Hoti akuzon Qeverinë Haradinaj: Përjashtimi nga EQAR, pasojë e shkarkimit të bordit të AKA-së

Shefi i Grupit Parlamentar, Avdullah Hoti, në fjalën e tij gjatë seancës së jashtëzakonshme ka shprehur shqetësimet rreth përjashtimit të Agjencisë së Akreditimit të Kosovës nga Regjistri Evropian i Sigurimit të Cilësisë për Arsimin e Lartë (EQAR)

GazetaExpress

Ai ka thënë se tash pas këtij vendimi të EQAR, kjo ka mbetur vetëm histori. Kjo pasi Kosova ka qenë përfituesja më e madhe e këtij institucioni.

“Menjëherë pas dhjetëvjetorit të pavarësisë, në vend se të kishim njohje dhe anëtarësime të reja në mekanizma ndërkombëtarë më datë 27 shkurt 2017, Agjencia Kosovare e Akreditimit përjashtohet nga regjistri evropian i sigurimit të cilësisë për arsimin e lartë.

Për njoftim të opinionit ky regjistër është entitet i parë ligjor në kuadër të procesit të Bolonjës i përbërë nga shtete anëtare të Bolonjës, ky institucion siguron që agjencitë e akreditimit përmbushin standarde ndërkombëtare të arsimit të lartë”, ka shtuar ai, raporton Express.

Sipas tij, Kosova ka qenë shteti i parë nga rajoni që u bë pjesë e këtij institucioni dhe ka qenë përfituesja më e madhe e donacioneve në arsim të lartë.

“Por kjo tanimë është histori, shkarkimi i bordit në shtator çoi në shkarkimin e AKA-së nga ky institucion. Vendimi ka rezultuar edhe nga komunikimi joadekuat me autoritete vendore”, ka thënë ai.

Sipas Hotit, vendimi i Regjistrit Evropian të Cilësisë merr për bazë shkeljet në procesin e shkarkimit të Bordit dhe propozimin e Bordit të ri.

"E para, sipas nenit 7, pika 1, të Ligjit për Arsimin e Lartë, Agjencia e Akreditimit është e pavarur në hartimin e standardeve të cilësisë. Vendimet e saj nuk duhet të vihen në pikëpyetje nga palët e treta, sepse kjo konsiderohet ndërhyrje në pavarësinë e saj.

Kështu që sipas vendimit të Regjistrit Evropian të Cilësisë, me shkarkimin e Bordit, kjo Agjenci e ka humbur aftësinë e saj për të vepruar në mënyrë autonome.

E dyta, ligji për Arsimin e Lartë, Neni 7, pika 5, thotë: “Nëse më shumë se një e treta e anëtarëve të bordit zëvendësohen për çfarëdo arsye brenda një viti, Ministria duhet t’i raportojë Kuvendit”. Është obligimi ligjor i Ministrit për të raportuar në Kuvend, i cili nuk është përmbushur", ka thënë ai.

Të tjera

Lajmet e fundit