Kthehu lart

Amerikanët nuk u tremben Thaçit dhe Haradinajt, po i takojnë deputetët në Kuvend

Amerikanët nuk u tremben Thaçit dhe Haradinajt, po i takojnë deputetët në Kuvend GazetaExpress

Zyrtarë të Ambasadës amerikane janë duke qëndruar në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës, duke i takuar deputetët veç e veç. Ka mundësi që disa prej tyre i kanë paralajmëruar për pasojat direkte. Ka mundësi që ata që janë të ftuar për Lutje të Mëngjesit, ritualin e lutjeve ta kryejnë në tempujt fetarë në Kosovë.

Para 20 vjetëve, në vitet 1998/99, kur qytetarët e Kosovës i ishin nënshtruar një terrori të paparë të forcave serbe, klasa politike, por edhe qytetarët, vazhdimisht e kanë ftuar diplomacinë amerikane që të bëhet pjesë e zgjidhjes së çështjes sonë. Kjo kërkesë e jona kishte hasur në mirëkuptimin amerikan. Ata ishin bërë pjesë e zgjidhjes së problemit, duke ndërhyrë me të gjitha mjetet që shpëtojnë popullin e Kosovës. 

Dhjetë vjet më vonë, në vitin 2008, klasa politike në Kosovë, por edhe qytetarët, prapë e ngritën zërin, prapë kërkuan një ndërhyrje të diplomacisë amerikane për të realizuar aktin e fundit të lirisë së Kosovës, njohjen e pavarësisë së saj. Edhe kjo kërkesë ishte përfillur nga diplomacia amerikane. Kjo gjë është kurorëzuar me njohjen e shtetit të pavarur të Kosovës, nga SHBA dhe aleatët e saj. 

Tash, kur po përballen me pasoja individuale, liderët e vendit, në krye me Presidentin Thaçi, si dhe me "back vocal"-in Ramush Haradinaj, nuk po hezitojnë të shprehin brengat e tyre për atë që ata e quajnë përzierje të ambasadave të huaja në Kosovë. Sigurisht që kur e thonë këtë, ata nuk po mendojnë në përzierjen e Ambasadës së Sllovakisë apo të Hungarisë. Ata në mendje e kanë Ambasadën e SHBA-së, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, respektivisht miqve të vërtetë të shtetit të Kosovës.

Thaçi, në një intervistë për Zërin e Amerikës, deklaroi që përzierja e ambasadorëve është brutale. Në këtë linjë ishte edhe qëndrimi i djeshëm i Haradinajt, se deputetët nuk i japin llogari ambasadorëve të huaj. 

Megjithatë, edhe përkundër këtyre qëndrimeve, diplomacia amerikane, sot ka zbarkuar në Kuvendin e Kosovës, duke i takuar deputetët një nga një. Në plan të parë duket të jenë deputetët që e kanë nënshkruar mocionin për rrëzimin e Ligjit për Tribunalin Special. 

Gazeta Express ka marrë vesh se disa prej këtyre deputetëve u është thënë troç se nuk do të kenë mundësi ta vizitojnë SHBA-në. 

"Ka mundësi që do t'u anulohen edhe vizitat për Lutje të Mëngjesit", ka thënë një burim i Express-it. 

Në pritje për të shkuar në Lutje të Mëngjesit janë kryeministri Haradinaj, i cili edhe më tutje nuk ka marrë vizë, por edhe Presidenti Thaçi dhe kryeparlamentari Veseli, kurse nga PDK-ja është edhe deputetja Blerta Deliu - Kodra. 

"Nuk do të këtë Lutje të Mëngjesit për ta", ka thënë burimi i gazetës.

    Data: 25 Janar 2018 14:35
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera