Varroset në Koshare polici që u vra nga grabitësi - Gazeta Express

Varroset në Koshare polici që u vra nga grabitësi

29/12/2018 14:01

E enjta ishte dita e fundit që Izet Demaj veshi uniformën e policisë. 42 vjeçari nga Vrella e Istogut, u vra gjatë një tentim-grabitje të armatosur që ndodhi në një filial banke në Istog.

Po, atë ditë grabitësit ishin armatosur e kishin marrë rrugë drejt një prej bankave që gjendet në qendër të Komunës së Istogut, për të kryer grabitje.

Por, aty u zunë në pritë nga pjesëtarë të Policisë së Kosovës, e pas një përleshje me armë zjarri, mbeti i vrarë grabitësi Kamer Metaj, i cili e plagosi rëndë pjestëtarin e policisë, Izet Demajn.

Demaj do të përcillej urgjentisht në spital të Pejës, por plagët që kishte marrë gjatë aksionit ishin shumë të rënda dhe ai nuk mundi të ju mbijetonte.

Mjeku kujdestar i spitalit të Pejës, Sadri Berisha bëri të ditur se polici u dërgua në spital pa shenja jete. Ai shtoi se pavarësisht përpjekjeve të mjekëve nuk kanë mundur të bëjnë asgjë më shumë, derisa kishte deklaruar se vdekja e policit mund të ketë ardhur për shkak të gjakderdhjes së madhe që ka pësuar gjatë rrugës.

“Ka qenë i plagosur me armë zjarri. Ka qenë një numër i madh i plumbave në trup. Një ka qenë një qafë, një tjetër afër zemrës dhe një tjetër në krahun e djathë që kanë mundur potencialisht të ia marrin jetën”, ka deklaruar Berisha.

Polici i ndjerë ishte edhe ish’ushtar i UÇK’së, e kishte luftuar në brigadën Agim Ramadani, ndërkaq ka lënë prapa dy vajza.

Familja e Demajt janë krenar me veprën e tij, e kjo po i ngushëllon kur kujtojnë ndodhinë e dy dite më parë. Express dje gjatë ditës ka qëndruar në familjen e policit Demaj në Vrellë të Istogut.

Familjarë miq, e bashkëluftëtarë e kujtojnë atë me fjalët më të mira.

Bekim Demaj, djali i axhës së tij u deklarua për Express, se i ndjeri ka qenë djalë shumë punëtor, si në luftë, si pas saj.

“Dhimbja është prezente po faleminderit prej të gjithë atyre që vijnë për ngushëllim. Për çdo ditë jemi pa edhe dje ka qenë në detyrë po i ka ardh momenti në krye të detyrës më zbatu ligjin. Ka qenë në orar të punës. Në punë është dhënë një alarm që një bankë është duke u plaçkit, Izeti ka qenë një njeri që ka marrë pjesë në luftë, ka qëne djalë shumë punëtor” tha ai.

Një shok i tij u deklarua se për herë të fundit është parë me të para dy ditëve e i ndjeri nuk ka pasur probleme asnjëherë me asnjë person.

“Me Izetin bashkë jemi rrit s’ka më rëndë, me të bashkë jemi rrit ka qenë djalë shumë i mirë, i rregullt, i ri në luftë polic i mirë, po erdh momenti me u vra nga një kriminel. Pardje jam pa me të për herë të fundit. Absolutisht asnjëherë s’ka pas probleme me askënd”,tha për Express, Sefedin Maxharraj,

Përveç në familjen e Demajt, ekipi i Gazetës Express dje gjatë ditës ka qëndruar në fshatin ku jetonte edhe Kameri me familje në Shushicë të Istogut.

Familjarët e Kamerit kishin pak fjalë për të ndjerin dhe u distancuan nga vepra që kreu familjari i tyre. Ata patën një mesazh për familjen e policit, Izet Demaj.

Ata kërkuan falje prej tyre në ditën kur po pritnin të pame për personin që i mori Izetit jetën.

“I kërkojmë falje familjes së policit të vrarë, nuk kemi pas përshtypje asnjëherë që mundet me u marrë Kameri me këto gjana”, thanë ata.

Për familjen Metaj ngjarja rëndohej edhe më shumë, sepse edhe një djalë tjetër i familjes, vëllau i të ndjerit që siç mëson Express quhet Ylber Metaj është në paraburgim.

Së bashku me të është edhe kushëriri i tyre, Ujkan Metaj. Të dy këta, po dyshohet se pasditen e së enjtës ishin nisur drejt bankës NLB në Istog, së bashku me Kamerin, të armatosur me qëllim për të kryer vjedhje.

Për këtë, prokuroria Themelore e Pejës ka kërkuar nga Gjykata Themelore në këtë komunë caktim të masës së paraburgimit, për veprën penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale Vjedhje Grabitqare”,

kërkesë e cila është aprovuar nga Gjykata Themelore e Pejës.“Me datë 27.12.2018, rreth orës 15:30, pas marrëveshjes paraprake mes tyre për grabitjen e bankës NLB – Dega në Istog dhe tani të ndjerit K. M, kanë ndihmuar personin në kryerjen e veprës penale të vjedhjes grabitqare me qëllim që pasurinë e vjedhur ta mbajnë, në atë mënyrë që, i pandehuri U me veturën e tani të ndjerit K, e tipit Golf 4, ngjyrë e kaltër e sjellë nga fshati Shushicë e Ulët, Komuna Istog dhe pasi që zbresin nga vetura afër stadiumit të qytetit, i ndjeri K i pajisur me pushkë automatike AK-47 dhe granatë dore, drejtohet për në bankën në fjalë, i pandehuri Y hynë në një lokal përballë për ta vëzhguar situatën dhe pas ballafaqimit me polici të tani të ndjerit K, që të dy të pandehurit ikin nga vendi i ngjarjes për në fshatin Shushicë”, thuhet në njoftimin e Gjykatës Themelore në Pejë.

Demaj u varros sot me ceremoni shtetërore pranë ish ‘shokëve të tij të luftës në Koshare. Ndërkohë, në nderim të tij Presidenti Thaçi ka shpallur ditë zie./Gazeta Express