Kthehu lart

Arsyet që çuan në rënien e natalitetit në Kosovë

Arsyet që çuan në rënien e natalitetit në Kosovë GazetaExpress E hënë, 19 Qershor 2017 21:45

Në vitin 2000, sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në vendin tonë kishte mesatarisht 40 mijë lindje, ndërsa në vitin 2016, në Kosovë janë regjistruar 23 mijë e 494 foshnje të lindura, që i bie rreth gjysmë më pak.

Sipas psikologut Dashamir Bërxulli, rënia e natalitet është rezultat i ndërrimit të modelit shoqëror, i cili edhe imponon mënyrën e funksionimit të familjes, raporton KTV.

Ai thotë se shumë shpesh është zgjedhje e imponuar e prindërve që të mos kenë më shumë se 2 fëmijë, pasi mungon asistenca sociale, e cila në të shumtën e rasteve është determinuese për lindjen e sa më shumë fëmijëve.

Sipas Bërxullit, nataliteti ka rënë po ashtu, pasi nënat janë më të vëmendshme sa i përket zhvillimit të karrierës së tyre dhe kështu mundohen që të mos i lënë keq as fëmijët por as veten.

Sociologu Artan Krasniqi thotë se rrethana të ndryshme shoqërore e diktojnë numrin e lindjeve të fëmijëve dhe më e rëndësishmja është mënyra se si tash jetojnë njerëzit.

Sipas tij, është për keqardhje që gratë nuk marrin kurrfarë stimulimi që ua lehtëson atyre krijimin e lirshëm të familjes në aspektin social.

Ndonëse ka pasur premtime të shumta, sidomos nëpër fushata zgjedhore, se do të ndihmohen nënat dhe ekonomitë familjare, një gjë e tillë nuk është vërejtur në realitet, gjë që natyrshëm shihet edhe si faktor që determinon planifikimin familjar.

    Data: 19 Qershor 2017 21:45
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera