Policia ende s’i ka arrestuar vrasësit – dyshohet se ngjarja ndodhi për motive hakmarrjeje - Gazeta Express

Policia ende s’i ka arrestuar vrasësit – dyshohet se ngjarja ndodhi për motive hakmarrjeje

08/03/2015 16:32

Zëdhënësi i Policisë, Hazir Berisha, ka treguar se ende nuk dihen motivet e kësaj vrasje.

“Ende nuk dihen motivet e kësaj vrasje”, ka thënë Berisha, për Gazetën Express.

“Më vonë mund të tregojmë edhe motivet e mundshme”, ka shtuar ai.

Viktimat me inicalet F. Shishko, H. Thaqi dhe B Ersoj janë të gjithë nga Prizreni. 

Berisha ka treguar se kanë bastisur një shtëpi por ende nuk i kanë arrestuar të dyshuarit për vrasjen e trefishtë.

“Ende s’është arrestuar. Është bastisur një shtëpi dhe s’i kemi gjetur të dyshuarit”, ka shtuar ai.

Policia ka identifikuar dy të dyshuarit, të cilët ende ndodhen në arrati. Ata sipas policisë kanë shtënë me dy lloj armësh në drejtim të viktimave, me një kallashnikov dhe pistoletë.

Ndërkohë, burime të Express, kanë treguar se vrasja ka ndodhur për motive hakmarrjeje mes dy familjeve.

Njëri nga dorasit, sipas këtyre burimeve, para rreth një muaj e gjysmë ka qenë i rrahur nga viktimat.

Gjithashtu sipas këtij burimi, njëri prej të dyshuarve, edhe më parë ka kryer vrasje. Ai ka vuajtur një dënim me burg në Gjermani, për vrasje të dyfishtë atje. Sikurse viktimat, ashtu edhe vrasësit thuhet se janë nga qyteti i Prizrenit.

__________________________________________

Vrasje e trefishtë në Prizren (Foto +18)

Rreth orës 14:15 minuta në Prizren ka ndodhur një ngjarje tragjike ku si pasoj kanë mbetur të vrarë 3 persona. Ngjarja ka ndodhur afër spitalit të qytetit ku një person ka shtënë me armë zjarri duke vrarë tre persona. Lajmin për “Zërin” e ka konfirmuar edhe komandanti i policisë në Prizren, Nexhmi Krasniqi.

“Po, rreth orës 14:15 si pasojë e të shtënave me armë kanë mbetur të vrarë tre persona”, ka thënë Krasniqi.

Ndërkohë sipas burimeve të gazetës bëhet fjalë për një zënkë të vjetër në mes të dy palëve.

Image

Image