Rama: Bashkimi kombëtar deri në vitin 2025


26/11/2018

Gjatë fjalës së tij në mbledhjen mes dy qeverive në Pejë, Rama i bëri ftesë Haradinajt që të nisë puna nga dy Ministritë e Jashtme për hartimin e një strategjie të përbashkët për bashkimin e shqiptarëve deri në vitin 2025.

Rama shtoi se Shqipëria nuk mund të presë pafundësisht BE-në në lidhje me pranimin në këtë organizëm, sikurse Kosova është e lodhur nga pritja për liberalizimin e vizave.

Duke u ndalur te marrëveshjet mes dy vendeve, Rama tha se brenda 6-mujorit të vitit të ardhshëm do të ketë 0 taksa në doganat mes Shqipërisë dhe Kosovës, ndërsa 100% taksa në veri, pra në kufirin Kosovë-Serbi.

Kryeministri Edi Rama deklaroi në mbledhjen e përbashkët të qeverisë së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës se “qenësia e normalizuar e Kosovës është çelësi i stabilizimit përfundimtar rajonal”.

“Për Shqipërinë, Kosova është shtet i pavarur, sovran, me regjim demokratik, garancia dhe qenësia e normalizuar e të cilit është çelësi i stabilizimit përfundimtar rajonal”, theksoi Rama.

Kreu i Qeverisë shqiptare shtoi se “e drejta ndërkombëtare nuk njeh gjysmë-shtete dhe nuk njeh gjysmë-njerëz”, duke nënvizuar se “prandaj jemi të zhgënjyer nga qasja e BE-së në lidhje me pavarësinë e Kosovës dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve të saj”.

“INTERPOL-i ishte shfaqje dekurajuese për shfaqjen e partnerëve potencialë në rajon”, shtoi Rama.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart