriminale “…trafikim me qenie njerëzore…”.

U përmend se nën hetime mund të jenë edhe profili i lartë politik, kjo pasi që Shaip Muja, që kishte qenë një kohë të gjatë këshilltar për shëndetësi i ish-kryeministrit Hashim Thaçi dhe ai është marrë në pyetje nga prokurorët e EULEX-it gjatë hetimeve në procesin gjyqësor “Medicus”, megjithëse ai kurrë nuk u akuza.

Por, në “Medicus 2” deri tash ka pasur një seancë e cila u mbajt në dhjetor 2013. Rreth tetë muaj prej dënimit të disa të akuzuarve në rastin “Medicus I”, në Prishtinë ishte mbajtur seanca fillestare kundër dy të dyshuarve kryesorë të këtij rasti: Yusuf Sonmezit dhe Mosha Harelit.

Dëshmitarët dhe provat nga gjykimi i rastit të parë tregonin se Sonmez i njohur si “doktor Frankeshtajn”, ka transplantuar veshkat në spitalin Medicus së paku në 30 raste. Sipas provave dhe dëshmive, ishte ai kirurgu kryesor që kryente operimet.

Dëshmitarë të tjerë e të dëmtuar të tjerë, treguan për marrëveshjet që kishin bërë me Moshe Harel dhe persona të tjerë që të shkonin në Kosovë. “Dhuruesit” e veshkave treguan para gjykatësve se Harel ju premtonte paratë në këmbim të veshkës, por shpesh ata nuk i merrnin të gjitha.

Pasi që gjykatësi i EULEX-it Malcolm Simmons hapi seancën konstatoi mungesën e të pandehurve, të cilëve ju kishte caktuar dy mbrojtës sipas detyrës zyrtare, raportonte gazeta JNK.

Gjykatësi i çështjes arsyetoi vendimin e tij për caktimin e seancës fillestare, duke thënë se para pak kohe e kishte pranuar lëndën nga një gjykatës tjetër i EULEX-it.

“E kam parë që aktakuza është ngritur në vitin 2011. Isha i brengosur që shumë pak apo asgjë nuk kishte ndodhur që nga atëherë. Desha ta di se ku qëndrojmë në këtë lëndë sa i përket mundësisë që ndonjëri prej tyre të kapet. Urdhër arresti mbetet në fuqi. Mund të bëjmë shumë pak që ndonjëri apo të gjithë të arrestohen. Pasi të arrestohen, është çështja tjetër që ata të ekstradohen në Kosovë”, kishte përfunduar gjykatësi Simmons.

    Data: 12 Dhjetor 2014 15:55
    Autori:

    Të tjera