Kthehu lart

Hoyt Yee i shkruan Arbana Xharrës: Jemi të shqetësuar për sulmin ndaj jush, SHBA ju mbështet

Hoyt Yee i shkruan Arbana Xharrës: Jemi të shqetësuar për sulmin ndaj jush, SHBA ju mbështet GazetaExpress

Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan i shtetit, Hoyt Yee, përmes një letre drejtuar anëtares së re të PDK’së, Arbana Xharra, ka dënuar dhe është treguar tejet i shqetësuar për sulmin fizik ndaj ish-gazetares, pas aderimit në politikë

“Dëshiroj t'ju shpreh keqardhjen time të thellë për lëndimet që morët gjatë sulmit të tmerrshëm ndaj jush dhe ju dëshirojë shërim të shpejtë”, ka shkruar Yee në letrën e tij për Xharrën. 

“Ne kemi dënuar fuqishëm dhe publikisht sulmin dhe u bëjmë ftesë autoriteteve të Kosovës që të sjellin para drejtësisë ata që ju sulmuan”, thotë letra që e ka publikuar vetë ish-gazetarja në facebook. 

Tutje, Hoyt Yee thotë se SHBA’të do të vazhdojnë ta mbështesin Arbana Xharren, edhe në rrugëtim e saj politik, shkruan Gazeta Express. 

“Këmbëngulja juaj, përkushtimi dhe shërbimi për vendin tuaj, me anë të gazetarisë, ka shfaqur nivelin e lartë të idealizmit të demokracisë. SHBA do të vazhdojë të përkrah punën e guximshme të gazetarëve, liderëve politikë dhe të shoqërive cilivile, ashtu si ju, të cilët janë të përcaktuar të ndërtojnë një të ardhme më të mirë për Kosovën”, ka theksuar Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan në letrën e tij. 

Derisa ka publikuar letrën e marrë nga Yee, Arbana Xharra, në profilin e saj në facebook, ka falënderuar ambasadorin amerikan Greg Delawie dhe gjithë punonjësit e Ambasadës së SHBA’ve në Prishtinë, për siç tha Xharra “kujdesin e veçantë dhe solidarizimin e tyre miqësor”. 

“Duke shprehur konsideratat e mia më të larta për z. Hoyt Yee për letrën personale përkrahëse, dua ta falënderoj edhe Ambasadorin Amerikan z. Delawie, por edhe gjithë stafin e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për kujdesin e veçantë dhe solidarizimin e tyre miqësor.

Mirënjohja ime dhe e familjes sime është e pafund për të gjithë dashamirët e Kosovës mike dhe partnere të komunitetit euroamerikan”, ka shkruar anëtarja e PDK’së, që ka vetëm 10 ditë që ka aderuar në partinë e Kadri Veseli, pas një karriere të bujshme në gazetari. 

“Z. Yee, ju lutem pranoni shprehjen e vlerësimit tim më të lartë, ne jemi të bekuar të kemi një mik tek ju dhe tek populli amerikan”, shkruan ajo në facebook, duke publikuar më poshtë letrën e Zëvendës-ndihmës Sekretari amerikan, Yee. 

Aderimi i Arbana Xharrës në PDK ishte përcjellë me reagime nga më të ndryshmet nga politika dhe shoqëria civile, për të pasuar me sulm fizik ndaj ish-kryeredaktores së një gazete në Kosovë. 

Vetëm një ditë më parë, vetë Xharra në emisionin ‘Komiteti’ të Gazetës Express ka rrëfyer momentin se si ishte rrahur në pritë, në parkingun e ndërtesës ku banon bashkë me familjen e saj, nga dy persona.  /GazetaExpress/. 

Foto: Rudina Hoti (Komiteti - 18 Maj 2017)
    Data: 19 Maj 2017 17:37
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera