Kthehu lart

Histori e dhimbshme – nëna kërkon çare për vajzën njëjavëshe

Histori e dhimbshme – nëna kërkon çare për vajzën njëjavëshe Gentiana Hasani Autori: Gentiana Hasani GazetaExpress

Qe një javë rresht Klinika e Neonatologjisë në QKUK është bërë vendqëndrimi për Sadbire Krasniqin, 39-vjeçaren nga Prishtina, e cila edhe disa ditë pasi lindi një vajzë nuk mund të largohet nga klinika. E gjithë kjo pasi që vajza e saj e porsalindur Elda, është diagnostifikuar me probleme në zemër, raporton Gazeta Express.

Pasaportën e së bijës po e mban në duar pranë Klinikës së Gjinekologjisë në QKUK. Ilaçi për shërimin e vajzës së 39-vjeçares nga Prishtina nuk mund të gjendet në Kosovë. Operimi për Eldan njëjavëshe duhet të bëhet në njërin nga vendet perëndimore.

Por, familja nuk ka para të mjaftueshme për shërimin e vajzës, e cila ka vetëm një javë që po e shijon këtë botë. I duhen edhe 30 mijë euro për transportin e veçantë i cili do ta bartë Eldën vogël deri në spitalin në të cilin familja do ta dërgojë atë për shërim. Pjesa tjetër e nevojshme, gjithashtu në lartësi prej 30 mijë euro, janë ndarë për shërim nga ana e Ministrisë së Shëndetësisë.

“Lindjen e kam kryer sot një javë, në ora 16:10, normale ka shku. Kam lind vajzë. Emrin e ka Elda Alshiqi. Gjendja jonë ekonomike është e dobët, burri s’më punon, të ardhura nuk kemi kërkah, burri kohë pas kohe punon në ndërtimtari”, thotë për Express nëna lehonë Sadbire Krasniqi.

Për gjendjen e Eldas së vogël ka folur sot gjatë ditës edhe drejtori i Klinikës së Neonatologjisë,  doktor Xhevdet Gojonovci. Ai ka shpjeguar se vajza ka lindur me probleme të zemrës, ndërsa transporti i saj për operacion jashtë Kosovës duhet të bëhet me aparatura të veçanta.

“Foshnja e Sadbire Alshiqit  më datën 5 është pranuar në Klinikën tonë, e cila është diagnostifikuar nga mjekët me probleme me zemër, do të thotë vesilindin e zemrës, që është një problem që nuk mund të trajtohet në Kosovë. Këto foshnje, për shkak se nuk eksiston shërbim shëndetësor që të trajtohen në QKUK, atëherë duhet të trajtohen jashtë vendit. Ne e kemi raportuar si rast urgjent”, përshkruan gjendjen shëndetësore të foshnjës drejtori Xhevdet Gojonovci.

Sipas Gojonovcit, foshnja për momentin gjendet në ventilim mekanik dhe, për shkak të gjendjes së saj, ajo duhet që me transport të veçantë të dërgohet për në vendin ku i është caktuar shërimi.

“Për momentin foshnja është e varur nga aparatura, do të thotë është në ventilim mekanik, dhe nuk lejon që në këtë gjendje të transportohet jashtë vendit. Diagnoza tregon se gjendja e foshnjës në çdo moment mund të përkeqësohet dhe të ndodhë ajo më e keqja. Do të thotë është rast urgjent dhe do urgjent të trajtohet”, deklaroi Gojonovcit për Express.

E shtrënguar, sa nga problemi me foshnjën e porsalindur, aq nga gjendja e pavolitshme materiale, nëna e vajzës njëjavëshe, me lot në sy po u lutet njerëzve të vullnetit të mirë, që ta ndihmojnë për t’i mbledhur 30 mijë euro. Është kjo shuma e nevojshme për t’ia mundësuar Sadbires që ta dërgojë vajzën e saj për shërim jashtë Kosovës.
 “...kush i ka kushtet, kush ka mundësi, kush o prind, që ka fëmijë, kjo është. Ende nuk e kemi gjetur spitalin. Burri po mundohet, familja, që ta gjejnë spitalin. Tash deri sa të vendosin”, bënë lutje për ndihmë 39 vjeçarja nga Prishtina.

Mezi priti ta sjellë në jetë, tash kjo nënë po kërkon çare për vajzen e saj një javëshe

Uploaded by Gazeta Express on 2017-10-12.


Ndërkaq, sipas drejtorit të Klinikës së Neonatologjisë, Xhevdet Gojonovci, ka edhe raste të tjera të fëmijëve që lindin me anomalinë e zemrës. Për të njëjtat, shërimi nuk mund të kryhet në Kosovë.

“Kemi raste, sidomos të problemeve me zemër. Kemi raste të shpeshta që patjetër duhet që të trajtohen jashtë. Është imediate që të formohet një pikë referente që këto foshnja të dërgohen në qendra për trajtimin e tyre”.

Drejtori, thotë se shërbimi kardiokirurgjik për foshnjat është i domosdoshëm që të vendoset në QKUK.

“Do të ishte e domosdoshme që në QKUK të krijohet një shërbim kardiokirurgjik, që të trajtohen foshnjat që lindin me probleme me zemër. MSH, aq sa kemi informata me ambasadën italinane janë duke bashkëpunuar për ta themeluar një shërbim kardiokirurgjik pranë QKU’së”, tregon drejtoi i Klinikës së Neonatologjisë.

Në mungesë së kësaj klinike, qytetarët edhe për një kohë do të duhet që të trokasin në dyert e spitaleve perëndimore për shërim./G.H/GazetaExpress/

    Data: 12 Tetor 2017 17:57
    Autori: Gentiana Hasani

    Të tjera