Kthehu lart

​Gjermani që u mashtrua nga dy kosovarë të cilët ia morën mbi gjysmë milionë euro, kërkon paratë (Video)

​Gjermani që u mashtrua nga dy kosovarë të cilët ia morën mbi gjysmë milionë euro, kërkon paratë (Video) GazetaExpress

Shtetasi gjerman, Wellner Kohler, po vazhdon të sillet nëpër Kosovë, në kërkim të mbi gjysmë milioni euro.

Para se të vinte vetë këtu, ai i kishte nisur paratë e tij me shpresën se kamata për to në bankat e Kosovës do të jetë më e lartë, raporton KTV.

Por 550 mijë euro që i nisi për afatizim i humbën sapo ua dorëzoi dy kosovarëve, Bekim Hamzës dhe Enver Shalës.

“Për shkak të kamatës së volitshme, Bekim Hamza më ka treguar se është 6 për qind fitimi vjetor në Kosovë dhe më tha se një afërm i tij është konsull në Stuttgart me emrin Enver Dahiri, i cili mund të ndihmojë që t’i sjellim paratë në Kosovë”, thotë për KTV Wellner Kohler.

Kohler, i cili Bekim Hamzën e njihte prej 20 vjetësh, u mashtrua keq, pasi i besoi atij duke ia lënë në dorë paratë. Shumë shpejt e kuptoi se personi Enver Dahiri nuk ishte konsull i Kosovës në Shtutgard dhe se emri i tij i vërtetë ishte Enver Shala.

Enver Shala tentoi ta shantazhojë, duke i kërkuar një pjesë të parave.

“Ai më tha se emri i tij i saktë është Enver Shala dhe deshi të më shantazhojë. Më tha që paratë nuk janë në NLB Bankë dhe më pyeti sa para je i gatshëm të japësh që t’i kthejë paratë tua. Unë menjëherë kam thirrur policinë dhe kam raportuar gjithçka”, thotë Kohler.

Kohler po vazhdon të kërkojë paratë e veta në Kosovë, i bindur se i ka këtu.

“Ata kanë menduar se unë nuk do t’i denoncoj, se nuk guxoj, por këtu s’po flasim për para të kundërligjshme, por për përfitimet e mia. Në këtë nuk kanë llogaritur ata. Si ka mundësi që ai ndërtoi një shtëpi çfarë e ka ai, një e tillë në Gjermani kushton miliona euro", thotë Kohler.

Për këtë ai ka paditur Hamzën, ndaj të cilit Prokuroria Themelore në Prishtinë ngriti aktakuzë, por pas 48 orë mbajtje në arrest, ai u lirua.

Por Hamzën dhe Enver Shalën fajtorë i shpalli gjykata gjermane, e cila detyroi kosovarët që t’ia kthejnë paratë gjermanit, por kjo nuk ndodhi asnjëherë.

Gazeta Koha Ditore ka arritur të kontaktojë Hamzën dhe Shalën, të cilët fajësojnë njëri-tjetrin për mashtrim, duke mohuar t’i kenë paratë e Wellnerit.

Ky rast ka ndodhur në Gjermani dhe vetëm atje duhet të kërkohet drejtësia, i ka thënë Kohës Ditore Bekim Hamza.

Por gjithsesi në shtator pritet të nisë procesi gjyqësor kundër tyre, pasi ata edhe e kanë kërcënuar shtetasin gjerman.


Ne kerkim te parave by GazetaExpressTV
    Data: 24 Gusht 2015 19:46
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera