Selim Muça: U kemi thënë imamëve Siria është luftë e ndaluar, lërini budallallëqet - Gazeta Express

Selim Muça: U kemi thënë imamëve Siria është luftë e ndaluar, lërini budallallëqet

12/03/2014 11:37

(E plotesuar)- 

“U kemi bërë thirrje xhamive që të mos merren me dërgimin e shqiptarëve në Siri. Ajo është luftë e ndaluar”. Kështu shprehet në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, ish – kreu i Komunitetit Mysliman, Selim Muça, i cili vetëm pak ditë më parë u zëvendësua nga Skënder Bruçaj. Veç kësaj, Muça shprehet se para pak kohësh, në formë thashethemesh ka dëgjuar për rekrutimin e shqiptarëve në Siri. “Kemi dëgjuar disa fjalë për këtë çështje, por nuk kemi pasur informacion të saktë”, shprehet ish-kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë. Sipas tij, lufta në Siri është e ndaluar dhe shqiptarët nuk duhet të shkojnë atje. “Shumë shqiptarë që shkojnë nuk e dinë se do shkojnë për të luftuar dhe për të vdekur”, – shprehet Muça. Ai pohon se nuk ka asnjë informacion për arrestimin e dy imamëve në dy xhami të kryeqytetit gjatë ditës së djeshme.

Z.Muça, keni dijeni se janë arrestuar dy imamë në kryeqytet pasi dyshohet se dërgonin shqiptarë në Siri?

Jo, unë nuk di gjë për një gjë të tillë, pasi jam sëmurë dhe jam shtrirë në krevat. Nuk kam marrë asnjë informacion të tillë, shto këtu edhe faktin se nuk jam më në krye të Komunitetit Mysliman.

Kur ju keni qenë në krye të komunitetit, kishit informacione se persona të ndryshëm rekrutonin shqiptarë për në Siri?

Me thënë të drejtën, para pak kohësh kemi pasur sinjalizime për këtë çështje, por gjithmonë në formën e thashethemeve, pa pasur asgjë konkrete. Kishim parë dhe disa raste në media, por ne nuk kishim fakte konkrete për këtë çështje. Kishim dëgjuar fjalë, por nuk na kishte thënë askush se cilët ishin personat që rekrutoheshin, apo ata që rekrutonin; ishin vetëm fjalë, thashetheme. Informacion të sigurt nuk kemi ne.

Ju, keni bërë ndonjë përpjekje gjatë kësaj kohe që të parandaloni dërgimin e shqiptarëve drejt Sirisë?

U kemi bërë disa herë thirrje imamëve dhe xhamive që të mos e bëjnë budallallëkun që të merren me këto punë, por të shikojnë punën e tyre. Pasi ato nuk janë punët tona, nuk është fetare ajo luftë.

A flitet në Kuran për luftëra si ajo e Sirisë, apo në ndonjë luftë tjetër të ngjashme?

Për sa i përket Kuranit, besimtarët shqiptarë nuk e dinë që nuk kanë detyrim që të shkojnë për të luftuar në Siri. Pasi, nëse do ishte e nevojshme, ndërhyrja e shqiptarëve në luftëra do kërkohej nga organizata si OKB-ja apo NATO etj. Por, ata shfrytëzojnë varfërinë dhe duke i mashtruar i dërgojnë shqiptarët në një vend që nuk e dinë që do luftojnë dhe shqiptarët ikin e vdesin në luftë dhe lënë familjet në vështirësi. Shqiptarët duhet të punojnë për vendin e tyre. Kjo luftë është e ndaluar.

Përgjimet e “imamëve”, çuan 50 shqiptarë në luftën e Sirisë

Nga hetimet dhjetëmujore të Prokurorisë për Krime të Rënda, dyshohet se ata rekrutonin besimtarë myslimanë, mes të cilëve dhe gra e fëmijë, dhe i dërgonin për të luftuar në Siri. Sinjalizimi për funksionimin e kësaj celule terroriste iu dha Shërbimit Informativ Shtetëror Shqiptar nga disa agjenci shërbimesh të huaja, ku informonin se celula rekrutonte besimtarë dhe i dërgonte në Siri. Burime për “GSH” thanë se SHISH-i vuri në përgjim të dyshuarit, mes të cilëve dhe dy imamët e arrestuar, Genci Balla dhe Bujar Hysa, në një kohë që Prokuroria e Krimeve të Rënda nisi hetimet për të cilësuarën si celulë terroriste.

Burimet shtuan se rreth 50 shqiptarë janë dërguar të luftojnë në Shqipëri, 5 prej të cilëve rezultojnë të vrarë. Sipas drejtuesit të prokurorisë për Krimet e Rënda, Eugen Beçi, në kërkim janë shpallur dhe shtatë të dyshuar të tjerë, ndaj të cilëve është firmosur fletë-arresti. Në dosjen e prokurorisë, Genci (Abdurrahim) Balla konsiderohet si një ndër organizatorët kryesorë në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri. 

“Genci Balla është i njohur në qarqet radikale të vendit si një ndër teologët më të spikatur të rrymës ‘Tekfiriste’. Balla është një ndër teologët më radikalë, që propagandon Islamin e dhunshëm, nxit urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxit frymën e përçarjes brenda Komunitetit Mysliman, si dhe është një nga frymëzuesit dhe organizatorët kryesorë në rekrutimin e besimtarëve myslimanë dhe dërgimin e tyre për xhihad luftarak në Siri”, thuhet në dosje.

ROLI I GENCI BALLËS
Imami i vetëshpallur i Xhamisë së Unazës së Re konsiderohet si organizatori kryesor i rekrutimit dhe dërgimit në Siri të besimtarëve myslimanë për xhihad në Siri. “Genci BALLA (Abdurrahim) ka kryer studimet e larta në Universitetin Islamik të Medinës (Arabi Saudite), ku mendohet se ka rënë në kontakt me dijetarë të linjës së ashpër ‘Tekfiriste’, të cilët kanë ndikuar në indoktrinimin e thellë të tij dhe që më pas janë bërë burimi kryesor i frymëzimit të veprimtarisë së tij. Genci Balla është i njohur në qarqet radikale të vendit si një ndër teologët më të spikatur të rrymës ‘Tekfiriste’. Balla është një ndër teologët më radikalë, që propagandon Islamin e dhunshëm, nxit urrejtjen ndaj besimtarëve dhe besimeve të tjera, nxit frymën e përçarjes brenda Komunitetit Mysliman, si dhe është një nga frymëzuesit dhe organizatorët kryesorë në rekrutimin, organizimin dhe dërgimin e besimtarëve myslimanë shqiptarë për xhihad luftarak në Siri”, thuhet në dosje. 

Sipas prokurorisë, Balla së bashku me elementë të tjerë të sektit Selafi, drejtues të grupeve lokale, janë përgjegjësit kryesorë për dërgimin e shtetasve shqiptarë (burra, gra e fëmijë) për në Siri, ku shumë prej tyre janë trajnuar për luftë dhe indoktrinuar me ideologji radikale, për t’u angazhuar më pas në luftime në përbërje të grupeve xhihadiste, që janë nën sanksione nga Organizata e Kombeve të Bashkuara. “Thirrjet e tij për pjesëmarrjen në xhihad të armatosur në Siri janë mbështetur nga disa elementë të rinj shqiptarë, të cilët kanë udhëtuar në drejtim të Sirisë dhe dyshohet se u janë bashkuar grupeve xhihadiste. Prej gjashtë vitesh ushtron aktivitet fetar ilegal, dhe nëpërmjet nxitjes së tij, një numër i konsiderueshëm besimtarësh shqiptarë, u janë bashkuar formacioneve luftarake terroriste në Siri”, theksohet në dosje. Madje sipas prokurorisë, niveli i indoktrinimit konsiderohet si tepër i lartë, pasi Balla dyshohet se ka penguar shkollimin në shkollat publike të fëmijëve të tij dhe të lidhjeve të tij. 

“Ka hapur një shkollë fetare në ambientet e Xhamisë së Unazës së Re, ku fëmijëve u jepen vetëm mësime fetare dhe arabisht”, – thekson prokuroria. Imami i Xhamisë së Unazës së Re, akuzohet gjithashtu se gjatë faljes së të premtes nxit dhe predikon ndjekësit e tij të mos njohin institucionet e shtetit. “Genc Balla predikon për Sheriatin (ligj islamik). Predikimet që ai mban gjatë ditës së premte në Xhaminë e Unazës së re dhe thirrjet që ai bën lidhur me detyrimin për të marrë pjesë në xhihad, mosnjohjen e demokracisë, mosnjohjen e shtetit, urrejtjen e shteteve perëndimore, mbrojtjen e personave dhe mbështetjen e atyre që luftojnë për xhihad në Siri”, arsyeton prokuroria në vendimin e arrestimit të tij.

ROLI I BUJAR HYSËS
Nga hetimet e prokurorisë është përcaktuar dhe roli i imamit të vetëshpallur të xhamisë së Mëzezit. “Bujar Hysa ushtron aktivitetin e tij radikal-ekstremist islamik si imam i xhamisë së Mëzezit, ku dhe ka krijuar një rreth të ngushtë e të besuar besimtarësh. Është ndjekës i ideologjisë radikale ‘Tekfiriste’, të drejtuesit të Xhamisë së Unazës së Re, Genci (Abdurrahim) Balla. Është element radikal-ekstremist islamik dhe predikon në ambiente fetare për mosnjohjen e institucioneve dhe ligjeve të shtetit. Predikon në mbështetje të vendosjes së ligjit islamik, Sheriatit”, thekson prokuroria. Sipas organit të akuzës, Hysa ushtron aktivitet fetar ilegal dhe është aktiv në drejtim të përhapjes/nxitjes së urrejtjes ndërfetare, rekrutues, mbështetës dhe ndihmues i një numri të konsiderueshëm shtetasish shqiptarë që u janë bashkuar formacioneve luftarake terroriste në Siri. 

“Hysa ka lidhje të ngushta me shtetasin Genci Balla dhe, bashkëpunimi mes tyre dhe persona të tjerë, janë baza kryesore e indoktrinimit, rekrutimit, nxitjes dhe ndihmues për dërgimin nga radhët e besimtarëve në Siri. Dyshohet se kryen rolin indoktrinues të ideologjisë fetare ekstremiste, me fëmijë të moshave të vogla, të cilët ndjekin shkollën fetare pranë xhamisë në Unazë të Re. Hysa është mësues i lëndëve fetare për fëmijët”, saktësohet në dosje. Gjithashtu, sipas organit të akuzës, Bujar Hysa mban komunikime me individë me pikëpamje radikale brenda vendit, rajonit, dhe me personat që aktualisht gjenden përkrah grupeve ekstremiste në Siri.