Kthehu lart

15-vjeçari tash e disa ditë pa insulinë - A po ka sukses terapia e Hetem Ramadanit?

15-vjeçari tash e disa ditë pa insulinë - A po ka sukses terapia e Hetem Ramadanit? Gentiana Hasani Autori: Gentiana Hasani GazetaExpress

Terapitë e përshkruara nga “mjeku alternativ” Hetem Ramadani, me gjasë, dolën të jenë të suksesshme për 15-vjeçarin Drilon Kryeziu si dhe për Ariola Maliqin 10-vjeçe. Të dy këta kishin qenë duke i përdorur terapitë e insulinës, por ka më shumë se dhjetë ditë që këta dy fëmijë, të diagnostifikuar më herët me diabet, nuk po e përdorin më këtë medikament. Kjo pas udhëzimeve që ua ka dhënë i shumëpërfoluri kohët e fundit Hetem Ramadani

Drilon Kryeziu, 15-vjeçari nga Kamenica, i cili para pak kohësh kishte kuptuar se është me diabet, ka ndërprerë marrjen e insulinës. E gjithë kjo pas udhëzimeve të marra nga “mjeku alternativ” Hetem Ramadani.

Babai i Drilonit, Lulzim Kryeziu, ka treguar sot për Express se djali i tij ka disa ditë pa përdorur insulinë, ndërsa gjendja shëndetësore po i përmirësohet edhe më shumë. Këtë ai thotë se e kanë treguar edhe matjet e fundit të vlerave të sheqerit në gjak për djalin e tij.

“Djali është shumë mirë me shëndet. Insulinë nuk po përdor më. Jemi duke i vazhduar terapitë të cilat na i ka përshkruar profesori”, thotë ai. 

I ati i Drilonit, tregon se djali i tij është duke i vazhduar aktivitetet ditore, nuk ka marramendje e as ndonjë shqetësim tjetër. Për ta treguar suksesin që kanë pasur këto terapi, i ati i Drilonit, bashkë me Hetem Ramadanin, së shpejti do t’i drejtohet popullatës me anë të një konference për media.

Mirë me shëndet është edhe vajza tjetër nga Gjilani, Airola, e cila gjithashtu po i vazhdon "terapitë" e përshkruara nga Hetem Ramadani.

Të gjitha këto "mrekulli" Ramadani po i aplikon tek fëmijët kosovarë me anë të një regjimi ushqimor. Në përshkrimin e terapisë së Ramadanit për këto raste ka vetëm ushqime të shëndetshme. Por, dilema rreth rezultateve të këtyre terapie të Ramadanit po kanë mjekët e QKUK-së.

Nga Qendra Klinike Universitare besojnë që ushqimet e shëndetshme, që nuk e rrisin nivelin e glukozës në gjak, kanë efekt, por kjo nuk është parajsa për diabetikët, sepse metodat e Ramadanit nuk mund ta shërojnë sëmundjen e diabetit, e aq më pak duke ndalur komplet insulinën. 
 
“Mua po më pëlqen që ka filluar të flasë për ushqimet e shëndetshme. Mirëpo, për ndërprerjen e insulinës ne kemi rezerva. Nuk janë të gjithë pacientët njësoj dhe ndalimi i tërësishëm i insulinës shpesh herë është i rrezikshëm”, ka sqaruar ditë më parë për Express dietologia dhe endokrinologe e QKUK-së, Merita Emini-Sadiku.

Lidhur me terapitë e Ramadanit rreth ndërprerjes së insulinës ka reaguar edhe psikiatri Jusuf Ulaj i cili ishte çuditur me eksperimentin që i ishte bërë Arilës, duke i rrezikuar gjendjen me ndaljen e marrjes së insulinës. Ulaj e kishte quajtur Hetem Ramadanin person me probleme mendore.  

“Ajo që Ramadani thotë në emision se e shëron sëmundjen e Alxhajmerit, sëmundjen e Parkisonit, paralizat dhe diabetin, që e merr guximin kësaj vajzës së vogël me ia ndërpre insulinën, për mua më shumë i merr premisat se ka probleme mendore”, tha Ulaj.

Ndryshe, Hetem Ramadani është njëri nga shqiptarët më të pasur në botë. Ai pohon të ketë kryer studimet për toksikologji-patologji, rrezatim, ndotje akustike... Veç kësaj, ai kishte themeluar kompaninë tregtare të naftës “Salbatring International”, pasi kishte migruar në vitet 90’të në Slloveni./Express/

    Data: 09 Maj 2018 16:18
    Autori: Gentiana Hasani

    Të tjera