Kthehu lart

Bulliqi nuk tregon se kur do ta përfundojë raportin për demarkacionin

Bulliqi nuk tregon se kur do ta përfundojë raportin për demarkacionin GazetaExpress E hënë, 13 Nentor 2017 10:43

Kryesuesi i Komisionit Shtetëror për Shënjimin dhe Mirëmbajtjen e Kufirit Shtetëror, Shpejtim Bulliqi, gjatë raportimit të tij para Komisionit për Integrime Evropiane, ka deklaruar se komisioni paraprak, i cili udhëhiqej nga Murat Meha, nuk ka bërë punë profesionale. Bulliqi thotë se raporti rreth çështjes së demarkacionit ende nuk është gati për publikun, shkruan Express.

Bulliqi është shprehur se ish-komisioni ka bërë punë joprofesionale dhe jotransparente. 

“Ish-komisioni nuk ka pasur një proces të qartë, transparent e profesional që do të tregonte se si është formuar kufiri aktual me Malin e Zi. Ish-komisioni ka vepruar si komision për delemitim, përkatësisht definim të kufirit të Kosovës me Malin e Zi në kuptimin e identifikimit të kufirit me Malin e Zi”, ka thënë Bulliqi.

Sipas Bulliqit, raporti përfundimtar rreth çështjes së Demarkacionit me Malin e Zi, do të bëhet publik së shpejti. Ai ka deklaruar se raporti dhe të gjeturat ende nuk janë gati për publikun. Tutje ai ka deklaruar se kanë presionin medial dhe të qytetarëve për shkak se e dinë që nuk ka kohë të pritet më tej, megjithatë ai ka kërkuar durim, duke thënë se është e rëndësishme që të kihet kujdes, pasi raporti përfundimtar do të nxjerrë të dhëna shumë të rëndësishme. 

Ai tutje ka shtuar se ish-komisioni nuk e ka luajtur rolin e definuesit të komisionit administrativ me Malin e Zi. 

“Për të gjitha këto ata janë thirrur në Kushtetutën e vitit 1979, kadastrat e Kosovës. Kjo nuk ka qenë në mandatin e këtij komisioni. Ai është dashur që ta demarkojë dhe ta mirëmbajë kufirin e Kosovës”, ka deklaruar Bulliqi para Komisionit për Integrime Evropiane. /GazetaExpress/

    Data: 13 Nentor 2017 10:43
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera