Kthehu lart

Gjimnazistet ia zbardhin fytyrën Kosovës në Amerikë, zënë vendin e dytë në olimpiadën e diturisë (Foto)

Gjimnazistet ia zbardhin fytyrën Kosovës në Amerikë, zënë vendin e dytë në olimpiadën e diturisë (Foto) GazetaExpress E hënë, 19 Qershor 2017 21:45

Një grup gjimnazistesh nga Kosova ka arritur të zërë vendin e dytë në një garë të diturisë, që është mbajtur në Osuego, në shtetin e Nju-Jorkut, ditë më parë. Vajzat kosovare kanë marrë medalje argjendi në Olimpiadën Ndërkombëtare "GENIUS 2017", në fushën e projekteve mjedisore për energji të qëndrueshme. Ato kanë konkurruar kundër 1700 nxënësve nga 73 shtete të botës.

Suksesin e nxënëseve kosovare, që vijojnë mësimet në gjimnazin "Hasan Nahi" në Prishtinë, e ka përshëndetur edhe ambasadorja e Kosovës në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Vlora Çitaku, e cila i ka pritur ato në ambasadën e Kosovës në Uashington. 

Ajo ka thënë se suksesi i gjimnazisteve kosovare në garën ndërkombëtare të diturisë është "një dëshmi më shumë se vajzat tona dhe rinia jonë nuk njohin kufi, dhe se kureshtja dhe etja e tyre për dituri do ta çojë vendin tonë përpara".

"T'i dëgjosh ato duke folur për ëndrrat e tyre për të studiuar për inxhinieri gjenetike, kimi, inxhinieri dhe fizikë është dëshmi se e ardhmja jonë është e ndritur", është shprehur ambasadorja Çitaku.

Blerona Zulfaj, Kaltrina Hyseni, Çlirimtare Ramadani, Ema Halimi, Emira Jetishi, Elena Hyseni dhe Zana Shehu janë shtatë shkencëtaret e reja kosovare që kanë marrë medalje argjendi në Olimpiadën Ndërkombëtare “GENIUS 2017”, në fushën e projekteve mjedisore për energji të qëndrueshme. Ato janë shoqëruar në SHBA nga profesoresha Eriona Basha.

Në saje të rezultateve të vlerësuara nga kjo garë, gjimnazistet kosovare kanë fituar edhe bursa nga "Oswego State University of New York". Ato fituan të drejtën e bursës për shkollimin në këtë institucion, falë medaljes së argjendtë me projektet inovative shkencore. 


Blerona Zulfaj dhe Kaltrina Hyseni fituan medalje argjendi dhe bursë 48 000 dollarë për 4 vite të drejtën e shkollimit në "Oswego State University of New York". Projekti i tyre: "Jo më ndryshk, jo më vegla punë të vjetra". Përmbajtja: kanë përdorur hi të termocentraleve, hi të lëvozhgës së arrës së kokosit, dy minerale shumë ekonomike (zeolit dhe bims), duke i përzier me zift. Kjo mënyrë është efektive për heqjen e ndryshkut, si dhe ekonomike.

Çlirimtare Ramadani dhe Ema Halimi fituan certefikatë nderi për arritje dhe bursë 36 000 dollarë për 4 vite të drejtën e shkollimit në "Oswego State University of New York". Projekti: "Një mënyre inovative për të parandaluar radiacionin". Përdorimi i rrjetave metalike me mortar për të bërë ndërtesat më të forta dhe njëkohësisht më të qëndrueshme ndaj termeteve.

Emira Jetishi dhe Elena Hyseni fituan certefikatë nderi për arritje dhe bursë 36 000 dollarë për 4 vite të drejtën e shkollimit në "Oswego State University of New York". Projekti: "Eko-beton / rritja e performancës duke i përdorur mbetjet industriale". Janë përdorur mbetje industriale si hiri i cili del nga termocentralet e obiliqit dhe mbetjet e plastikës në mënyrë që të pastrohet ambienti dhe të krijohet një material të ri në fushën e inxhinierisë së ndërtimit, një eko-bllok.

Zana Shehu mori certifikatë nderi për arritje dhe po ashtu 36.000 dollarë bursë për katër vite shkollimi te i njëjti universitet. Projekti: "Mallrat e konsumit dhe qëndrueshmëria e plehut natyral. Prodhimi i plehrave natural duke përdorur mbetjet e mbeturinave si: kërcelli i lulediellit.


    Data: 19 Qershor 2017 21:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera