Thaçi, Veseli e Haradinaj në Skënderaj për t’i nderuar të rënët, përplasen për kufijtë - Gazeta Express

Thaçi, Veseli e Haradinaj në Skënderaj për t’i nderuar të rënët, përplasen për kufijtë

05/10/2018 12:35

“Oj Drenicë a jeni more” ka thënë Haradinaj teksa ka marrë fjalën i treti me radhë në një tubim në Marinë të Skenderajt, ku u përurua memoriali për heronjtë dhe dëshmorët e ku liderët Thaçi, Haradinaj e Veseli rrëshqitën edhe në përplasje për çështjen e kufijve.

I pari që e ka shfrytëzuar podiumin për deklarata politike ka qenë Hashim Thaçi, i cili përmendi sërish korrigjimin e kufijve dhe bashkimin e Luginës së Preshevës.

Ndaj kësaj nuk ka ndenjur i qetë Ramush Haradinaj i cili “pa ujë në sy” iu drejtua Hashim Thaçi edhe pse nuk ia përmendi emrin duke thënë se ndaj heronjve dhe dëshmorëve “e kemi për detyrë me i mbrojtë dhe me e forcu shtetin”.

“Me i rujtë kufjtë tanë, dhe të mos e lejojmë ti prek askush qofte ai ketu me ne, qoftë dikund tjetër”, tha Haradinaj.

Kryeministri theksoi se tani familjarët e dëshmorëve ndihen të lehtësuar se më në fund trupat e tyre po rehatohen në vendin e vet.

“Ata që kanë ra për liri ju kem borxh me forcu lirinë, me forcu shtetin, me u forcu si popull në ekonomi, politikë të jashtme me e rujt atë që u mbrojt me gjak. Lavdi e përjetshme të rënëve për liri”, tha Haradinaj, transmeton Gazeta Express.

E Veseli po ashtu nuk ia ka bërë rrafsh Thaçit. Ai duke iu drejtuar Lushtakut dhe disa gjeneralëve të tjerë të UÇK-së tha se “ishalla nuk iu bjen të luftojnë por prapë janë të gatshëm me i dalë përballë Serbisë dhe mos me hi ma në Kosovë”.

“Kjo është liria jonë, kjo është e ardhmja e jonë, ky është shteti jonë, ne duhet ta mbrojmë ma shumë, nuk duhet të lejojmë ne që të cenohet, kjo liri ky shtet, ky sovranitet, ky integritet…” ka thënë Veseli.

E gjithë përplasja ndodhi në një ceremoni shtetërore ku është inauguruar kompleksi i dëshmorëve në Marinë të Skenderajt. Në këtë kompleks janë rivarrosur 158 dëshmorë të zonës së Drenicës. /Gazeta Express