Kthehu lart

Gjykata: 18 vite burgim për vrasjen në pritë të Ferdinand Gjinit

Gjykata: 18 vite burgim për vrasjen në pritë të Ferdinand Gjinit GazetaExpress

18 vite burgim ka shqiptar Gjykata Themelore e Pejës për 40 vjeçarin nga Gjakova, Gjon Pnishi, për vrasjen me paramendim dhe në pritë të Ferdinand Gjinit dhe për armëmbajtje pa leje  

Dy vite pas vrasjes së Ferdinad Gjinit, Gjykata e Pejës ka dënuar me burgim personin që shtiu me automatik në veturën e 38 vjeçarit, duke e lënë të vdekur. Vrasja kishte ndodhur mëngjesin e 23 qershorit 2014, tek ura që lidh fshatin Llukë me atë Prapaqan të Deçanit. 

Gjykata Themelore e Pejës, të hënën në mesditë, ka dënuar Gjon Pnishin për këtë vrasje. Ai u shpall fajtor dhe u dënua me 17 vite burgim për vrasje të rëndë, ndërsa dy vite të tjera për armëmbajtje dhe shfrytëzim pa autorizim të saj. Gjithsej, gjykata dënim unik llogariti 18 vite për vrasësin 40 vjeçar. 

Sipas Gjykatës, Gjon Pnishi nga fshati Nec i Gjakovës u gjet fajtor për vrasjen me paramendim dhe në mënyrë dinake të Ferdinand Gjinit, po ashtu nga Gjakova, të kryer dy vite më parë, shkruan Gazeta Express.

Vetura e këtij të fundit, ‘Pasat’, më 23 qershor 2014, u qëllua me një breshëri plumbash të një arme automatike, derisa ai ishte në lëvizje në fshatin Llukë të Deçanit. Dhe, sipas verdiktit të gjykatës, personi që shtiu me këtë armën që s’u gjet kurrë, ishte shoqëruesi i viktimës në muajt e fundit para vrasjes, Gjon Pnishi. 

Në ditën kritike, gjykata beson se Ferdinand Gjini dhe Gjon Pnishi, rreth orës 08:40 të mëngjesit, ishin nisur me vetura të ndara për në Deçan, ku do t’i takonin disa persona, të cilët viktimës do t’ia huazonin disa të holla borxh, pasi ai kishte telashe me fajde. Kështu, Gjini që lëvizte me veturë ‘Pasat’, te një urë në fshatin Llukë të Deçanit, u ndal nga një person që shtiu në drejtim të tij 16 herë me kallash, për ta lënë të vdekur. Dy vite pas, Prokuroria Themelore në Pejë i ofroi mjaftueshëm prova Gjykatës, se atentatori i atij mëngjesi ishte Gjon Pnishi, të cilit i ishte ngritur aktakuza 19.08.2016. 

“I akuzuari Gj. P. shqiptar, shtetas i Republikës së Kosovës, me datë 23.06.2014 rreth orës 08:40 në fsh. Llukë dhe Prapaqan – K. Deçan me pare ka siguruar dhe gjere ne ditën kritike pa autorizim ka mbajtur arme dhe municion dhe atë një pushke automatike e me te cilin arme, ne ditën kritike me dashje dhe ne mënyre dinake e ka privuar nga jeta tani te ndjerin F. Gj. me c'rast ka kryer veprën penale te vrasjes se rende dhe veprën penale mbajtje ne pronësi, kontroll apo posedim te paautorizuar te armeve”, thuhet në aktgjykim që u dha të hënën në Pejë, në objektin e Gjykatës Themelore të mbushur me forca të shtuara policore e familjarë të të dy palëve. 

“Te akuzuarit masa e paraburgimit I vazhdohet deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit, por jo më shumë se dënimi i shqiptuar. Palët  kanë të drejtën e ankimimit kundër këtij Aktgjykimi në Gjykatën e Apelit”, përfundon aktgjykimi. 

Javën e kaluar, në të njëjtën sallë, para të njëjtit trup gjykues, i dënuar Gjon Pnishi, u pat deklaruar i pafajshëm në fjalën e tij përfundimtare, dhe të mbrojtjes. 

 “Betohem në Zot se as s’e kam vra, e as se kam pa kan duke e vrarë”, pati thënë Pnishi, mërkurën që shkoi, në Gjykatë, duke e kthyer kokën nga familjarët e viktimës që ishin në sallë. 

Në veturën ‘Pasat’, të zhbiruar nga plumbat e kallashit, të viktimës Ferdind Gjini, hetuesia, në ditën kur ndodhi vrasja, kishte gjetur edhe një telefon të të vrarit. Në të u gjetën mesazhe dhe thirrje telefonike të viktimës me të dyshuarin Gjon Pnishi, pikërisht në ditën kritike dhe para nisjes për në Deçan. Këta SMS dhe pamje të celularit i kishte siguruar dhe publikuar edhe Gazeta Express, javën e kaluar. /M.Gj./GazetaExpress/. 

    Data: 27 Qershor 2016 16:28
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera