Kthehu lart

Britania vendos taksë për çdo punëtor nga BE'ja

Britania vendos taksë për çdo punëtor nga BE'ja GazetaExpress E mërkurë, 11 Janar 2017 18:12

​Britania po merr në konsideratë një masë drastike, për të gjobitur punëdhënësit me nga 1.000 paund (1.200 dollarë) në vit për çdo punonjës të kualifikuar që rekrutojnë nga Bashkimi Europian pasi ishulli të largohet nga unioni.

Ky është njoftimi më i fundit nga Ministria e Emigracionit gjatë kësaj të mërkure. Robert Goodwill tha para një komiteti të Dhomës së Lordëve se gjoba “është diçka që na është propozuar dhe që mund të aplikohet” për punonjësit nga BE-ja.

Britania ka miratuar tashmë një taksë të tillë për punonjësit e huaj që vijnë nga shtetet jo anëtare të BE-së, taksë që do të hyjë në fuqi në muajin prill. Aktualisht, qytetarët nga 27 vendet anëtare të BE-së kanë të drejtën për të jetuar dhe punuar në Britani, por kjo liri lëvizjeje pritet të marrë fund sapo Britania të largohet nga blloku.

Qeveria ka vendosur një objektiv për reduktimin e migrimit drejt Britanisë, në më pak se 100 mijë njerëz në vit, ndryshe nga sa është aktualisht me 300 mijë të ardhur në vit.

Pasi përmendi taksën prej 1.000 paund, Goodwill tha se ende nuk është e sigurtë. Bisedimet për dalje nga BE-ja duhet ende të nisin, ndërsa “ne nuk jemi në një pozicion për të spekuluar se cila do të jetë zgjidhja e negociatave post-Brexit”, tha ai.

Grupet e biznesit, gjithsesi, kritikuan idenë e një takse për punonjësit e huaj. Seamus Nevin, kreu i punësimit dhe politikave kualifikuese në Institutin e Drejtuesve, tha se punëdhënësit “thjesht nuk mund të durojnë kufizimet e mëtejshme, e nëse ata arrijnë të gjejnë kandidatin e duhur edhe taksën shtesë”./ Top Channel

    Të tjera