Kthehu lart

Familja që u godit nga fruthi: Humbën një foshnjë, zëvendësministri pagoi për ilaçet

Familja që u godit nga fruthi: Humbën një foshnjë, zëvendësministri pagoi për ilaçet Gentiana Hasani Autori: Gentiana Hasani GazetaExpress

Para dy ditësh Sabile Kastrati nga Fushë Kosova kishte sjellë në Klinikën Infektive pesë fëmijët e saj të prekur me epideminë e fruthit. Të njëjtët u janë nënshtruar terapive në këtë klinikë. Por foshnja 15-muajshe e zonjës Kastrati, nuk arriti që t’i mbijetojë sëmundjes. Familjarët sot në orët e pasdites e kanë kryer ceremoninë mortore, ndërkohë që nga po e njëjta familje janë edhe tre fëmijë të tjerë që po mjekohen. Familja detyrohet që vetë t’i blejë ilaçet në mungesë të barnave në këtë Klinikë. Paratë për blerjen e terapive sot gjatë ditës ua ka dhënë zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushteti Lokal Bashkim Krasniqi, raporton Gazeta Express.

Klinika Infektive në QKUK nuk ka barna të mjaftueshme për ta luftuar epideminë e fruthit. Dhjetëra fëmijë, shumica nga ta të komunitetit RAE, janë duke marrë trajtim në këtë Klinikë.Ndërsa shumicën e barnave detyrohen që t’i blejnë ata vet

Para për furnizimin me ilaçe sot gjatë ditës ka dhënë zëvendësministri në Ministrinë e Administrimit të Pushteti Lokal Bashkim Krasniqi, i cili është pjesë e komunitetit RAE. Ai në një deklaratë për Gazetën Express, ka thënë se nga drejtuesit e Klinikës Infektive është njoftuar se kjo klinikë ka mungesë të barnave, dhe nuk kanë terapi për mjekimin e fruthit.


Krasniqi, thotë se mosvaksinimi me kohë me vaksina kundër fruthit ka ndikuar që të rritet numri i fëmijëve të këtij komuniteti të cilët po kërkojnë ndihmë për tejkalimin e epidemisë.

“Unë sot nëmëngjes, jam këtu (në Infektive), duke i vizituar pjesëtarët e komunitetit tonë që e kanë epideminë e fruthit. Ka shumë familje që po kërkojnë shërim. Me para të buxhetit tim personal po u blej barna të shtrirëve në këtë klinikë. Pata takim me drejtorin dhe aj më tha që po ka mungesë të barnave”, tha Krasniqi të mërkurën për Express.
“Veç po rritet numri i familjeve që po vijnë”, thotë Krasniqi. 

Ai u bën thirrje zyrtarëve të Ministrisë së Shëndetësisë që ta ndihmojnë më shumë këtë komunitet.


Por, ndryshe është shprehur drejtori i Klinikës Infektive Hamdi Ramadani. Ai të martën për Express ka deklaruar se klinika që ai udhëheq është e furnizuar me barnat e nevojshme për kurimin e kësaj epidemie.

“E kemi edhe terapinë për këtë sëmundje, sepse ju e dini që kjo sëmundje është virusale, që nënkupton kryesisht një terapi antitiletike. I kemi antibiotikët që i japim”, tha Ramadani.

Ndërkohë, vetëm gjatë ditës së mërkurë, më shumë se 15 fëmijë të komunitetit RAE kanë kërkuar ndihmë si pasojë e prekjes nga epidemia e fruthit. 


Janë rreth 100 pacientë të cilët po kurohen në Infektive, nga ta një në gjendje më të rëndë shëndetësore.

Në një prononcim për Gazetën Express, drejtori i Klinikës Infektive në QKUK Hamdi Ramadani ka deklaruar se rastet e para të të prekurve nga kjo sëmundje kanë qenë në muajin qershor të këtij viti. Për katër muaj vetëm në këtë klinikë kanë kërkuar kurim më shumë se 100 persona. Numri i tyre në nivel vendi është shumë më i madh.
Ramadani tregon se pacientët kryesisht janë nga Fushë Kosova dhe Lipjani, ndërsa mosha mesatare e të prekurve është 7-vjeç.

“Grupi e moshave është kryesisht ai fëmijëror. Vendet më të prekura janë nga Fushë Kosova, Suhareka, e nga Lipjani,. Grup-mosha më e sulmuar është edhe ajo 7-vjeçe. Mirëpo ne kemi edhe një të sëmurë 40-vjeç, një femër 37-vjeçe, si dhe një pacient tjetër që po kurohet në intensive, e që i ka 37 vjet. Pacientët me fruth, kryesisht janë persona të pavaksinuar”, tregoi për Gazetën Express drejtori i Klinikës Infektive./GazetaExpress/

    Data: 11 Tetor 2017 18:34
    Autori: Gentiana Hasani

    Të tjera