Çka do të ndodhë sot në Kosovë?

Gazeta Express ju sjell ngjarjet më të rëndësishme të ditës

GazetaExpress

Sot në Kuvend do të mblidhen disa komisione. Në orën 10:00, do të mblidhet Komisioni për Administratë Publike, Qeverisje Lokale dhe Medie ku do të shqyrtohet ndryshim-plotësimi i Ligjit për Statistikat Zyrtare dhe propozimet për hartimin e draftligjit për transmetuesin publik të Kosovës. 

Një orë më vonë, do të mblidhet Komisioni për Zhvillim Ekonomik, Infrastrukturë, Tregti, Industri dhe Zhvillim Rajonal ku do të raportojë ministri i Zhvillimit Ekomomik, Valdrin Lluka, lidhur me gjendjen në ndërmarrjet Trepça, Posta dhe Telekomi. 

Në orën 12:00 Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit. Në rend dite është Shqyrtimi i Projektligjit për Ratifikimin e Traktatit Kosovë-Hungari për transferimin e personave të dënuar; Shqyrtimi në parim i Projektligjit për Gjykatat; Shqyrtimi i Mocionit të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje. 

Ndërsa, në orën 14:00, Komisioni për Punë të Jashtme, Diasporë dhe Investime Strategjike, në bashkëpunim me Institutin Demokratik të Kosovës (KDI), do të mbajë takimin e radhës me kryetarë të komisioneve parlamentare të Kuvendit. Temë e debatit do të jetë: roli i komisioneve parlamentare në mbikëqyrje të dialogut Kosovë-Serbi. 

Gjatë ditës do të ketë edhe disa zhvillime tjera.

Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, pret përfaqësuesin e Misionit Diplomatik të Japonisë në Kosovë. Pas takimit do të ketë prononcim për medie.

Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) organizon tryezën me temën “Mangësitë ligjore në legjislacionin e Kosovës në çështjet lidhur me sektorin e arsimit të lartë”. 

Në orën 11:00, Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) me mbështetje të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (USAID) organizon Javën e Gruas ku do të marrin pjesë kryetari i Kuvendit, Kadri Veseli; zv.ambasadorja e ShBA-së në Kosovë, Colleen Hyland etj. 

Në të njejtën orë, Media “Ndërtimi” shpalos detajet për konferencën e parë të Ndërtimit “Cocrecon”. 

Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), organizon tryezën e diskutimit “Qëndrimet dhe sjelljet e votuesve të rinj”, gjatë së cilës do të publikohet Raporti i hulumtimit të opinionit lidhur me qëndrimet dhe preferencat politike të të rinjve. 

Në orën 13:00, Partia “Fjala” mban konferencë për medie me temën “Kundërshtimi i demarkacionit”.

Në kuadër të Javëve të Frankofonisë organizohet konkurs për përkthim në kuadër të 20-vjetorit të Pranverës së poetëve. Në orën 15:00 – Kategoria nxënës; në orën 17:00 – Kategoria të rritur. 

Në orën 17:00, Dega e LDK-së në Podujevë shënon 28-vjetorin e themelimit. /Express/

Të tjera

Lajmet e fundit