​Opozita siriane, lufta në Siri është politike dhe ekonomike, s’duam xhihadistë shqiptarë - Gazeta Express

​Opozita siriane, lufta në Siri është politike dhe ekonomike, s’duam xhihadistë shqiptarë

22/03/2014 22:55

Një prej liderëve të opozitës siriane, Sheiku Faris Al-Tai ndodhet në Tiranë në kuadër të detyrës që i është ngarkuar si ambasador paqeje në botë për më shumë se 11 milionë sirianë.

Ai vizitoi Tiranën ditën e sotme për të sensibilizuar shqiptarët myslimanë se lufta në Siri është luftë politike dhe ekonomike dhe jo xhihad.

Pasi ngushëlloi familjarët e të rënëve shqiptarë në Siri, Sheiku Faris Al-Tai tha se Siria nuk ka nevojë për xhihadistë shqiptarë dhe se populli ynë ka keqinterpretuar konfliktin atje.

Ai theksoi se shqiptarët po keqinformohen dhe po bien pre e grupeve ekstremiste të lidhura me terroristët. Ai u bëri thirrje shqiptarëve që të kenë kujdes dhe të mos bien pre e propagandave ekstremiste.

“Jam i trishtuar shumë për këtë që ka ndodhur me të rinjtë shqiptarë sepse është abuzuar me disa prej tyre, duke keqpërdorur termin xhihad në Siri. Në të vërtetë kjo fjalë…, mund të thuhet shumë thjesht, nuk ka xhihad në Siri dhe shpresoj që vëllezërit tanë në Shqipëri ta dinë se xhihadi është të kujdesemi dhe arsimojmë fëmijët tanë, të kujdesemi për sigurinë dhe të ardhmen e tyre, duke e mbushur të ardhmen e fëmijëve tanë me paqe, të sigurojmë të ardhmen e tyre qoftë materiale dhe shpirtërore. Duhet që të bëjnë xhihad duke luftuar injorancën, sëmundjet që na kanë goditur ne si njerëzim, duke afruar njerëzit me njëri-tjetrin qofshin këta popuj apo fise, pra të bëjmë xhihad duke shpërndarë dashurinë dhe të mirën nëpër njerëz”, tha ai për “A1 Report”.

“Për sa i përket Sirisë, nuk ka lidhje me këtë xhihad që flitet në Shqipëri. Siria është toka e civilizimeve. Por flasim për një civilizim që është i vjetër më shumë se 7 mijë vjet. Është një vend tek i cili më së pari njerëzimi filloi të shkruante. Ajo është një tokë që është e dashur për të gjithë profetët e Zotit, dhe kjo është tokë që të gjithë profetët erdhën dhe sollën librat, mesazhet e tyre.

Ajo që po ndodh sot në Siri është një grindje midis vëllezërve të mi sirianë. Shkaqet janë të shumta. Një prej shkaqeve është se kush do të qeverisë atë vend, po kështu shkak është edhe lufta ekonomike që i bëhet Sirisë. Fatkeqësisht prej shumë shteteve është kërkuar prej tyre që mos të sjelli luftë, por të sjellin siguri dhe paqe në vendin tonë dhe mos të investojnë në vrasje dhe shkatërrimin e vendit.

E vërteta e jetës tonë është, globi tokësor është shtëpia jonë e shtrenjtë dhe e vetme. Shtetet janë thjesht ato dhomat e shtëpisë tonë. Kur ndodh problem në ndonjë dhomë, po kështu ai problem që është te një dhomë e veçantë do sjellë një lloj negativizmi tek dhomat e tjera. Po kështu, për çdo njeri i cili është i mençur dhe çdo njeri që me të vërtetë beson te Zoti në rrugën apo mënyrën e tij si beson, e ka për detyrë që ta ruajë këtë shtëpi të përbashkët që është globi tokësor dhe ta ruajë dhe me atë që jeton brenda në të, qofshim ne njerëzit apo dhe kafshët që na ka dhuruar Zoti.

Kjo është shkurtimisht se çfarë ndodh sot në Siri, dhe po kështu siç më vjen keq që po humbim jetë të popullit tonë atje, më vjen keq edhe humbjen e jetëve të të rinjve nga Shqipëria. Duhet ta dimë se prej fesë tonë, të vrasësh veten është e ndaluar. Sepse Zoti i gjithësisë, kur na krijoi ne njerëzit, na bëri pjesën më të mirë të tij. Dhe nëse ne jemi pjesa më e mirë e tij, asnjë prej nesh nuk ka të drejtë të cenojë jetët e të tjerëve ose të vrasë edhe veten e tij, sepse ne jemi të të njëjtit lloj”.