Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Avdullah Hoti, në seancën e sotme të Kuvendin, ka kritikuar Qeverinë "Haradinaj" për mbajtjen e ministrave të cilëve u janë ngritur aktakuza
Hoti ka kërkuar që kryeministri Ramush Haradinaj të lirojë nga detyra ministrat që u janë ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale, shkruan Gazeta Express.
“Ne nuk mund të pajtohemi që personat me aktakuzë të jenë në krye të detyrave të tyre. Nuk mund të jenë të paanshëm derisa hetohen”, ka thënë Hoti.
Shefi i GP të LDK-së ka thënë që Haradinaj vazhdoi të ketë në përbërje që nga fillimi ministrin Nenad Rikallo, i cili akuzohej nga disa qytetarë të lagjes "Dardania" se i njëjti i kishte torturuar gjatë luftës.
Tutje, ai ka thënë se tash pjesë e së njëjtës Qeveri po vazhdojnë të mbesin edhe ministra tjerë që u janë ngritur aktakuza nga Prokuroria Speciale.
Sipas Hotit, raporti për Kosovën që publikohet nesër nga Komisioni Evropian e në të do të reflektojnë tentativa për shfuqizimin e Gjykatës Speciale, kidnapimi i gjashtë shtetasve turq, si dhe përbërja e kabinetit nga ministra të akuzuar. /Express/