Veseli: Referendum për marrëveshjen finale Kosovë - Serbi - Gazeta Express

Veseli: Referendum për marrëveshjen finale Kosovë – Serbi

14/01/2019 15:13

Veseli, në një deklaratë për Express, thotë se për këtë pritet të shkojë në Kuvendin e Kosovës edhe Ligji për Referendum.

“Vendimi final duhet të legjitimohet me vullnetin e lirë të sovranit. Do të duhej të jenë vetë qytetarët e Kosovës që do ta thonë fjalën e fundit për rezultatet e procesit të dialogut Kosovë – Serbi”, ka thënë ai.

Kryeparlamentari Kadri Veseli ka kohë që fton për arritjen e konsensusit nacional lidhur me dialogun Kosovë – Serbi, por dy partitë më të mëdha opozitare, LDK dhe VV, vazhdojnë ta refuzojnë atë.

Së fundi, ai ka marrë edhe një nismë për t’i mbledhur në një tryezë krerët e institucioneve, Ekipin Shtetëror për Dialogun, si dhe partitë parlamentare opozitare, për t’u koordinuar lidhur me procesin që synon të çojë në një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e plotë të marrëdhënieve. Por, LDK-ja dhe VV-ja po vazhdojnë ta bojkotojnë atë.

Veseli thotë se arritja e konsensusit të plotë është e rëndësishme për Kosovën, por në fund të fundit dialogu do të vazhdojë edhe pa LDK-në dhe VV-në, sepse Kosova, bashkë me partnerët ndërkombëtarë, SHBA-në dhe BE-në, është e vendosur për ta çuar deri në fund këtë proces të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Vendi në ekipin shtetëror për dialogun do të jetë i hapur për LDK-në dhe VV-në. Ata do të duhej t’i vendosnin interesat shtetërore përpara atyre partiake. Por, ne do të ecim tutje edhe pa ta. Erdhën apo nuk erdhën në dialog, sidomos LDK-ja, në fund vendimi do të merret nga qytetarët e Kosovës. Pa ta, por me popullin, ne do të marrim vendime”, është shprehur Veseli për Gazetën Express.

Kryeparlamentari Veseli përsërit se Kosova është e gatshme dhe e vendosur për dialog me Serbinë, ndërsa shkon në këtë proces me qëllime të qarta – njohjen e shtetit të Kosovës nga Serbia dhe ulësja në OKB. Ndërsa, sot pas takimit me partitë në Kuvendin e Kosovës Veseli ka thënë se tërësia territoriale nuk cenohet me dialogun Kosovë -Serbi.