Kthehu lart

Çdo ditë u importuan 95 vetura të vjetra

Çdo ditë u importuan 95 vetura të vjetra GazetaExpress

Ligji i ri për regjistrimin e veturave që kufizon regjistrimin e tyre sipas vjetërsisë nga janari i 2018-ës ndikoi në rritjen e importit para hyrjes në fuqi të këtij ligji. Importi i veturave të përdorura u rrit përderisa Interesimi për vetura të reja mbeti në nivelin e njëjtë.

Paralajmërimi gjashtë muaj më herët për ndalimin e importimit të veturave të vjetra në fillim të vitit 2018 shkaktoi rritje të mëdha të importit të veturave. Në bazë të statistikave del që tregtarët e veturave kanë bërë stoqe të mjaftueshme të veturave të vjetra. Numri i veturave të importuara ishte për 40% në vitin 2017 krahasuar me vitin 2016.

“Gazeta Jeta në Kosovë” ka grumbulluar dhe analizuar të dhëna nga Dogana e Kosovës lidhur me importin e veturave për dy vjetët e fundit.

Në vitet 2016 dhe 2017 importi i veturave të vjetra ka qenë i lartë. Nga gjithsej 64 mijë e 204 vetura sa erdhën në Kosovë për vitet 2016 dhe 2017, 90 deri 92 për qind e tyre ishin të përdorura dhe 8 deri në 9 për qind përbënin veturat e reja dhe vetura hibride me një përqindje të papërfillshme.

Nga importi i përgjithshëm i veturave në Kosovë për vitet 2016-2017, u mblodhën mbi 152.3 milionë euro taksa.

Sipas të dhënave të siguruara rezulton se për dy vjetët e fundit në Kosovë erdhën 59 mijë e 58 vetura të përdorura. Këto përbënin mbi 90 për qind të importit të veturave. Vlera e përgjithshme si bazë doganore ishte 272.2 milionë euro prej të cilave u volën taksa doganore prej 137.1 milionë eurove.

Në vitin 2016 numri i veturave të përdorura të importuara në Kosovë ishte 24 mijë e 323 copë ku vlera e përgjithshme e tyre ishte 118.3 milionë euro. Për këto vetura në buxhetin e vendit nga taksa në import u mblodhën gjithsej 57 milionë euro, ku prej tyre ishin 11.4 milionë euro doganë, 19.4 milionë euro akcizë dhe 26.2 milionë euro TVSh.

Në vitin 2016 mesatarisht çdo muaj u importuan 2 mijë e 27 vetura të përdorura. Përgjatë vitit, numri më i madh i veturave që erdhën në Kosovë nga jashtë ishte në muajin dhjetor ku u importuan 2 mijë e 702 copë, përderisa më pak u importuan në janar 1 mijë e 357 sosh.

Hyrja në fuqi e ligjit të ri për automjete në qershor të 2017-ës, sipas së cilit nga janari i vitit 2018 nuk mund të regjistroheshin vetura më të vjetra se 10 vjet. Ky ligj ndikoi që importi i veturave të përdorura të shënonte rritje.

I shtyrë nga ky ligj, interesimi për vetura të përdorura në vitin 2017 shënoi rritje në krahasim me një vit më parë. Në këtë vit importi u rrit për 42.8 për qind. Kjo ndikoi në rritjen e nivelit të të hyrave nga taksat për 40 për qind në krahasim me 2016-ën.

Në vitin 2017 u importuan 34 mijë e 735 vetura, vlera e përgjithshme e tyre ishte 153.9 milionë euro. Për importin e këtyre veturave u derdhën në arkën e shtetit 80.1 milionë euro, prej të cilave 14.7 milionë në emër të taksës doganore, 30.6 milionë euro akciza dhe 34.8 milionë euro TVSh.

Përgjatë muajve të viti 2017, mesatarja e importit të veturave ishte prej 2 mijë e 895 vetura për muaj, një mesatare dukshëm më e lartë në krahasim me një vit më parë. Krahasuar me muajin janar, në dhjetorin e 2017-ës u pesëfishua sasia e importit të veturave. Vetëm në muajin dhjetor u importuan 7 mijë e 60 vetura.

Përderisa me hyrjen e tyre në Kosovë kontribuuan me miliona euro taksa në kufi në importimin e këtyre veturave, përgjatë jetëgjatësisë së tyre në qarkullim në rrugët e vendit, këto vetura do të kontribuojnë në ndotjen e ajrit.

Kohëve të fundit kryeqendra e Kosovës Prishtina është përballur me ndotje të ajrit. Madje sipas matjeve të bëra, të “Air Qualty Index” Prishtina zuri vendin e parë si qyteti më i ndotur në botë. Si masë emergjente, Komuna e Prishtinës kishte marrë vendim për ndërprerjen e qarkullimit të veturave në disa rrugë të kryeqytetit për të ulur nivelin e ndotjes. /kallxo.com

    Data: 07 Mars 2018 22:49
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera