Kthehu lart

Ekskluzive: Këto janë dëshmitë që provojnë se sulmi ndaj Kuvendit u organizua nga Vetëvendosje (Foto)

Ekskluzive: Këto janë dëshmitë që provojnë se sulmi ndaj Kuvendit u organizua nga Vetëvendosje (Foto) Në foto: Blerja e numrit dhe kredisë në qendrën tregtare Bleta Gashi Autori: Bleta Gashi GazetaExpress

Autoritetet kosovare duket se kanë prova të mjaftueshme për të dëshmuar se sulmi me mortajë ndaj Kuvendit të Kosovës, është kryer dhe organizuar nga Lëvizja Vetëvendosje. Gazeta Express ka siguruar dosjen, në të cilën detajisht përshkruhet se si gjashtë aktivistët e Vetëvendosjes, përfshirë edhe zëdhënësin Frashër Krasniqin, e realizuan këtë sulm – të cilësuar si terrorist. Më pas atë ia atribuuan “Rugovasve” nëpërmjet një e –maili fiktiv.  Lexojini detajet, vetëm në Gazetën Express. 

Prishtinasit, Atdhe Arifi, Egzon Haliti dhe Astrit Dehari, me 17 korrik, mes orës 18:00 deri 19:30 në parkingun e një qendre tregtare në Prishtinë kishin bërë pazar një motoçikletë të cilin e kishin shënjestruar përmes një portali shitjesh online. 18 ditë më pas, motoçikletës së njëjtë me ngjyrë të kuqe, iu vu flaka në një rrugicë të lagjes ‘Taukbashqe" të kryeqytetit. Këtë veprim, dyshohet se e kryen vet pronarët e rinj të motoçikletës, tek pasi dy prej tyre kishin kryer një sulm që Policia dhe Prokuroria po e quajnë terrorist. 

Pamje të nxjerra nga dosja e hetuesisë të momentit kur tre të dyshuarit blenë motoçikletën
Pamje të nxjerra nga dosja e hetuesisë të momentit kur tre të dyshuarit blenë motoçikletën

Objekti i Kuvendit të Kosovës, që ndodhët në qendër të kryeqytetit, natën e 4 Gushtit ishte sulmuar me një granatë hedhës, nga dy persona që deri para pak ditësh ishin të panjohur për autoritetet kosovare. Por, pa u mbushur një muaj, ato zbuluan se sulmin e kryen dhe organizuan 6 aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje – 3 prej tyre ishin blerësit e motoçikletës dhe 3 të tjerë, përfshirë zëdhënësin e kësaj organizate politike, Frashër Krasniqi dhe mbesën e kryetarit Ymeri, Adea Batusha. 

Mjeti shpërthyes me të cilin u sulmua Kuvendi i Kosovës

Gjashtë të dyshuarit, mëngjesin e 30 gushtit ranë në duart e Policisë së Kosovës, pas bastisjeve që u kryen në shtëpitë e tyre, ku u gjeten edhe një arsenal armësh të ndryshme automatike – përgjegjësinë për të cilat e morën prindërit e tyre.

Deri te arrestimi i tyre erdhi pasi Atdhe Arifin, Egzon Halitin dhe Astrit Deharin i kishin tradhtuar kamerat e sigurisë të qendrës tregtare, ditën kur ata blenë motoçikletën me të cilën u krye sulmi. Njëjtë sikurse i tradhtoi pyetja e tyre në qendrën e thirrjeve të njërës telefoni mobile për identifikimin e numrit të tyre, pasi e kishin blerë në mënyrë ambulante dhe e kishin mbushur me kredi në të njëjtën qendër tregtare. 

Këtë kredi, 3 të rinjtë e kishin shfrytëzuar për ta kontaktuar pronarin e motoçikletës. Ky i fundit, dy prej sulmuesve, pak ditë pas sulmit, i kishte identifikuar para hetuesisë.

Blerja e numrit dhe kredisë në qendrën tregtare

Motoçikleta e njëjtë, ngjyrë e kuqe, me 4 Gusht, rreth orës 22:30 nga kamerat e sigurisë u pa tek kalonte rrugën pranë stacionit të autobusëve në Prishtinë, për të vazhduar më pas deri tek Lagja e Spitalit ku ngasësi i saj qëndroi për 10 minuta, për t’iu bashkuar edhe një person i dytë, që bashkë me të, me motoçikletë kishin vazhduar deri tek parkingu përballë Kuvendit të Kosovës – nga ku u sulmua objekti i legjislativit me një raketahedhës dore. Sulmi ndodhi rreth orës 23:15 të asaj nate.

Lajmet e fundit në Gazeta Express

Pas sulmit, që Policia nuk saktëson ende për publikun se cilët nga 3 të rinjtë e kanë kryer, dy sulmuesit me motoçikletën e kuqe u larguan nga parkingu nga ku u shkrep granata që dëmtoi vetëm materialisht Kuvendin, deri në lagjen ‘Taukbashqe’, ku në një rrugicë ia vunë flaken me benzinë. 

Pronësinë e motoçikletës e ka pranuar vet Atdhe Arifi para Gjykatës Themelore të Prishtinës – ditën kur atij iu caktua masa prej 30 ditësh paraburgim bashkë me Astrit Deharin dhe Egzon Halitin. Por, ai deklaroi të mos jetë në dijeni çka ka ndodhur me motorin e tij në momentin e gjuajtjes së granatës. Ai kishte thënë se këtë motor e kishte blerë për 550 euro.

Motoçikleta e djegur pas sulmit në Kuvend

Krejt këto pohime përmendën në kallëzimin penal dhe raportin e hetuesisë mbi bazë të së cilës u kryen edhe arrestimet e 6 personave, me urdhër të Prokurorisë së Shtetit, ndaj 6 aktivistëve të VV’së të dyshuar për terrorizëm. 

Në të njëjtin raport, që e ka siguruar Gazeta Express, dhe për shkak të konfidencialitetit nuk e publikon të plotë, ofrohen edhe dëshmi me video kamera, fotografi, deklarata të dëshmitarëve, përgjime telefonike e ekzaminime kibernetike sesi një ditë pas sulmit, aktivistja e VV’së, Adea Batusha – njëherit mbesë e Kryetarit Visar Ymeri, dhe zyrtari për Informim i kësaj lëvizje, Frashër Krasniqi, përmes një emaili të dërguar mediave mashtruan opinionin publik dhe morën përgjegjësinë për sulmin në emër të ‘Rugovasëve’ – emër që lidhej me kundërshtarët e marrëveshjes së Demarkacionit të Kosovës me Malin e Zi, e që pretendohet se prek tokat e Bjeshkëve të Rugovës. 

Në dokument thuhet se e -mail adresa 'rugovasit12(at)gmail(dot).com' ishte krijuar pesë ditë para sulmit, por që u përdor vetëm me datë 05.08.2016 për të pranuar sulmin si ‘Rugovasit’ dhe për të kërcënuar edhe për sulme tjera në të ardhmen, në rast se kërkesat e tyre nuk plotësohet nga drejtuesit e shtetit. 

E-maili u shkrua përmes një telefoni të mençur, i cili u ble nga Adea Batusha në sheshin kryesor të Prishtinës me datë 5 Gusht tek shitësit ambulant të telefonave, veprim të cilin policia e dëshmon me fotografi dhe video nga kamerat e sigurisë së një lokali, një ditë pas sulmit, dhe ishte përdorur vetëm sa për ta dërguar mesazhin tek mediat.  

Momenti kur Adea Batusha bleu telefonin nga një shitës ambulant, i kapur nga kamerat e sigurisë të një lokali në shesh

Adean, policisë ia kishte identifikuar edhe vetë shitësi ambulant i telefonave, me të cilin kishte biseduar për pak minuta para se të kryente blerjen. 

Sipas raportit, Batusha më pas kishte vazhduar me taksi deri tek Rruga B, nga ku dyshohet është dërguar e-maili për pranimin e përgjegjësisë.

Raporti thotë se autoritetet kosovare kanë bashkëpunuar edhe me kompaninë “Google” si pronare e ‘GMAIL’, të cilët kishin detektuar se mesazhi u dërgua nga po i njëjti telefon i blerë në shesh, dhe nga IP adresa që ndodhët në rrugën B të kryeqytetit, e që më pas u lokalizua të jetë nga banesa e zëdhënësit Frashër Krasniqi. 

Rruga që përshkroi Adea Batusha një ditë pas sulmit - nga blerja e telefonit e deri tek arritja në banesën e Frashër Krasniqit

Me të njëjtin emërtim, por nga e-maila të ndryshëm, mesazhe të ngjashme nga ‘Rugovasit’ u dërguan edhe pas sulmeve tjera me granata dore, njëra tek Televizioni Publik (RTK), tjetra tek shtëpia e drejtorit të saj Mentor Shala dhe tek shtëpia e kryetarit të Komisionit Shtetëror për Demarkacion, Murat Meha. Mirëpo, Policia e as Prokuroria ende s’ka bërë ndërlidhjen e këtyre sulmeve me 6 të arrestuarit për granatën e hedhur në Kuvend. 

Mesazhi i dërguar mediave në emër të 'Rugovasve'

Sulmi ndaj objektit të Kuvendit, nga organet kosovare të sigurisë dhe drejtësisë po konsiderohet si terrorist. Derisa, Lëvizja Vetëvendosje, aktivistët e së cilës dyshohet se kryen sulmin kanë mohuar ndërlidhjen e 6 të rinjve me këtë vepër duke sulmuar Policinë dhe drejtuesit e njësitit antiterrorizëm. 

Ata po e quajnë proces të montuar politik, duke u munduar të krijojnë një lidhje mes zyrtarëve të lartë policorë me ata drejtues të shtetit. 

Madje, e dyshuara Adea Batusha në një intervistë një natë më parë, tha se ndihet e fyer për akuzat dhe se ende nuk e ka të qartë se çfarë po ndodh me rastin e saj dhe të 5 aktivistëve të tjerë.

Nga ana tjetër, Gjykata Themelore i ka dërguar një muaj në paraburgim tre të dyshuarit për kryerjen e sulmit, Atdhe Arifi, Astrit Dehari dhe Egzon Haliti, ndërsa në arrest-shtëpiak ka lënë të dyshuarit si bashkëpunëtorët dhe organizatoret tjerë të veprës penale “terrorizëm”, Frashër Krasniqi, Petrit Ademi dhe Adea Batusha. Për këta të fundit, të hënën prokurori i rastit ka kërkuar në Apel kthimin e tyre në paraburgim.

Në kallëzimin penal të siguruar nga Gazeta Express, nuk saktësohet ndërlidhja e Petrit Ademit me sulmin, ndonëse u arrestua me të njëjtin grup për të njëjtat dyshime. Aty përmendet vetëm një bisedë e Ademit me Adea Batushen e ku kuptohet se ai nga dita e sulmit kishte qëndruar vetëm në banesën e Frasher Krasniqit dhe në zyrat e VV’së, duke shmangur çdo dalje. /GazetaExpress/.

    Data: 05 Shtator 2016 16:55
    Autori: Bleta Gashi

    Të tjera