Kthehu lart

Gruaja e Erion Velisë përfaqësuese e rumunit që merret me prostitucion dhe shpëlarje të parave (Dokumente)

Gruaja e Erion Velisë përfaqësuese e rumunit që merret me prostitucion dhe shpëlarje të parave (Dokumente) GazetaExpress E mërkurë, 03 Qershor 2015 17:37

Ajola Xoxa është një nga përfaqësueset ligjore me të drejta të plota e kompanisë "Xhoi Co21 sha", me administrator dhe pronar Amiran Dzanashvilin, (i arrestuar së fundmi për prostitucion në Rumani) dhe i hetuar në Shqipëri për pastrim parash dhe evazion fiskal.

Në autorizimin e botuar nga lapsi.al, Ajola Xoxa dhe tre juristë të tjerë janë ngarkuar nga Dzanashvili për të kryer veprime në emër të kompanisë Xhoi Co21, përfshi edhe ato pranë QKR për kalimin e aksioneve të kësaj shoqërie nga shtetasit Ervin Canollari dhe Mark Frroku në favor të shtetasit gjeorgjiano- izraelit Amiran Dzanshavilit dhe izraelitit tjetër, Ofer Nimrodi.

Ky autorizim normal ligjor, nuk do të përbënte ndonjë rast të veçantë nëse prokuroria shqiptare nuk do të kishte dyshime të forta, për të cilat është edhe duke hetuar, se në skemën e shit- blejrjes së aksioneve të kompanisë së lojrave të fatit Xhoi Co21, fshihet një aferë kriminale e pastrimit të parave.

Në dosjen e prokurorëve është edhe kjo shkresë e Dzanashvilit, i cili më 24 prill 2013 autorizon juristët shqiptarë të bëjnë veprimet për ndryshimet e pronësisë në këtë kompani. Disa nga këta juristë kanë nënshkruar edhe kontratat (si përfaqësues ligjorë) të shit- blerjes së aksioneve në emër të shtetasve izraelitë.

Por përpara kësaj shkrese, prokurorisë i rezulton se Dzanashvili kishte bërë një kontratë për të blerë 50 përqind të aksioneve të Xhoi në 13 dhjetor 2012, në shumën 2 milion euro. Këto aksione iu blenë shtetasit Ervin Canollari, dhe Dzanashvili u bë kështu aksioner me Mark Frrokun, i cili kishte 50 përqind të tjera të shoqërisë. Po në këtë datë, asambleja e aksionerëve caktoi Amiran Dzanashvilin si administrator të shoqërisë.

Me këtë funksion, pra atë të administratorit, Dzanashvili ka autorizuar, më 24 prill 2013, katër juristët shqiptarë, që të bëjnë veprimet e tjera që thuhen në autorizim. Por këto veprime flasin për një tjetër shit- blerje aksionesh përsëri nga Canollari tek Dzanashvili, ndërkohë që Canollari nuk do të duhej të zotëronte më aksione pasi i kishte shitur ato katër muaj më parë në vlerën e 2 milion eurove. Ndoshta kontrata e dhjetorit mund të jetë anulluar (megjithatë Dzanashvili mbetet administrator?!) dhe një tjetër shitje ka ndodhur. Kështu, sipas kontratave që tashmë janë në duart e hetuesve, më 25 prill 2013 (një ditë pas autorizimit) Canollari i ka shitur Dzanashvilit 35 përqind të aksioneve për 300 mijë euro, ndërsa 15 përqind të tjera ia ka shitur shtetasit tjetër izraelit Ofer Nimrodi për 1 milion e 800 mijë euro. Pra brenda të njëjtës datë, 35 përqind shiten për 300 mijë dhe 15 përqind për 1.800.000.

Dhe këtu, prokurorët kanë ngritur dyshime të forta dhe pritet të marrin në pyetje edhe juristët shqiptarë që përfaqësojnë interesat e Dzanashvilit këtu, mes tyre edhe Ajola Xoxa. Ata pritet të pyeten edhe për faktin se vetëm pas një muaji nga ky transaksion, më 20 maj 2013, Dzanashvili i bleu aksionerit Mark Frroku 20 përqind të aksioneve në një vlerë të çuditshme, vetëm 8 milion lekë ose afërsisht 60 mijë euro. Dhe në 28 gusht (tre muaj më pas) shtetasi izraelit Ofer Nimrodi i shiti aksionet e tij prej 15 përqind kompanisë izraelite Great Chance Tch Ltd në vlerën 1 milion e 800 mijë euro, po aq sa i kishte blerë nga Canollari.

A është e mundur një luhatje e tillë vlerash? Pse po bëheshin gjithë këto lëvizje në harkun kohor të disa muajve? Cili ishte roli i juristëve shqiptarë në këto transaksione? Ishin thjesht përfaqësues ligjorë apo diçka më shumë? Këto pyetje do t'i kenë bërë edhe prokurorët kur kanë konstatuar se historia e Xhoi-it nuk mbaron në gusht. Atë kohë Mark Frroku ishte zgjedhur deputet dhe në shkurt 2014 ai i shet 30 përqind të aksioneve që i kishin mbetur tek Dzanashvili për plot 1 milion e 400 mijë euro. Tetë muaj më parë ai i kishte shitur 20 përqind të aksioneve për 60 mijë euro dhe në këtë hark kohor vlera e aksioneve të tjera u 20 fishua.

Një histori e pabesueshme edhe për ata që kanë tashmë në duar dosjen e Xhoi Co21, një nga dosjet e shumta që e lidhin Amiran Dzanshvilin, milionerin misterioz, në afera të dyshimta me biznesmenë e politikanë shqiptarë. Për to, pritet të merren në pyetje nga prokuroria e Tiranës të gjithë personat që kanë patur dijeni për transaksionet e kryera, përfshi këtu edhe Ajola Xoxën, bashkëshorten e kandidatit socialist për bashkinë e Tiranës, Erjon Veliaj.

Ndërkohë, burime nga prokuroria thonë se çështja e Amiran Dzanashvilit pritet të nxjerrë në sipërfaqe edhe skandale të tjera që prekin personazhe të njohura nga bota e biznesit, politikës dhe medias. /lapsi.al

    Data: 03 Qershor 2015 17:37
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera