​Tahiri thotë se Asociacioni nuk do të formohet pa shuarjen e strukturave paralele


06/10/2015

Kështu ka deklaruar për Tribuna Channel, ministrja për Dialog, Edita Tahiri.

Sipas saj, këto dy procese do të zhvillohen paralelisht, ngase për këtë çështje edhe janë marrë vesh në Bruksel.

“Para se të bëhet formimi i Asociacionit duhet të ketë shuarje të verifikueshme të strukturave ilegale të Serbisë në Kosovë pra këto dy procese do të zhvillohen paralelisht”, tha Tahiri.

Marrëveshja për Asociacionin e Komunave Serbe, para se të miratohet në Qeveri, do të shkojë në Gjykatën Kushtetuese për t’u vërtetuar kushtetutshmëria e saj, për të cilën ministrja Tahiri shprehet e bindur se Kushtetuesja do të japë mendim pozitiv.

Tahiri ka thënë se Asociacioni mund të themelohet pasi që të hartohet dhe dakordohet statuti për të.

Në marrëveshjen për formimin e Asociacionit, ishte paraparë që statuti të aprovohet brenda 4 muajve, ose më së largu me 25 dhjetor.

Por, zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, thonë se vështirë se një gjë e tillë do të bëhet.

Bajram Gecaj, zëvendësministër i Administrimit të Pushtetit Lokal ka thënë për Tribuna Channel se paraprakisht është duke u punuar në kërkesën që do t’i dorëzohet Gjykatës Kushtetuese.

Ai nuk ka dhënë ndonjë aftat për këtë çështje ngase sipas tij është duke u punuar nga ekspertët.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart