Pas miratimit të ligjit, çfarë do të ndodhë me "Trepçën"?


08/10/2016

Ai ka treguar për resurset, për aksionet dhe për njësitë biznesore:

“Me këtë Projektligj synojmë të hapim të ardhmen për “Trepçën” e jo ta kthejmë të kaluarën e “Trepçës”.

Ligji përcakton qartë se resurset minerare janë pronë e Republikës së Kosovës, prandaj me këtë ligj, prona e “Trepçës” është dhe mbetet pronë e Kosovës. Ndërkaq, shfrytëzimi i resurseve minerale bëhet në bazë të licencës për hulumtim dhe zhvillim të lëshuar në përputhje me ligjet në fuqi.

“Trepça”, sipas këtij ligji, do të organizohet si shoqëri aksionare, në të cilën aksionar kryesoë do të jetë Qeveria me 80% të aksioneve dhe 20% do të jenë aksione të punonjësve të “Trepçës”.

Mbi këtë bazë përcaktohet e drejta në qeverisje dhe në ndarjen e dividendit ndërmjet aksionarëve, proporcionalisht me pjesëmarrjen e tyre në asete të “Trepçës”. Fjala është për asetet mbitokësore, jo në rezervat minerale.

Njësitë biznesore të “Trepçës”, sipas këtij projektligji janë: Minierat me Flotacion Trepça – Stan Tërg, Minierat me Flotacion Kishnicë dhe Artanë dhe Minierat me Flotacion Kopaonik – Leposaviq.

Ligji lë mundësi të hapura, që pas studimit të fizibilitetit, të themelohen njësitë tjera afariste të “Trepçës”, siç janë metalurgjia e plumbit, e zinkut, industria kimike, por edhe njësi të tjera, për të cilat vlerësohet se ka llogari ekonomike si dhe hap mundësi optimale për tërheqjen e kapitalit privat, qoftë përmes partneritetit publiko-privat, investimeve direkte, investimeve të përbashkëta apo shitjes së aksioneve.

Projektligji siguron një kujdesje ligjore dhe sipas praktikave ndërkombëtare për mjedisin dhe siguron që 20% nga renta minerare të alokohet për komunitetin në lokacionet e komunave ku ndodhen njësitë biznesore, që destinohet për mbrojtje të mjedisit, infrastrukturë, sport, shëndetësi dhe arsim.

Asetet e tjera të, tani, ndërmarrjes shoqërore “Trepça”, të cilat nuk trajtohen me këtë ligj, do të trajtohen sipas rekomandimeve të studimit të fizibilitetit.

Pretendimet e kreditoreve ndaj njësive biznesore të përcaktuara në këtë Projektligj, të krijuara deri në ditën e hyrjes në fuqi, të cilat do të trajtohen nga Agjencia Kosovare e Privatizimit në cilësinë e administratorit dhe nga Dhoma e Veçantë e Gjykatës Supreme, ndërkaq, Qeveria do të marrë të gjitha obligimet që pastaj caktohen me ligj.

Në hartimin e këtij Projektligji, përveç konsultimit të ministrive dhe organeve të tjera të administratës, janë zhvilluar konsultime edhe me përfaqësues të “Trepçës”, AKP-së, përfaqësues të Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, përfaqësues të Fakultetit të Gjeoshkencave, ekspertë të pavarur dhe njohës të çështjeve pronësore”.

Te fundit nga kategoria


Kthehu lart