Qeveria dërgon në komision Projektligjin për Trepçën, Veseli ua shpërndan deputetëve (Dokument)


05/10/2016

Kreu i Kuvendit, Kadri Veseli, ka nënshkruar sot gjatë ditës shkresën për Projektligjin për “Trepçën” dhe ia ka shpërndarë materialin deputetëve për ta lexuar, para seancës së të premtes.

Ndërkohë, Projektligji në fjalë është dërguar nga Qeveria e Kosovës për shqyrtim në Komisionin parlamentar për Zhvillim Ekonomik. 

load

Ky Komision e ka pranuar këtë Projektligj mesditën e së mërkurës dhe është konfirmuar për Gazetën Express nga vetë kryetari i këtij Komisioni, Muhamet Mustafa.

Ai u shpreh se gjatë ditës së nesërme Komisioni për Zhvillim Ekonomik do ta trajtojë këtë projektligj. Ai tha se futja e tij në rend dite në Kuvend, të premten, nuk paraqet procedurë të përshpejtuar.

“Nesër do ta trajtojmë në Komision. Nuk është kurrfarë ngutie kjo. Natyrisht që procedurat janë pak më të shkurtra se ato të zakonshmet”, thotë Mustafa.

Sipas tij, ligji të premten do të kalojë në leximin e parë, si dhe shpreson se i njëjti do të aprovohet edhe nga pozita, edhe nga opozita.

“Ky ligj hap mundësi të mëdha zhvillimore në Kosovë. Besoj që do të aprovohet në shumicë të madhe edhe nga pozita, edhe nga opozita”, ka thënë Mustafa.

Ndërkaq, shefi i Qeverisë së Kosovës, Isa Mustafa, sot gjatë mbledhjes së Qeverisë ka thënë se “Trepça” paraqet sinonim për Kosovën.

Këtë deklaratë ai e bëri në mbledhjen e sotme të Qeverisë në rendin e ditës së të cilës ishte Projektligji i i ri për gjigantin metalurgjik “Trepça”.

“Duam me këtë ligj ta hapim të ardhmen e “Trepçës” e jo të kaluarën. Prona e “Trepçës” është pronë e Kosovës”, tha ndër të tjera ai. 

E anëtarët e Komisionit për Zhvillim Ekonomik e vlerësojnë si të vonuar kërkesën e plasimit të këtij Projektligji nga ana e Qeverisë së Kosovës. 

Enver Hoti nga “Nisma për Kosovën”, shprehu dyshime se në prapavijë të këtyre vonesave qëndrojnë interesa të ndryshme. Sipas tij, vonesat e dërgimit të Projektligjit për “Trepçën” në Komision janë të paarsyeshme.

Sipas tij, nëse Qeveria ka presion nga faktorët e jashtëm lidhur me “Trepçën”, atëherë duhet të tregojë e jo që ky projektligj të veprojë në këtë mënyrë.

“Vonesat janë tërësisht të paarsyeshme. Jemi shumë të shqetësuar pse ka ndodhur kjo. Zhvillimi ekonomik është i lidhur ngushtë me fatin e “Trepçës”. Ky ligj është vonuar qëllimshëm. Nëse Qeveria ka presione nga faktor të jashtëm, ajo duhet të mos fshehë atë”, ka thënë Hoti për Gazetën Express.

Ndërsa, Qeveria e Kosovës ka afat deri më 2 nëntor të këtij viti për ta përgatitur planin e riorganizimit për “Trepçën” ose gjiganti metalurgjik pas këtij afati mund të shkojë në likuidim. /GazetaExpress/. 

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart