Ratifikimi i demarkacionit nuk i heq vizat – tani topi është te Qeveria dhe BE


12/07/2016

Lëvizja e lirë e kosovarëve në Zonën Schengen, sipas të gjitha gjasave nuk do të realizohet këtë vit edhe pse Komisioni Europian në fillim të muajit maj i ka rekomanduar institucioneve të BE’së heqjen e vizave, e as për faktin që Parlamenti Europian ka filluar procedurat në këtë drejtim. Kosovarët duhet të presin ende.

Të ballafaquar me këtë fakt, pra me shtyrjen, zyrtarë të Qeverisë së Kosovës po vazhdojnë ta fajësojnë opozitën se po e bllokon këtë proces. Demarkacioni është një kusht i BE’së për liberalizimin e vizave, por së paku deri më tani nuk ka ndikuar në heqjen e vizave e as në shtyrjen e këtij procesi.

Një akuzë e tillë i është bërë dje opozitës nga Arban Abrashi, Ministër i Qeverisë Mustafa.

Gazeta amerikane Wall Street Journal, më 10 qershor, kishte raportuar se shtetet e fuqishme të BE’së do ta shtyjnë vendimin për Ukrainën, Kosovën dhe Gjeorgjinë. Si arsye për këtë janë përmendur bandat gjeorgjiane që operojnë në Gjermani (kjo ka ndikuar në qëndrimin e Gjermanisë), ndërkohë që Franca është e brengosur se heqja e vizave për këto vende mund të shkaktojë edhe më shumë probleme në një kohë të frikës nga terrori.

“Italia dhe Franca pajtohen që vendimi duhet të pres deri në miratimin e rregullave të reja, të cilat do të mundësojnë një suspendim më të lehtë të regjimit pa viza në rast të abuzimit. Vendet tjera po ashtu e kanë ngadalësuar aprovimin. Vetëm në shtator Parlamenti Europian pritet të aprovojë ndryshimet” ka shkruar WSJ.

Pavarësisht kësaj Komiteti për Politikë të Jashtme i Parlamentit Europian, me shumicë votash, ka aprovuar rekomandimin për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës.

Por kjo nuk ka ndodhur në Komitetin për të Drejtat për të Drejtat Civile. Raportuesja për vizat Tanja Fajon ka thënë se pala kosovare nuk ka bërë progres në çështjen e demarkacionit dhe nuk ka evidentuar rastet e dënimit të personave të arrestuar për korrupsion.

Kjo ka nxitur qeveritarët e Kosovës që të drejtojnë akuza në drejtim të opozitës, se po e bllokon lëvizjen pa viza, pavarësisht se ka qenë e ditur se gjithçka është shtyrë për muajin shtator paraprakisht nga Bashkimi Europian.

Po ashtu, Qeveria e Kosovës ka lëvizur në këtë drejtim vetëm pas ardhjes së Ndihmëses së Sekretares së Shtetit Victoria Nuland, duke  bërë me dije se projektligji për demarkacionin do të dalë të mërkurën në mbledhjen e Qeverisë.

Votimi për Demarkacionin pritet të ndodhë gjatë kësaj jave. Votat për këtë pritet t’i japin vetëm partitë e koalicionit qeverisës. Një pjesë e opozitës do të japë votën kundër, ndërkohë që pjesa tjetër, ose VV, ka bërë me dije se do ta kundërshtojë me të gjitha mjetet.

Por, pas ratifikimit të demarkacionit, qeveritarët pastaj duhet të japin llogari se a e kanë luftuar korrupsionin.

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart