Kthehu lart

Ambasadori amerikan në Beograd kritikon ashpër Vulinin

Ambasadori amerikan në Beograd kritikon ashpër Vulinin GazetaExpress

Ambasadori amerikan në Beograd, Kyle Scott, dje e ka paralajmëruar Serbinë se ministri i saj i mbrojtjes po i dëmton marrëdhëniet e Serbisë me SHBA.

Ai në llogarinë e vet në Twitter e ka publikuar tekstin e agjencisë së lajmeve AP në “Washington Post”, me titull “Ministri serb i mbrojtjes e lavdëron kriminelin e luftës”, dhe ka shkruar se “për fat të keq, muajt e punës në përmirësimin e imazhit të Serbisë në SHBA, po dëmtohen seriozisht me një deklaratë”.

Në këtë koment të ambasadorit Scott, ministri serb Aleksandar Vulin ka deklaruar për “Novostin” serb në stilin e vet, se “çuditet se si ambasadori nuk e sheh dëmtim të imazhit dhe kërcënim të marrëdhënieve për atë se është liruar Orlic në BeH”, duke “harruar” se Lazareviqi është dënuar si kriminel lufte ndërsa Orlic u lirua si i pafajshëm”, transmeton Gazetametro.net.

Ai vazhdon: “Vladimir Lazareviq është njeri i lirë, ndërsa e drejta ime është ta respektoj luftën e tij dhe luftën e popullit tim. A duhet t’i lavdëroj bombardimet e NATO-s dhe të kërkojë arsyetim për shkëputje të Kosovës? Nuk di për ndonjë ushtri e cila do të hiqte dorë nga gjenerali Lazareviq, unë me siguri jo”.

Teksti në “Washington Post” merret me fjalimin e Vulinit të cilën ai e mbajti të shtunën në Nish, ku në mes tjerash, ka theksuar se “ka kaluar koha e turpërimit” dhe se “ka ardhur koha e krenarisë kur Serbia i nderon dhe i respekton kujtimet për të gjithë ata të cilët e kanë ruajtur atë gjatë luftërave të viteve të '90-ta”.

Vulin ka thënë se “të gjithë ata që e kanë mbrojtur Serbinë atëherë, janë trima mbi trima”, duke menduar edhe në kriminelin e dënuar për krime lufte, Vladimir Lazareviq, i cili e ka mbajtur dënimin në Hagë.

Mediet amerikane kanë theksuar se Vulin e ka lavdëruar kriminelin e dënuar të luftës për shkak të rolit të tij kundër intervenimit të NATO-s në vitin 1999, për shkak të pastrimit etnik dhe krimeve të bëra në Kosovë. Gazeta ka vlerësuar se ky lloj i komenteve më shumë e ilustron rritjen e urrejtjes së Serbisë ndaj Perëndimit, edhe pse Serbia zyrtarisht kërkon anëtarësim në BE, por njëkohësisht po i afrohet aleatit të vet shumëvjeçar slloven, Rusisë.

    Data: 12 Tetor 2017 09:52
    Autori: GazetaExpress

    Të tjera