Kthehu lart

Asad bombardon spitalet në afërsi të Damaskut, dhjetëra të vdekur

Asad bombardon spitalet në afërsi të Damaskut, dhjetëra të vdekur GazetaExpress

Gjashtë spitale në enklavën e kryengritësve në Ghouta-n lindore, në afërsi të Damaskut, që është nën rrethim, janë bombarduar në 48 orët e fundit.

Tre prej tyre e kanë ndërprerë punën, ndërsa dy punojnë pjesërisht, ka thënë të martën koordinatori i rajonit nga zyra e KB për punë humanitare për Siri.

Më tepër se 200 civilë, mes tyre 60 fëmijë kanë vdekur prej të dielës në bombardimin e egër të Ghouta-s nga ana e regjimit sirian, ka publikuar Observatori sirian për të drejtat e njeriut (SOHR) i cili mbështetet në rrjetin e gjerë të burimeve në Siri.

“Të hënën ishin në objektiv të sulmeve pesë spitale, tre ishin të detyruar ta ndërpresin punën, ndërsa dy të tjerat punojnë pjesërisht” ka thënë koordinatori Panos Moumtzis në njoftim. “Sot në Zamalki është goditur edhe spitali i gjashtë”, ka shtuar ai.

Moumtzis ka thënë se është “i tmerruar dhe i hidhëruar për shkak të informatave mbi sulmet e tmerrshme në gjashtë spitale në Ghouta në 48 orët e fundit, në të cilat ka të vdekur dhe të lënduar dhe në të cilat disa mijëra burra, gra dhe fëmijë kanë mbetur pa kujdes themelor shëndetësor në këtë enklavë të rrethuar”.

“Këto sulme janë plotësisht të papranueshme. Dua t’i përkujtoj të dyja palët se sulmet në institucione shëndetësore janë të ndaluara sipas drejtës ndërkombëtare humanitare. Këto sulme të planifikuara mund të jenë krime lufte”.

Pas shtatë vite lufte në Siri “përafërsisht gjysma e objekteve shëndetësore në vend janë ose të mbyllur ose punojnë pjesërisht, për çka mijëra sirianë kanë mbetur pa kujdes i cili do të duhej t’iu shpëtojë jetën”, ka theksuar ai.

    Data: 21 Shkurt 2018 07:36
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera