Kthehu lart

Partitë ende nuk i kanë caktuar kryetarët e komisioneve parlamentare

Partitë ende nuk i  kanë caktuar kryetarët e komisioneve parlamentare GazetaExpress

Gjatë mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit të Kosovës e mbajtur një ditë më parë është bërë e ditur se cilat komisione do të udhëhiqen nga partitë parlamentare.

Por, partitë politike ende nuk kanë vendosur për kryetarët e këtyre komisioneve.

Shefi i ri i Grupit Parlamentar të PDK-së, Memli Krasniqi, ka thënë se PDK-ja ende nuk ka vendim për drejtuesit e komisioneve që u takojnë.

“Ende nuk kemi vendosur. Për këtë do të mblidhet së shpejti Grupi Parlamentar dhe do t’i përcaktojë bartësit e këtyre përgjegjësive”, ka thënë Krasniqi për Indeksonline.

Pa emra janë edhe në Lëvizjen Vetëvendosje. Zëdhënësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Shkodran Hoti, ka bërë të ditur për Indeksonline se partia e Visar Ymerit ende nuk ka vendosur se kush do të jenë udhëheqësit e komisioneve.

Të njëjtën gjë e ka theksuar edhe shefi i Grupit Parlamentar të Nismës, Bilall Sherifi, i cili ka thënë se ende nuk është vendosur bartësi i përgjegjësisë mbi komisionin që do të udhëhiqet nga Nisma.

Sipas Sherifit, nuk dihet ende se kush do të udhëheqë Komisionin për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së nga kjo parti.

E, nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është marrë ndonjë përgjigje konkrete përderisa sipas informacioneve që ka Indeksonline, as këta të fundit nuk kanë zgjedhur ende bartësit e këtyre pozitave.

Ndryshe, Lëvizja “Vetëvendosje” që do të udhëheqë me numrin më të madh të komisioneve, me katër sosh: Komisionin për Legjislacion, atë për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, Komisionin për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale si dhe për Mbikëqyrjen e AKI-së.

Ndërkohë, GP i LDK-së do të udhëheqë tri komisione: Komisionin për Buxhet dhe Financa, Komisionin për Punë të Jashtme dhe Komisionin për Mbikëqyrjen e Financave Publike.

Grupi Parlamentar i PDK-së do të drejtojnë, po ashtu, tri komisione: Komisionin për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti dhe Industri, Komisionin për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media dhe Komisionin për Integrime Evropiane.
Komisionin për Bujqësi, Pylltari dhe Mjedis e Planifikim Hapësinor do ta drejtojë GP i AAK-së, ndërsa atë për Punë të Brendshme, Siguri dhe Mbikëqyrjen e FSK-së, GP i Nismës.

GP i Listës Serbe do të udhëheqë Komisionin për të Drejtat, Interesat e Komuniteteve dhe për Kthim, ndërsa GP 6+, atë për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur dhe Peticione.

    Data: 21 Shtator 2017 09:47
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera