Qeveria merret me demarkacionin në mbledhjen e ardhshme


11/07/2016

Në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë së Kosovës, e cila do të mbahet të mërkurë, pika e parë e rendit të ditës do të jetë projektligji për ratifikimin e Marrëveshjes së Demarkacionit me Malin e Zi.

Kështu tha për GazetaExpress, Faton Abdullahu, këshilltari për media i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa.

“Duke qenë konsekuent dhe parimor në qasjen tonë si Qeveri dhe të bindur se është bërë punë e mirë dhe profesionale rreth demarkacionit, ashtu sikundër kemi premtuar deri më tani, në mbledhjen e ardhshme të Qeverisë do ta marrim në shqyrtim në pikën e parë të rendit të ditës Projektligjin për Ratifikimin e Marrëveshjes për Kufirin Shtetëror ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Malit të Zi”, thotë Abdullahu.

Njëra prej kërkesave kryesore për liberalizimin e vizave për Kosovën është ratifikimi i marrëveshjes së Demarkacionit.

Në vizitën që zhvilloi të dielën në Prishtinë, Ndihmës-sekretarja amerikane e Shtetit, Victoria Nuland, tha se Kuvendi, gjatë kësaj vere duhet të gjejë zgjidhje për çështjen e demarkacionit me Malin e Zi.

Abdullahu thotë se rekomandimi i Qeverisë është që kjo marrëveshje sa më parë të ratifikohet nga Kuvendi i Kosovës, për shkak se është në interes të vendit si dhe për lëvizjen pa viza.

“Rekomandimi jonë i fuqishëm për të gjithë është që kjo marrëveshje të ratifikohet në Kuvendin e Republikës së Kosovës sepse është  në interesin nacional të vendit tonë, në të mirën e rrugëtimit tonë drejtë integrimeve evropiane, në të mirë të normalizimit të raporteve me shtetin fqinjë dhe në të mirë të kualitetit të jetës së qytetarëve tanë”, thotë Abdullahu për Gazetën Express.

Kundër marrëveshjes së Demarkacionit janë deklaruar partitë opozitare Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovë. Opozita ka kërkuar që kjo marrëveshje të rishikohet, pasi ata besojnë se ”i është falur tokë Malit të Zi”. /GazetaExpress/

Artikull i sponsoruar

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart