Kthehu lart

Bizneset nga Austria të gatshme të investojnë në Kosovë

Bizneset nga Austria të gatshme të investojnë në Kosovë GazetaExpress

Tre investitor nga Austria, dy shqiptaro-austriak, shprehën interesim për të investuar në Kosovë. Në takim që i priti Ministri i Tregtisë dhe Industrisë, Bajram Hasani, i siguroi që do ta kenë të gjithë mbështetjen e tij për të ardhur në Kosovë dhe për të investuar kapitalin.

Hasani tha se është jetësuar ligji për Investime Strategjike dhe ka qenë aplikuesi i parë që ka një projekt prej 130 milionë euro në fushën e energjisë solare, që është shtetas gjerman, por me prejardhje nga Kosova.

“Ne i mirëpresim të gjithë ata që kanë migruar nga Kosova dhe kanë krijuar biznese të suksesshme të vijnë në Kosovë dhe të investojnë. Po e promovojmë ligjin për Investime Strategjike, sepse me të vërtet është i mirë, dhe i mbron investitorët. Iu siguron procesin e legjislacionit deri te marrja e lejeve dhe procedurat janë të shpejta. Po mundohemi edhe nëpërmes zonave ekonomike t’iu krijojmë hapësirë të gjitha investitorëve, për çfarëdo projekti çoftë, që t’iu krijojmë mundësi”, ka thënë ministri Hasani.

Ambasadori i Austrisë në Kosovë, Gernot Pfandler, që po i shoqëronte biznesmenët theksoi se shkëmbimet tregtare në mes Kosovës dhe shtetit të tij janë të mira, por shtoi se dëshiron që të jenë edhe më të mëdha.

Pfandler u shpreh i bindur që Kosova është vend me potencial për të investuar dhe ka po krijon kushte në vazhdimësi për investitorët e huaj.

Ndërsa Ben Kryeziu, që jeton dhe vepron në Austri, pronar i kompanisë, “RT”, ka shprehur interesim që përvojën e tij ta jap edhe në Kosovë me kompaninë e tij që merret me mbledhjen e mbeturinave.

“Dëshira jonë është që edhe në Kosovë të investojmë, ta ndihmojmë vendin. Dua të falënderoj ministrin për qasjen shumë pozitive dhe unë kisha dëshiruar që të vijmë në Kosovë me strategjinë e Autrisë dhe të punojmë”, ka thënë ai.

Edhe Andriy Lazorenko, pronar i kompanisë ‘Kral’ që prodhon makineri të rëndë, kryesisht pompa, ka shprehur interesim që ta shtrijë aktivitetin e tij në Kosovë, pasi e ka konsideruar si vend shumë atraktiv.

Ai ka thënë se është hera e parë që ka ardhur në Kosovë dhe është impresionuar me atë që ka parë. Lazorenko ka thënë se është shumë i interesuar që t’i ketë prezent në Kosovë edhe produktet e veta.

Gjithashtu Azem Rexhepi që ka një agjenci reklamash në Austri ka thënë se ka ardhur në Kosovë për ta hapur degën dhe për ta shkolluar rinin kosovare që ta përgatis për të punuar për tregun austriak.

Ai ka thënë se me kompaninë e tij i njofton shumë biznese në Austri për Kosovën dhe mundësit që ofron për të investuar.

Ndërsa Vjosa Huruglica nga Oda Ekonomike Austriake në Kosovë ka thënë se është trendi në rritje i kompanive austriake që po investojnë në Kosovë. Ajo ka thënë se Kosova e ka kaluar Shqipërinë me shkëmbime tregtare me Austrinë.

    Data: 06 Mars 2018 20:06
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera