Kthehu lart

Arrihet marrëveshja PDK - AAK - NISMA

Arrihet marrëveshja PDK - AAK - NISMA GazetaExpress E mërkurë, 17 Maj 2017 00:20

Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën do të kandidojnë bashkërisht në zgjedhjet e 11 qershorit. Këto tri parti sonte në orët e vona kanë arritur koalicion.

Partia Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën kanë bërë koalicion parazgjedhor.

Burime të Gazetës Express kanë bërë të ditur se PDK, AAK e Nisma kanë arritur marrëveshje para mbylljes së afatit për koalicion në KQZ.

I pari që e ka dhënë lajmin se është arritur një koalicion i tillë, ka qenë ish-deputeti i PDK’së, Bekim Haxhiu.

Ai në një status në Facebook e ka bërë këtë, duke e postuar një fotogtafi ,në të cilën ka shkruar “Fillimi i ri – PDK-AAK-Nisma”.

Deri më tani, Partia Demokratike e Kosovës, ka lidhur koalicion me  disa parti të vogla, si PD, PSDHK, Lëvizja për Bashkim dhe disa parti të tjera. 

Kurse, pak më parë Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kanë bashkuar forcat për zgjedhjet e parakohshme që do të mbahen më 11 qershor.

LDK ka lidhur koalicion gjatë ditës edhe me partinë Alternativa, që udhëhiqet nga Mimoza Kusari-Lila, dhe me Lëvizjen për Drejtësi.

Kësisoj, Pacolli dhe Kusari ribashkohen në një listë, pas largimit të kësaj të fundit nga AKR'ja e Pacollit, ku ishte nënkryetare.

Deri më tani si e vetëm në zgjedhje pritet të shkojë Vetëvendosje.

Afati për deklarimin e koalicioneve në Komision Qendror të Zgjedhjeve përfundon në mesnatë.

Vendi më 11 qershor shkon në zgjedhje, pasi Qeveria, e udhëhequr nga Isa Mustafa, u rrëzua përmes një mocioni të iniciuar nga Nisma.

    Data: 17 Maj 2017 00:20
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera