​Tomë Gashi thotë se Sylejman Selimi nuk është ftuar në Hagë, por siç dihet ai nuk është më avokat i tij


27/12/2018

Gashi, derisa mundohet ta demantojë një raportim të Gazetës Express, e quan veten avokat të Sylejman Selimit, por harron se ish-ambasadori i Kosovës në Tiranë muaj më parë e ka liruar atë nga mbrojtja. 

“Në clesin e Avokatit te Gjeneral Sylejman Selimi se kinese aj eshte ftuar ne Hagë per tu intervistuar per krime te luftes ne nuk kemi kemi pranuar nji ftese te tille per tu intervistuar ne Hagë dhe nuk dijm se nga kush e kan ”siguruar” kete ftese per ne Hage.!”, ka shkruar Gashi në facebook. 

Por, vetë Sylejman Selimi me anë të një letre që e kishte dërguar nga burgu, për Gazetën Express, në nëntor të këtij viti – si reagim ndaj vendimit të Gjykatës Supreme kur refuzoi kërkesën e tij për lirim me kusht -, e kishte njoftuar avokatin Tomë Gashi se qysh atë ditë e tutje nuk e ka më përfaqësues ligjor, pasi siç thotë ai procesi kundër tij është i montuar nga politikanët vendës dhe ndërkombëtarë.

“I nderuar avokat Tomë Gashi, unë që nga sot e kam marrë një vendim që të mos kem edhe më tutje përfaqësues ligjorë (avokat), nga sot nuk dua të kem avokat mbrojtës më vjen keq që deri më tani keni qenë jashtëzakonisht aktiv, në mbrojtjen e pafajësisë time dhe duke e dëshmuar me fakte keni bërë të pamundurën për ta ndihmuar edhe drejtësinë (njerëzit e saj) për ta vënë drejtësinë”, i kishte shkruar Selimi Gashit. 

“I nderuar Tomë, nuk më duhet avokat derisa politika dhe politikanët në veçanti të cilët vendosin për kënd dhe njerëz të caktuar të bëhet gjyqi dhe sa duhet të mbahen në izolim. Edhe njëherë ju falënderoj juve dhe gjithë ekipin mbrojtës dhe avokatat e të akuzuarve të tjerë në rastin Drenica 1 dhe 2 për kontributin dhe përpjekjet tuaja për zbardhjen e së vërtetës që dëshmon pafajasëinë tonë. Te grupi Drenica 1 dhe 2”, shkruante tutje ish-komandanti i përgjithshëm i UÇK-së, më pas TMK-së dhe FSK-së. 

Gazeta Express para pak minutash ka raportuar se Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka ftuar për intervistim në Hagë edhe ish-komandantin e Përgjithshëm të UÇK-së Sylejman Selimi

Selimi në Hagë, për krime lufte, do të intervistohet më 9 janar 2019, raporton Gazeta Express, përmes burimeve të afërta me procesin. 

Ftesa Selimi i është dërguar qysh në fillim të dhjetorit të këtij viti, sikurse edhe një pjese tjetër të ish-komandantëve të UÇK-së dhe figurave tjera të rëndësishme të këtij grupimi ushtarak për çlirimin e Kosovës. 

Avokati i Selimit dhe familjarë të tij nuk kanë folur për Gazetën Express rreth kësaj ftese. /GazetaExpress/. 

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart