Kthehu lart

Dialogu Kosovë – Serbi, takimi në nivel teknik, para atij të presidentëve

Dialogu Kosovë – Serbi, takimi në nivel teknik, para atij të presidentëve GazetaExpress

Kosova ka qenë temë kryesore në konferencën e së shtunës të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq.

Ky adresim i tij ka ardhur gjashtë ditë para takimit paralajmëruar në Bruksel, me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE’ja, ku do të bisedojnë për zbatimin e marrëveshjeve ekzistuese.

Aty, Vuçiqi ka thënë se “do të vazhdojë bisedimet me shqiptarët” për gjetjen e një kompromisi për Kosovën, pasi nuk kanë zgjidhje tjetër.

Vuçiqi ka fajësuar BE’në për vonesat në formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Presidenti serb u ka bërë thirrje bashkëkombësve të tij që të mos marrin pjesë në formimin e Ushtrisë së Kosovës.

Madje ai ka akuzuar, ato që i ka quajtur “autoritete në Prishtinë”, se po u japin ryshfet të rinjve serbë për t’iu bashkuar “ushtrisë së Kosovës”.

Ndërkohë, në zyrën e presidentit Thaçi, të shtunën nuk kanë dhënë detaje për temat që do të diskutohen në Bruksel më 23 mars.

Paraprakisht, tri ditë me radhë, nga e hëna deri të mërkurën, do të zhvillohet dialogu në nivel teknik mes të të dyja shteteve, raporton KTV.

Shefi i ekipit negociator të Kosovës në dialogun me Serbinë, Avni Arifi, përmes telefonit, ka thënë se temë diskutimi në këto bisedime do të jenë: Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, ura kryesore mbi lumin Ibër, lëvizja e lirë dhe marrëveshja për menaxhimin e integruar të kufijve.

    Data: 17 Mars 2018 19:19
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera