Vazhdon polemika Mustafa-Krasniqi. Kryeministri: Ish-kryetari s’e di çka nënshkroi në Kuvend


14/07/2016

Krasniqi  e quajti reagim dëshpërues kundërpërgjigjen e Mustafës, duke aluduar se kryeministri me qëllim po i ngatërron kufijtë e shtetit. 

E pak minuta pas, sërish është përgjigjur Mustafa duke thënë se ish-Kryetari i Kuvendit nuk e din se çka ka nënshkruar kur ka aprovuar ligjin Kufijtë Administrativ të Komunave. 

Ky është reagimi i Jakup Krasniqit: 

Reagim dëshpërues për të arsyetuar humbjen e mbi 8000 hektarëve të Kosovës

Reagimi i Kryeministrit Isa Mustafa ndaj shkrimit tim të sotshëm lidhur me kushtëzimet e një pas njëshme për liberalizimin e vizave me demarkacionin me Malin e Zi e formimin e ushtrisë së Kosovës, është prova më e mirë se ky njeri e ka humbur orientimin edhe në kohë edhe në hapësirë. 
Por sidoqoftë, për hir të informimit të publikut po e sqaroj edhe këtë çështje të cilën e paska ngritur Kryeministri “akademik”. 
Kryeministri me qëllim ngatërron kufijtë e shtetit me kufijtë e parkut kombëtar “Bjeshkët e Nemuna” apo me ligjin për kufijtë administrativ të komunave e Planin Hapësinor. Kryeministri do të duhej ta dinte se ligjet i miraton Kuvendi i Kosovës e jo kryetari.
Kryeministri e din, ose së paku nga funksioni të cilin aktualisht e ushtron do të duhej dikush nga këshilltaret t’i tregojë që, me demarkacion nënkuptojmë vendosjen e kufijve mes shteteve, ndërsa me kufijtë e komunave, kufijtë e parqeve, kufijtë e lagjeve, kufijtë e rançeve apo çfarëdo kufiri tjetër nënkuptojmë pjesët e shumta që e përbëjnë tërësinë e territorit të një shteti, në këtë rast shtetit të Kosovës. 
Prandaj, kjo qasje e tij nuk është asgjë tjetër pos një përpjekje e dëshpëruar për të arsyetuar versionin e demarkacionit i cili Kosovës ia merr mbi 8000 hektar tokë.

Ky është reagimi i Isa Mustafës: 

Dëshpruese posepo, sepse ish Kryetari i Kuvendit nuk di se çfarë ka nënshkruar. Lexo Ligjin Nr.93/L-041 për Kufijtë Administrativ të Komunave, dt 20 shkurt 2008, neni 3, pika 3.1, citoj: ” Kufijtë administrativ të komunës janë kufijtë administrativ të zonave kadastrale që e përbëjnë territorin e Komunës në pjesën që kufizohet me komunën fqinje ose përputhet me kufijtë administrativ shtetëror të Republikës së Kosovës”. Lexoje edhe një herë se kush ka caktuar kufirin e komunave tona me vendet fqinje, si kufij administrativ shtetëror. Unë jo! Por i respektoj sepse respektoj ligjin.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart