Kthehu lart

Haskuka do t'i udhëheqë prizrenasit nga Prishtina

Haskuka do t'i udhëheqë prizrenasit nga Prishtina GazetaExpress

Mytaher Haskuka nuk do të kthehet për të jetuar në Prizren, nëse konfirmohet kryetar i këtij qyteti. Ai ka thënë se ka shtëpi atje, duke potencuar se do të kalojë kohë edhe në Prizren, por nuk do ta lërë Prishtinën për shkak të bashkëshortes.

Kandidati i Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Prizrenit, Mytaher Haskuka, ka marrë më shumë vota se kundërkandidati i tij nga Partia Demokratike e Kosovës, Shaqir Totaj, në balotazhin e zgjedhjeve lokale, sipas rezultateve paraprake, të nxjerra në ueb-sajtin e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Megjithatë, votat me kusht dhe ato nga diaspora ende nuk janë numëruar - duke lënë të hapur mundësinë e përmbysjes së rezultatit.

Në një paraqitje televizive në orët e vona të së hënës, ai është pyetur nëse do të zhvendoset përfundimisht në Prizren nga Prishtina, nëse konfirmohet fitues i zgjedhjeve.

"Do të më duhet një kohë, afatshkurtër, për të rregulluar gjërat. Shoqja ime punon këtu, por është edhe në një projekt në Shkup. Pak është problem në aspektin e transportit", ka thënë Haskuka në "Interaktiv" të KTV'së.

"Nuk mund të kërkoj nga ajo që të lërë gjithë karrierën e saj në arkitekturë për shkak të meje", është shprehur ai.

"Në Prizren kam shtëpinë, me prindër jetojmë. Faktikisht jam në mes të dy qyteteve, por shumicën e kohës do të jem në Prizren", ka thënë Haskuka. /Express/

    Data: 21 Nentor 2017 00:07
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera