Kthehu lart

Ende po emërohen zëvendësministra në Qeverinë Haradinaj, pritet të jenë rreth 50

Ende po emërohen zëvendësministra në Qeverinë Haradinaj, pritet të jenë rreth 50 GazetaExpress

Qeveria e Ramush Haradinajt, e përbërë prej 21 ministrave, ka emëruar edhe disa prej zëvendësministrave, numri i përgjithshëm i të cilëve pritet të arrijë deri në rreth 50. Nga PDK’ja, janë emëruar katër zv.ministra, ndër ta edhe Agim Çeku. Gjithashtu. edhe AKR dhe AAK kanë dërguar një pjesë të emrave të zv.ministrave për emërim, raporton Gazeta Express.

Gazeta Express dje ka publikuar vendimin e Hardinajt për emërimin e katër zëvendësministrave nga Partia Demokratike e Kosovës. Agim Çeku do të jetë zëvendësministër në Ministrinë e Forcës së Sigurisë, të cilën dikur e kishte udhëhequr vetë, e që tani drejtohet nga Rrustem Berisha.

Mustafa Grainca do të jetë njeriu i dytë në Ministrinë e Financave, e udhëhequr nga Bedri Hamza, ndërsa Izmi Zeka në Ministrinë e Punëve të Brendshme, në krye të së cilës është Flamur Sefaj.

Halil Matoshi, drejtor për Informim në Zyrën e Kryeministrit, për Gazetën Express deklaroi se procesi i dërgimit të emrave nga partitë e koalicionit qeverisës për zëvendësministra nuk ka përfunduar akoma.

Lidhur me numrin e zv.minsitrave që i takojnë secilës parti në Qeveri, Matoshi thotë se “partitë politike do të kenë zëvendësministra konform fuqisë së tyre politike në Kuvendin e Kosovës”.

Mirëpo, numri i ministrive dhe i ministrave që i takojnë Aleancës Kosova e Re nuk përshtatet me fuqinë politike të kësaj partie në Kuvend. Partisë së Behgjet Pacollit me tre deputetë i takojnë katër ministra dhe tetë zv.ministra.

Nënkryetari i AKR’së Fatmir Matoshi, për Gazetën Express, ka thënë se katër nga tetë zv.ministrat partia e tij ia ka dërguar Zyrës së Kryeministrit.

Arbër Geci do të jetë zv.ministër i Arsimit, Vesel Makolli i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Fatmir Matoshi i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor dhe Rejhan Vuniqi zv.ministre e Jashtme.

Kryeministri Haradinaj, ndërkaq, ka emëruar edhe pesë zv.ministra nga partia e tij, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Muharrem Nitaj do të jetë zv.ministër i Arsimit, dikaster ky të cilin e udhëheq Shyqyri Bytyqi i Nismës, Magbule Shkodra do të jetë zv. ministre e Zhvillimit Rajonal, Brahim Mehmetaj i FSK’së, Ali Berisha i Shëndetësisë, ndërsa Lulëzim Leci i Punës dhe Mirëqenies Sociale.

Nisma e Fatmir Limajt deri më tani ka emëruar vetëm një zv. ministër.

“Deri më tani Nisma ka emëruar vetëm një zv.ministër. Vesel Krasniqin në Ministrinë e Bujqësisë”, ka thënë për Gazetën Express, shefi i Grupit Parlamentar të Nismës Billall Sherifi.

Pjesa tjetër e zv.ministrave nuk janë emëruar akoma, ndërsa pritet që numri i zëvendësministrave në  Qeverinë Haradinaj të jetë rreth 50. Qeveria e kaluar, e drejtuar nga Isa Mustafa, numëronte rreth 70 zëvendësministra. /Express/

    Temat:
    Data: 12 Tetor 2017 17:59
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera